Shpeshtimi i vjedhjeve dhe plaçkitjeve të armatosura

Shpeshtimi i vjedhjeve dhe plaçkitjeve të armatosura

Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të skenave, që më herët mund ti shihnim vetëm në filmat aksion, me protagonistë kryesor hajna dhe policë që viheshin në ndjekje të tyre.

Si kemi ardhur në këtë pikë?!

 Shkruan: Bekim Thaqi               –                 2LONLINE.com 

Shkaqet janë të shumta duke filluar nga pasiguria ekonomike që ka një shtresë e madhe e popullatës, e deri tek mosfunksionimi adekuat i organeve të sigurisë dhe drejtësisë dhe vullneti jo i mjaftueshëm që kanë këta dy sektorë të merren me raste të tilla.

Disa nga faktorët dhe shtytësit më të mëdhenj të atyre që zgjedhin rrugën e krimit janë: situata ekonomike, ideja se mund t’ia dalin dhe se policia dhe prokuroria nuk munden me i vu para drejtësisë, edhe atëherë kur vihen para drejtësisë dënimet simbolike apo shpeshherë edhe lirimi pas një ose dy vitësh i plaçkitësve të armatosur, njohuritë se shumica e bankave dhe lokaleve tjera kanë sigurim të paarmatosur dhe trajnime joadekuate (mos te përmendim këtu edhe rrogat simbolike) etj.

Trajnimet dhe pajisjet joadekuate të policisë për tu marrë me raste të tilla, edhe atëherë kur ndeshen direkt me kryerësit e veprave të tilla, janë një çështje tjetër brengosëse pasi një patrollë e policisë pa armë të gjata normalisht se heziton të merret me kriminelët.

Planet operative për mbulimin sidomos të pikave bankare dhe qendrave tregtare të mëdha, janë të mangëta në aspektin teknik pasi shpeshherë një patrollë policie shkon deri në dy orë ose më shumë e nuk kalon afër pikave të përmendura( rasti i mbrëmshëm ku plaçkitësit me tritol thyejnë bankën dhe kanë kohë të mjaftueshme të ikin bashkë me ” gjahun”).

Këto situata do të mund të zgjidheshin shumë lehtë me bashkëpunimin e efektshëm polici, prokurori/gjykatë dhe sigurimin privat që kanë bankat dhe lokalet e ndryshme. Lejimi i bartjes së armëve nga sigurimi në një perimetër të caktuar rrethe objekteve ku ruajnë do të ishte më se i nevojshëm.

Normalisht edhe rritja e dënimeve për kryerësit e veprave të tilla dhe zbatimi i ligjit pa ndikime anësore do të ishin suksesi më i madh në këtë betejë, të cilën fatkeqësisht organet e sigurisë dhe prokuroria janë ka e humbin momentalisht.

Nevojitet plan, rikuperim të forcave dhe bashkërenditje të veprimeve nga sektorë të ndryshëm të sigurisë dhe drejtësisë për ta fituar luftën kundër krimit të tillë. /2LONLINE.com/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE