Sindikata e Bashkësisë Islame të Kosovës përmes një Deklarate për opinion ka shprehur keqardhje dhe indinjatë të thellë për kërcënimin e fundit, të shkaktuar ndaj imamit shumëvjeçar të BIK-së, Mulla Osman Musliut, i cili para dy ditësh, në formën dhe me gjestikulimet më të vrazhda të mundshme u kërcënua nga një grup i pandërgjegjshëm, i të ashtuquajturve“selefi”, në ambientet e xhamisë në Klinë.
Forma dhe mënyra e tillë kërcënuese në ambiente të kultit, e cila më së paku i përket dhe i ngjason një njeriu të devotshëm të fesë, është tejet brengosëse dhe shqetësuese, jo vetëm për imamin Musliu, por edhe për të gjithë besimtarët myslimanë dhe gjithë shoqërinë tonë mbarë. Për ne po ashtu aq sa ishte brengosës ky incident, aq edhe më shumë ishte brengosëse heshtja dhe vështrimi nga distanca e kreut puçist të BIK-së, i cili jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste tjera ka heshtur dhe ka qëndruar indiferent ndaj shantazheve, kërcënimeve dhe sulmeve fizike të njëpasnjëshme, të cilat u janë bërë dhe po u bëhen punonjësve të ndërgjegjshëm shumëvjeçar të BIK-së, gjatë gjithë këtyre viteve të fundit, transmeton RTK
Një heshtje e tillë ndodhi edhe para jo më shumë se dy javëve, kur imami i xhamisë kryesore në qytetin e Vushtrrisë, Mulla Bedriu u kërcënua po ashtu nga gupe të tilla, të cilat qartë duket se skajshmërisht e kanë humbur arsyen dhe kanë devijuar thellë nga parimet fetare dhe kombëtare të vendit tonë.
Lusim të gjithë qytetarët dhe institucionet e vendit, që të distancohen rreptësisht nga veprimet e tilla , sepse adresa dhe intenca e tyre o sot o kurrë ka dalë në shesh se nuk është as islame e as shqiptare, përfundon Deklarata e Kryesisë së Sindikatës së Bashkësisë Islame të Kosovës, e nënshkruar nga kryetari i saj, Idriz Bilalli.