Shpëtimi tek intelektualët e paprekur nga virusi kancerogjen i korrupsionit

/Zërat e shpresës për LDK-në/

Shkruan: Florim Zeqa

/2L ONLINE/ – Përderisa kërkesat për shkarkimin e kryeministrit Mustafa nga blloku opozitar janë krejtësisht të normale dhe të natyrshme për rrethanat e krijuara, zërat që dalin nga LDK-ja për shkarkimin e tij, më duken sa të shëndetshëm po aq të arsyeshëm, për faktin që kanë të bëjnë me ndryshimin substancial në politikbërjen e vendit, e në veqanti për riparimin e dëmëve që i shkaktoi lideri Mustafa kësaj partie me sjelljen e tij diktatoriale në kuvendin e VIII-të zgjedhor,…duke i ulur imazhin partisë shtetformuese me ngulfatjen e frymës rugoviane dhe injorimin e vlerave demokratike në LDK.

Zërat për shkarkimin e “kryministrit” Mustafa mbrenda LDK-së, janë zëra ogurmirë, të shëndosh, të sinqertë që mbjellin shpresë për ndryshime pozitive në vendin tonë, zëra këta, që paralajmërojnë agimin e një dite të re për LDK-në e katandisur nga grupet e interesit.

Nëse analizojmë atë çfarë ka ndodhur në vendin tonë pas zgjedhjeve të 8 qershorit të vitit të kaluar e deri në ditët e sotme, atëherë me plotë të drejtë përgjegjësia politike adresohet vetëm ndaj kryeminstrit aktual, ngase Isa Mustafa është gjeneratori kryesor i të gjitha këqijave në vend; bllokadave politike, ekzodit masiv të të rinjëve e deri tek kriza e fundit institucionale në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Mirëpo pasojat e ditëve të sotme, si bie fjala; korrupsioni, krimi i organizuar, haraçi, degradimi i sistemit të drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, kulturës e deri tek sistemi energjetik i vendit, për më tepër janë të lidhura me keqqeverisjen shtatvjeqare të PDK-së se sa me qeverisjen kukull të LDK-së.

Përderisa është kështu, atëherë opozita duhet të tregohet më e përgjegjshme në kërkesat e saja, duke e ngarkuar me përgjegjësi të njëjtë politike edhe nënshkruesin e marrveshjes së 19 prillit 2013, zv. kryeministrin e parë të qeverisë, apo siq po i thonë ndryshe mbështetësit e tij, kryediplomatin Hashim Thaçi, i cili na e solli “Zajednicën” nga Brukseli në Kosovë.

Krahas zërave për ndryshime pozitive, ndëgjojmë edhe klidhje ogurzeza mbrenda LDK-së për vazhdimin e së keqës, mbrojtjen e së keqës së madhe me emrin Isa Mustafa !

Isa Mustafa me sejmenët e tij, grupet dhe klanet e interesit të akomoduar në pushtetin aktual janë të gatshëm të rrënojnë çdo gjë dhe çdo vlerë që u del përpara, madje edhe shtetin për të mbrojtur kolltuqet e ngrohta dhe privilegjet e pushtetit !

Të paudhët e LDK-së, për t’u “mbrojtur” nga kërkesat për ndryshime, kanë gjetur formën e mbrojtjes përmes propagandave të stilit titist; “Isa Mustafa ia ka anuluar shumë vendime Hashim Thaçit, andaj mos të ngutemi se krejt gjerat do bien në vendin e vet, aty ku kan qenë,…andaj tani të gjithë pa hezitim duhet ta mbështesim kryeministrin Isa Mustafa” !

Ah, sa do të ishte fat për LDK-në dhe mirë për vendin, sikur “Akademik” Isa Mustafa të ishte i tillë, sikur të ishte i përmasave të Rektorit Ramadan Zejnullahu, sikur ta kishte integritetit e pastër moral, sikur ta kishte ndërgjegjën dhe sinqeritetin, vullnetin dhe guximin për t’u përballur së paku me fjalët dhe premtimet e dhëna elektoratit rugovian.

Le të dali dikush që e dëshmon vetëm një rast kur Isa Mustafa e ka anuluar një vendim të vetëm, apo që e ka penguar ndonjë veprim të Hashim Thaçit në këto tetë vjetët e fundit,…përkundrazi e ka ndidhmuar në të gjitha veprimet, edhe atëherë kur LDK-ja ishte në opozitë. Sa për ilustrim po i përmendi vetëm disa; marrveshjen për presidenten nga zarfi, përmes të cilës e mbajti Thaçin në pushtet, mbështetja për miratimin e marrveshjes së Thaçit me Daçiqin, të 19 prillit 2013, ligjit për amnistimin e kriminelëve serb, ligjin për demarkacionin, ligjin për trashëgimin kulturore (serbe), etj,…të gjitha këto të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, PDK-ja e Hashim Thaçit ia arriti qëllimit duke përmbushur misionin e saj historik; përmes Isa Mustafës dhe servilëve të tij, arriti ta shkatërrojë në masë të madhe LDK-në rugoviane , e cila tashmë e ka të humbur busollën orientuese, duke rrëshqitur në prehërin e PDK-së.

Në rrethanat e krijuara, kurdo që të mbahen zgjedhjet, LDK-ja rrezikon do të pësojë debakël, madje të përballet me pragun zgjedhor të 5 %-it,…e krejt kjo falë lakmisë për pushtet të liderit të tyre dhe disa shkurtpamësve, servilëve, puthadorëve dhe mjeranëve të LDK-së.

Në zgjedhjet e ardhshme, kur do që të mbahen ato, LDK-ja nuk do të mund ta luajë më rolin e viktimës si më parë, duke e drejtuar gishtin në drejtim të SHIK-ut dhe PDK-së, ngase tani është e ulur këmbëkryq në sofren e tyre,…ata që deri dje bashkëpunonin fshehurazi me kundërshtarët e frymës rugoviane, tashmë po veprojnë ashiqare dhe pa ju skuqur fytyra fare!

Është e shëndetshme për LDK-në, që ju çjerrën maskat atyre që në njërën anë deklaroheshin kundër keqqeverisjes, kundër kapjes së shtetit, ndërsa në tjetrën pranuan të bëhen pjesë e saj, qoftë edhe me prezencën fizike në kampin pozitar në kuvend,…sikurse që ju çjerrën maskat edhe atyre që thirreshin për ndryshime në LDK, ndërsa tani qendrojnë në heshtje të rreshtuar pas veprimeve antidemokratike një lideri diktatorial.

Nisur nga logjika e thjeshtë, ata që nuk kanë investuar në ndërtimin (themelimin e LDK-së) e shtëpisë, nuk kanë si të jenë mbrojtësit e saj,…sikurse që nuk ishin asnjëherë kultivues të frymës rugoviane, por vetëm shkatërrues të saj, siq ndodhi në Kuvendin e VIII-të zgjedhor të 31 majit 2015, kur lideri diktaorial me sejmenët e tij vepruan në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe parimet demokratike, duke ngulfatur frymën rugoviane, shprehjen e vullnetit të lirë, duke i lënë prapa dyerëve të kuvendit zgjedhor dy degët më të fuqishme të LDK-së në Diasporë (Zvicër dhe Gjermani).

Për fat të mirë, tashmë elektorati ka filluar ta kuptojë misionin e Isa Mustafës, madje edhe disa nga mbështetësit e deridjeshëm të tij,…se ai kishte ardhur në krye të LDK-së me mision për ta shkatërruar dhe varrosur përfundimisht filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës.

Andaj qendrimi i mëtutjeshëm i Isa Mustafës në kreun e LDK-së, paraqet fyerje të rëndë për elektoratin rugovian,…përeqse kërcënon me ndarje të re, rrezikon shpërbërjen totale të LDK-së. Sikurse qendrimi i Isa Mustafës në krye të LDK-së që e rrezikon të ardhmën e këtij subjekti politik, ashtu edhe bashkeqeverisja e LDK-së me uzurpatorët e shtetit e rrezikon të ardhmën e vendit, i zgjatë jetën krimit dhe korrupsionit, rritë varfërinë dhe mjerimin social në vend.

Shpëtimi i LDK-së, mbetët vetëm tek intelektualët e paprekur nga virusi kancerogjen i korrupsionit dhe krimit të organizuar, që nuk kanë bashkëpunuar asnjëherë me strukturat e SHIK-ut, UDB-së apo organizatave tjera antishqiptare, tek gjeneratat e reja të botës akademike dhe shkencore, tek analistët dhe gazetarët e pastër (jo lakmiqar të pushteteve), aktivist dhe veprimtar që i kanë shërbyer LDK-së me devotshmëri dhe besnikëri, pa u ndalur për asnjë moment për një çerekshekulli rresht. /2L ONLINE/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE