DYLON

Shpifja makabre

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Zejnullah Jakupi, Berlin

Profesioni i gazetarisë, në rastin e shpifjes kundër gazetarit dhe korrespodentit Fahri Musliu u kthye në ideologji (shkatërruese) që pamundëson interpretimin e ndjeshëm dhe zbatimin e parimeve të kodeve të mira të thënies së të vërtetës, drejtësisë, respektimin e lirisë së të shprehurit dhe mbrojtjes së mendimit të lirë. Mbi të gjithë u minua tradita shekullore edhe ajo kanunore, i (e) mos prerjes në besë dhe mos prekja në nderë, padyshim një vepër penale! Në Nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës shkruhet: Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

EkoHigjiena

Nëse do të themi se një botues, një gazetar mund të përshkruhet si kundërshtarë i qeverisë, i një kombi një lloj “instance e gjithëpushtetshme” e cila shkel ligjin, cenon nderin, virtytet e njeriut, kjo do të ishte media e rrezikshme, këta gazetarë, do të ishin shpifës dhe të urryer, një mision shkatërrimtar për shoqërinë. Do ishte ky një mision i kuptuar mbrapsht, e jo një mision fisnik, komunikues kritik dhe edukues që duhet ta luajë media (shtypi i lirë) në një shoqëri demokratike. Po nga këta cytës, njeriut të kohës post-moderne, po i cenohet gjëja më e shenjtë, nderi dhe virtyti njerëzor. Me paragjykime, me shpifje dhe përhapje të propagandës ndaj një personaliteti, institucioni e figure publike, qoftë ai person natyror apo juridik, nuk përmbushet misioni i medies si “pushtet i katërt”. Më shumë po ngjan të del sheshit shpifja se sa fakti dhe e vërteta.

Mediet janë cilësuar shpesh edhe si ndërmjetësues të paqes dhe komunikimit ndër-njerëzor. Ato duhet të respektojnë të drejtat e obligueshme kur raportojnë. Të kenë kujdes dhe ta respektojnë, të drejtën sociale, private, të diskrecionit, sferën intime, nderin personal. Të mos lejojnë që në shkrimet, komentet tu përvidhen ose ti vënë me qëllim personalitetet para aktit të kryer, duke cituar fjali që i apostrofuari fare nuk i ka thënë, ose të shpifin për diçka, për të cilën nuk kanë të vërteta faktike.

Edhe kodekset e medieve dhe Kodi Penal i Republikës së Kosovës, jo në mënyrë specifike por vetëm të përgjithshme, siç e bënë edhe Kushtetuta në fuqi, mbrojnë individët qofshin, ata me status natyror apo juridik, institucione, shoqata, kombe nga keqpërdorimi, shantazhi etj. Duhet potencuar megjithatë se mangësitë ligjore ose vakuumi ligjor ekziston. Kushtetuta e Republikës së Kosovës Neni 40 [Liria e Shprehjes] Paragrafi 1 garanton Lirinë e shprehjes, të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush.

Ndërsa paragrafi 2 i po këtij neni e potencon se “Liria e shprehjes mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare”. Por si në Kushtetutë ashtu edhe në nenet e Ligjit Penal të Republikës së Kosovës nuk potencohen, në asnjë nen, çështjet që po trajtoj, pra nuk ka një definim më të qartë se çfarë është shpifja, fakti, e vërteta, trillimi, supozimi, mendimi dhe si mund të mbrohemi nga akuzat e tilla?

Ndërsa në ligjet e BE-së gjithashtu edhe në kodet dhe ligjet e medieve janë të specifikuara në detaje përcaktimet e tilla. Prandaj, secili njeri ka të drejtë dhe duhet të kërkoj ti mbrohet e drejta e vet! Çdo individ gëzon të drejtën e anonimitetit, të drejtën për botimin e fotove, tekstit dhe datave personale! Secili njeri ka të drejtë të posedoj të drejtën ekskluzive të paraqitjes në medie, të drejtën e vetëvendosjes informative dhe ruajtjen e integritetit të tij informativ.

Rasti “Fahri Musli”

Siç dihet Fahri Musliu është një personalitet i shquar, një korrespodent(gazetar) me një përvojë 40 vjeçare në media shqipe edhe si korrespodent i medieve prestigjioze nga Beogradi, i njohur edhe si autor i disa librave. Sipas shkrimit të Agim Muhaxhirit së pari shpifën serbët, pastaj kroatët se Fahri Musliu është babai biologjik i Aleksandër Vuçiqit, kryeministrit të Serbisë. “Nuk u bë asnjë ekspertizë, as ajo e mjekësisë ligjore, të jetë vërtetuar ajo që i vishet Fahriut. E tëra ishte një pallavër. Trillim i psikopatëve, i atyre që kanë probleme jo vetëm nervore. Mbeti enigma. Përse shpifësit serbë dhe kroatë u morën me të ?”.

Shpifja kundër Fahri Musliut kishte filluar në revistën dyjavore e serbe “Tabloid” (prill 2013). Gazetat nuk posedonin asnjë ekspertizë nga mjekësia ligjore. Në këto shpifje kërkohet burgosja e Fahriut, por edhe “burgosja” e librit të tij, “Ditari i një shqiptari në Beograd”. Autori Milovan Brkiq, sipas Fahri Musliut ishte një psikopat, i cili kishte shpifur ndaj kryeministrit të vet Aleksandër Vuçiq, të cilit i vë epitetin e homoseksualit. Në lojë të kësaj propaganda të pistë hyn portali DNEVNO. hr. i Zagrebit (22 shtator 2014). Një pjesë e gazetave dhe portaleve në gjuhën shqipe në Kosovë dhe më tej botojnë këtë shkrim shpifës pa vrarë mendjen se po cenonin personalitetin e njerëzve të përfolur.

Në këtë kohë gazetari Musliu është dhe mund të jetë në gjendje depresive dhe i pambrojtur. Kujt vallë t’i ankohet Fahriu për linçimin që i bënë ? T’i padis shpifësit në Serbi, Kroaci, apo në Gjykatën e Strasburgut? Duke e ndihmuar sadopak në këtë drejtim, po jap disa vlerësime sesi duhet vlerësuar ky model i keq i gazetarisë dhe si të procedohet rasti deri tek drejtësia për të fituar ose rikthyer imazhin e baltosur( Për shkaqe teknike janë hequr gjitha fusnotat e cituara).

Çfarë është “shpifja”?

Botim i Akademisë së Shkencave të RSH, Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë, viti 2002, e zbërthen fjalën “fyerje” me “poshtërim prekje në nder a sedër” “fq. 371 e Fjalorit). Sipas fjalorit shpifje do të thotë: “trillim i qëllimtë i gjërave të paqena, për t’i përlyer dikujt emrin e mirë, për t’i ngarkuar një faj që nuk e ka bërë, ose për të njollosur diçka.”

Shkrimi rreth gjoja prejardhjes së Aleksanadër Vučičit se ky ishte djali i Fahri Musliut, siç potencuam më lartë, nuk pati si bazë asnjë ekspertizë nga mjekësia ligjore, por kjo ishte vetëm shpifje, trillim ndaj tij. Gjykata në bazë të provave do të interpretojë këtë si shpifje. Pra lajmi dhe përmbajtja e tij është i shpifur nga botuesit e lartpërmendur. Në të vërtet, lajmi nuk është një e dhënë faktike, por ka përpos shpifjes edhe citate të huazuara, të folura e të përfolura në media, në dy gazetat në atë serbe dhe kroate.

Gabimi në start

Dy gazetat e cituara, që kur kanë filluar me botimin, nuk kanë marrë parasysh faktin se nuk mund të shkruash, të akuzosh apo të shpifësh për këta personat në fjalë duke menduar se këta janë persona politikë (si Aleksandër Vučič) dhe se fjalët apo kritikat e përdorura në drejtim të tyre, ti apostrofojnë pjesërisht si mendime, gjersa ato ishin trillime e thashetheme. Në këtë rast ata kanë keqpërdorur lirinë e të shprehurit, madje fajësinë e mbulojnë duke u thirrur në kodet e shtypit se ata “kanë një detyrim moral, t’i bëjnë prezent publikut, idetë, opinionet dhe kritikat e tyre, sjelljet dhe veprimet e liderëve politikë në mënyrë që, publiku të krijojë dhe të japë një gjykim sa më të drejtë për çështje të caktuara(athua vallë!!!). Në fakt gazetat e kanë shfrytëzuar “shprehjen e lirë” me terma krejtësisht të kundërt, duke i ngatërruar faktet (konstatimet e vërteta) me shpifjet. Veçanërisht gjyqit i cili do të trajtoj këtë padi, duhet të kërkojë qasje të tilla që t´i dallojë këto ndryshime, sepse mosdallimi e bën çështjen edhe më të vështirë dhe krijon telashe më të mëdha në të ardhmen.

Gazeta serbe dhe ajo kroate, të cilat e kanë botuar shpifjen, janë njëherazi media tablloid ose amatoreske. Ato nuk kanë mundur ose, e kanë bërë me qëllim “dallimin”, përzierjen e “duhur”, jo korrekt, mes fakteve dhe shpifjes. Pra ambivalencat në përcaktimin e asaj se çka është fakt i vërtetë, e çka shpifje apo çka është në të vërtetë një fakt i shtrembëruar, e çka mendim, mungon? Gjithësi duhet dalluar se çfarë janë faktet? Faktet janë dy llojesh; të vërteta dhe të pavërteta. Nëse një lajm nuk bazohet në fakte reale, ekzistuese quhet lajm, ose fakt i pa vërtet, ndërsa lajmi ose fakti e me të edhe lajmi i vërtet mund të ilustrohen me disa shembuj. Fakt i vërtetë: “Presidentja e Republikës së Kosovës është Atifete Jahjaga”. Një fakt i tillë mund të vërtetohet shumë lehtë. Fakt (konstatim) i shtrembëruar mund të ishte nëse thuhet se “Në Kosovë nuk ka pasur intervenim të NATO-së në vitin 1999”. Edhe një fakt i vërtetë; “Kryetari i VV-së është Albin Kurti, “Bora është e bardhe” etj.

Shpifja e bërë nga këto gazeta dhe portalet ndaj Fahri Musliut është makabre. Ky shkrim prek sferën private dhe atë intime dhe këtë nuk mund ta amnistoj askush me asnjë ligj, kod shtypi. Ky veprim dëmton reputacionin, prestigjin, nderin, imazhin e personit(personave) në fjalë, dëmton sferën e tij (e tyre) publike e sociale, i dëmton reputacionin e tij(të tyre) familjar dhe ekonomik, politik, kulturor e nacional.

Në çfarë rastesh do të tolerohej shkelja e sferës private(edhe sikur të kishte të vërteta aty)? Po e zëmë sikur të kishte një shkrim demaskimi me fakte, lidhur me tregtinë me qenien njerëzore në Serbi. Sikur pala e dëmtuar të ishte përfshi në skandale korrupsioni, vepra penale dhe këto të ishin rezultat edhe i jetës bashkëshortore, me gjithë gjasë nuk do të përbënte një shkelje të drejtës ndaj një pale të tretë apo do të mund kjo të interpretohet si kufizimi i lirisë së tjetrit.

Në rast të paditjes gazeta kroate dhe ajo serbe do te shpallen fajtore, varësisht se cila ka filluar me hulumtimin e para, ajo do jetë më fajtore, ajo që ka filluar e para dhe, sigurisht çdo gjyq, do të vlerësojë “dëmin jo-pasuror” të shkaktuar ndaj Fahri Musliut gjithnjë duke u thirrur në të drejtën e jetës private dhe atë intime dhe ruajtjen e saj nga përbaltimi.

A guxon të botohet një akuzë intime edhe sikur të ishte e vërtetë?

Vendimi i redaksive për ta botuar këtë shpifje ishte skandaloz (ata me gjasë e kanë menduar si artikull investigativ). Edhe sikur të ishte e vërtetë akuza, nuk do të lejohet, për disa arsye: Gazetarët do të duhej ta bënin dallimin mes të drejtës private, të personave absolutë dhe atyre relativ. Person absolutë nëse mund të jetë kryeministri serb, gazetari as sesi nuk është. Por gjithsesi këtu duhet të bëhet edhe dallimi mes personave juridik dhe atyre natyror, njerëzve të thjeshtë.

Raportimi del të jetë inkriminim politik, dhe si pasoj është i mundshëm të ketë patur kyçje të ndonjë shërbimi sekret mbase ky sulm mbetet i pa precedent edhe për mediet shqiptare. Gazetarët nga gjitha anët që kanë botuar shpifjen do thonë se drejta private për politikanët nuk ruhet pra nuk ka të njëjtin konceptim si për qytetarët me status natyror. Me këtë rast, gjyqi, edhe ai kosovar, do të sjell argumente bindëse se artikulli ka cenuar sferën intime. Pra supozojmë se edhe sikur të kishte qenë i vërtet raportimi, prekja e kësaj sfere mbetet tabu.

Ca shembuj si dhe a mund të preket sfera private dhe intime (diskrete)?

Sipas praktikave gjyqësore, sfera private nuk përfillet kur politikani shkon në “Shtëpi Publike” dhe fotografohet nga një gazetar, siç ka ndodhur në shtet e ndryshme, apo merret me biznese kriminale dhe kërkon që t´i respektohet sfera e të mos i prishet imazhi në opinionin publik. Argumenti kryesor i gjykatës do të ishte për ta nxjerrë kryeministrin serb të dëmtuar sepse me këtë rast preket sfera intime. Megjithatë, përvoja se çka përbën sfera private është më e shumëllojshme dhe e ndryshme.

Ndoshta kjo praktikë për rrethanat në Kosovë, Serbi por edhe në Kroaci është kaq e re, sa që gjyqit i duhet akoma shumë kohë që ta “vras mendjen”, ta përcaktojë qartë rregullin që do t’iu tregojë reporterëve “vijën e kuqe”, dënimin që i pret nëse përhapin shpifje dhe trillime e të pa vërtetat e pështirosje të tilla. Ky rast shërben që të iniciohen edhe projektligje plotësuese në këtë drejtim duke u plotësuar ose duke u thirrur në ligjet e BE-së dhe EMRG-së. (Shih ligjin Penal të Republikës së Kosovës).

Interesi publik dhe katër sferat e famshme

Këtu po jap disa shembuj se ku qëndron dallimi mes sferës publike, asaj sociale, sferës private dhe asaj tabu ose intime. Me këtë po ju referohem disa shembujve me sa vijon: Një gazetare gjermane e pensionuar dëshiron të bëjë publike disa të dhëna dhe më vonë pas presionit familjar detyrohet të tërhiqet duke kërkuar nga media ti respektohet sfera private. Kjo është gati e pamundshme, mbase personaliteti në fjalë veç kishte hyrë në sferën publike,nuk mund të kishte më kthim mbrapa!

Në rastin e shpifjeve ndaj Fahri Musliut, mediet kosovare mund të “arsyetohen” se ky ka qenë lajm i bërë publik më parë prandaj nuk mund të respektohej sfera private dhe ajo intime. Hyrja në sferën private nuk bëhet pa lejen e të apostrofuarit. Pra përjashtime bëjnë personalitet politike, nëse ka fakte të vërteta, dhe nëse ato nuk janë trillime, shpifje dhe nëse ka interes që t´i mësoj publiku ato. Gjithashtu redaksitë shqipe do kishin mundur ta botojnë lajmin por duke e potencuar se është trillim ose shpifje.

Shprehja e mendimit, ndarja mes sferës private dhe asaj publike

Shembulli tjetër; Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder, sa ishte në këtë post u kritikuar dhe u përqesh nga mediet nacionale se kishte ngjyrosur flokët. Z.Schröder paditi disa media dhe doli fitues. Vendimi i gjyqit ishte i prerë: flokët e kancelarit ishin çështje private e tij dhe nuk duhej t’iu interesonte gazetarëve.

Një tjetër politikan shpotitet në media se na qenka impotent; një tjetër akuzohet pse ka pasur tri martesa, një tjetër ankohet se media ka përshkruar në hollësi jetën e tij private në shtëpi etj. Nuk është aspak e vështirë të gjesh shembuj të tjerë të përputhjes midis sferës intime (e cila mbetet gjithmonë tabu), asaj private, sociale dhe publike. Megjithatë, ky definim i atribuohet sferës private nga e cila gazetarët shpesh mahniten. Kjo shprehje e vetëmbrojtjes u shërben “shpikëseve” dhe manipuluesve, kur duan ta rrisin tirazhin e gazetave, të bëjnë aktivitetet biznesi apo diçka të ngjashme.

Në këtë rast gjyqi do argumentojë se tërë ky inskenim ishte shpifje ndaj personave në fjalë. Po ashtu; Gazetarët dhe redaksitë që kanë botuar këtë shpifje do të mund të thonë se momenti kur kanë botuar artikullin ka qenë i tillë se kanë patur parasysh shprehjen e lirë duke interpretuar gabimisht të drejtën e shprehjes dhe mendimit duke kaluar kufijtë normal të dhënies së fakteve. Ushtrimi i këtyre të drejtave (nënkupto të drejtën e shprehjes) përmban detyrime dhe përgjegjësi! Nënshtrimi ndaj “disa formaliteteve, kushteve, kufizimeve, ose sanksioneve të parashikuara nga ligji” nuk janë të rrezikshme por duhet të përfillen për të penguar shpifen,prandaj kufizimet dhe ndalimi i tyre është i patjetërsueshëm.

Kush duhet ti mbroj të dëmtuarit?

Në praktika të tilla, qeveria serbe, ashtu si shteti i Kosovës duhet të marrë masa ta mbroj gazetarin e vet, ndërsa ajo e Serbisë kryeministrin, në dy rastet, e veçmas në rastin tonë, duke mbrojtur Fahriun mbron “sigurimin kombër” “sigurimin publik”, mbron rendin dhe parandalon urrjejtjen, ruan dinjitetin dhe virtytin njerëzor, ruan shëndetin dhe moralin e secilit qytetar, kjo nënkupton mbrojtjen e dinjitetit, të drejtave të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e informatave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor. Në këtë kuptim duhet të ketë një harmoni drejtpeshimi mes raporteve të të drejtave të ndryshme të garantuara nga këto akte, të drejta, që shpesh duhet të jenë në kollosion midis tyre,por në shoqëritë tona nuk janë.

Problemi i parë në raste të tilla në Kosovë, Serbi dhe Kroaci, kundër medies është barra e provës. Ndërsa redaksitë, do të ankohen se shtypi “nuk mund t’i vërtetojë dot të gjitha të vërtetat që publikon, pasi nuk është institucion akuze”!!! Pra gazetarët në gjithë botën ngrenë akuza dhe sjellin aq fakte sa kanë- absurde apo? Me siguri shteti(gjyqi) duhet të vërtetojë ose të hedhë poshtë akuzat, shpifjet dhe pastaj të dënojë gazetarët. Por, mungon gjithsesi guximi për të krijuar një traditë profesionale të gjykimit të shtypit, shpifjeve, akuzave dhe të thashethemeve në shtetet që përmendëm.

Vërtetësia dhe korrektësia e mendimeve dhe akuzave

Si janë gjykuar raste të tilla në Gjermani? Në mediet gjermane para disa vitesh u shkrua se princesha Carolinë do të martohet në fshatin e saj të lindjes. Pak më vonë u konfirmua se ky informacion ishte i pavërtetë. Në këtë rast kemi të bëjmë me fakte të shtrembëruara, pra fakte të pavërteta dhe shpërndarja e tyre është gjithmonë e dënueshme. Në dallim nga fakti, shpifja është më tepër trillim që nuk ka të përbashkët asgjë me të vërtetën. Më pas sërish, ” filloi “gjahu” dhe mediet raportuan lidhur me princeshën Carolinë nga Monako se është duke u angazhuar në luftën kundër tumorit në gji (fakt i vërtetë). Por një revistë e ilustruar arrin nga ky lajm në këtë konstatim të pavërtetë dhe shpifës; Princesha lëngon nga tumori dhe le të kuptohet se ky qenka motivi i angazhimit të saj kundër kancerit. Pra angazhimin e princeshës Carolinë e vë në lidhshmëri me vuajtjen e saj personale nga kjo sëmundje(Shih rasti më poshtë).

Një betejë të ngjashme e përjetoi edhe Franz Josef Strauss (politikan i spektrit CDU-Krist-demokristian i cili ushtroi postin si ministri i Bayern-it dhe ministër për çështje të veçanta në qeverinë e Konrad Adenauer-it ), i cili në kushte e rrethana tjera provoi se ishte me të vërtetë i cenuar “në nder dhe sedër” (kështu mendonte ai), ndërsa gazetarët mbrojtës të zanatit të tyre nuk u bënë fare merak pse e cilësuan Straussin si “një tip i dhunshëm prej demokrati”. Publicisti gjerman Herwalden i kaloi të gjitha limitet kur e quajti shkrimtarin dhe nobelistin gjerman Heinrich Böll (Boell) “Simpatizant i terrorizmit”, mendim të cilin Gjykata Kushtetuese gjermane (BverfG) e cilësoi cenim nderi dhe sjellje jonjerëzore ndaj veprës dhe personalitetit të shquar të Heinrich Böll-it.

Një gazetar tjetër gjerman kritikoi ministren për Çështje Sociale duke e quajtur atë si udhëheqëse e sientologjisë “kriminele”. Vendimi gjyqësor ishte në anën e gazetarit. Ndërsa për politikanin social-demokrat gjerman Manfred Stolpe, një gazetar, tjetër shkruan edhe këtë; ”turpërohem për faktin se qeverisem nga një njeri që ka punuar një kohë të gjatë me ‘Stas’-in” (policia sekrete e DDR-it, Republikës Demokratike të Gjermanisë Lindore).

Një shembull tjetër gati i njëjtë, me këtë të fundit ndodhi edhe me Renate Süssmuth, ish- kryeparlamentare e Bundestagut gjerman që vërteton se edhe në Gjermani ndodh nganjëherë që media ta shpallë fajtorin akoma pa e bërë këtë gjyqi. Në shtyp shkruhej se Sysmuth (Süsmuth) ka shfrytëzuar një mori fluturimesh me një aeroplan ushtarak, pa pagesë, për qëllime private. Këto akuza u përsëritën shumë ditë rresht. Më pas, u kërkua dorëheqja e saj dhe u emërua një komision që do ta hetonte rastin. Komisioni vërtetoi se asnjë nga fluturimet nuk ishin bërë me aeroplan ushtarak, për qëllime private, siç shkruante shtypi. Faktet me këtë rast ishin vërtetuar si konstatime të pavërteta, por nuk kishte shkas për dënimin e gazetarit.

Rasti i princeshës Carolinë nga Monako

Princesha Carolinë nga Monaco gjithmonë ka qenë objekt sulmi në revista dhe të ilustruarat gjermane. Tash së fundi(shih vendimin më 24 qershor 2004) princesha Carlolinë (me bashkëshortin e saj Ernst-August nga Hanoveri ishin fotografuar nga fotografët paparaci në parkun e tyre privat. Vendimi i gjyqeve gjermane i cili shkoj deri tek instancat më të larta tek ai i Gjykatës Kushtetuese, u jepte të drejtë revistave dhe shtypshkronjave gjermane se publiku kishte të drejt të informohej se si zbaviteshin pjesëtarët e kësaj familje, ndërsa Familja e Princeshës dhe bashkëshorti i saj vazhduan ankesat tek Gjykata e Strasburgut, e cila më 24 qershor 2004 ju dha të drejtë duke argumentuar se, jeta private e personave në fjalë nuk është temë që opinioni ka interes të di patjetër se si zbaviten ata. Me këtë rast princesha Carolinë fitoi si dëmshpërblim 115.000 Euro.

A duhet të raportohet për aktorin e droguar?

Gjyqi Evropian për të Drejtat e Njeriut (Europäischer Gerichtshof für Menschenrechte- EGMR) në vendimin e tij më 7 shkurt 2012 lejon raportimin rreth rastit në vijim. Një aktor gjerman kishte konsumuar drogë dhe mediet kishin raportuar lidhur me rastin në fjalë. Gjyqi argumentonte se kjo ngjarje përbënte interes për tu raportuar edhe pse mbeti tutje një pikëpamje kontroverse se a ishte vendim i drejtë apo jo?. Shtrohej pyetja, se a përbënte me të vërtetë kjo ngjarje një lajm me interes për publikun që ky i fundit duhej patjetër të mësonte se si jetonte një aktor i kombit?

Në secilin rast, tjetër duhet vendosur veç e veç; mbase secili lajm ka aktorë të ndryshëm dhe zhvillohet në rrethana të ndryshme. Ka disa faktorë që i bëjnë rrethanat komplekse për ti gjykuar; Me këtë rast duhet të pyesim; Cilat janë përmasat e personalitetit për të cilin bëhet fjalë, a ishte ky vetëm një njeri i zakonshëm, a përbën dallim nëse është gazetar, aktor apo kryeministër? Faktori tjetër është lloji i veprimit, i cili duhet të merret parasysh. Pastaj rrethanat se si erdhi deri te arrestimi i aktorit, mënyrën se si është krijuar lajmi, si ka rrjedhur dhe me çfarë metoda është sajuar ai? A ka qenë i fshehur apo legal´? A është vërtetuar vërtetësia e tij, pra ishte lajmi i vërtet apo ishte vetëm sajim, shpikje si në rastin e Fahriut?

Këtu duhet gjithashtu llogaritur deri në që masë ishin të ditura gjithë këto detaje? Duhet gjithsesi vërtetuar se a është një lajm i vërtet, shpifje (trillim)? Nëse thuhet se gazetat dhe portalet shqiptare e kanë botuar lajmin duke e huazuar nga mediet kroat dhe serbe kjo medoemos nuk mjafton për tu fshehur pas këtyre raportimeve. Gjyqi evropian për të drejtat e njeriut potencon decidivisht se edhe në këtë rast secila redaksi, secili gazetarë duhet të vendos vetvetiu, nuk mund t´i ik përgjegjësisë në rast të botimit. Redaksia (redaktori) vazhdimisht duhet të balancoj mes interesit të publikut dhe dëmit që shkaktohet për ruajtjen e privatësisë, të drejtës për tu paraqitur në media, personalitetit, mos përlyerjes së imazhin të një personit të caktuar në opinionin publik, ruajtjen e nderit, familjes dhe virtytit njerëzor për gjithë personat e përfshirë në ngjarjen e raportuar. Në rastin e Fahriut, ky i fundit, si paditës, duhet ti drejtohet Gjykatës Evropian për të Drejtat e Njeriut ose një instance tjetër, vetëm atëherë kur t´i ketë shfrytëzuar të gjitha mundësitë e kërkimit të drejtësisë në vendin ku jeton.

Për fund

Nëse themi se kodeksi gazetaresk na lejon shprehjen e mendimit të lirë, nuk duhet harruar se kundër mendimit të lirë nuk mund të mbrohesh, nëse nuk vjen në shprehje shpifja, cenimi i nderit apo konstatimi i pavërtetë (mbase shprehjen e mendimit të lirë, si të tillë, pra “korrektësinë” e mendimeve nuk mund ta vërtetojë asnjë gjyq!). Ndërsa faktet e shtrembëruara mbrohen me ligj, dëmshpërblim, demant, tërheqje e mendimit, apo me anë të pendesave publike etj.

Statuti ligjor i gjitha kodeve penale dhe statuseve e ligjeve të medieve i definon qartë dallimet mes fakteve dhe vlerësimeve apo mendimeve, kundrejt shpifjeve, fyerjeve. Përvojat e grumbulluara si dhe zbatimi i tyre në praktikë mund të japin një kornizë të përgjithshme për të përvijuar qëndrimin etik të gazetarëve në raste të tilla. Theksimi i kësaj pike nuk e hedh aspak poshtë qëllimin apo veprimtarinë etike të atyre gazetarëve që përqafojnë kundërshtinë ndaj aktorëve politikë ose atyre natyror, si përkufizim të rolit të tyre, në funksion të “Pushtetit të Katërt”. Vështirësitë e baraspeshimit të tyre kanë qenë dhe do të mbeten edhe për shtypin evropian me traditë, një sfidë ndaj pasaktësive dhe rreziqeve që transmetohen përmes fjalës së thënë./2L ONLINE/