(2L ONLINE) – Avdyl Aliu, shefi Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në asamblenë komunale të Gjilanit ka prezantuar të shtunën iniciativën për të shpallë qytetar nderi të Gjilanit futbollistin nga Zhegra e Gjilanit Xherdan Shaqiri , lojtarin e Bajernit përkatësisht të kombëtares zvicerane. Njëherësh ai ka treguar edhe arsyen për t’u ndërmarrë një iniciativë e tillë.
Aliu, që njëherësh është edhe kryetar i Komisionit për konstituimin e Këshillave të fshatit, me rastin e konstituimit të një të tille në Zhegër të Gjilanit kishte propozuar që Shaqiri të bëhet anëtar nderi i këtij këshillit gjë që ishte miratuar. Ai ka bërë të ditur se edhe kreut të komunës i ka pëlqyer kjo, duke thënë se është nderuar Zhegra me këtë rast. Dhe këtu ka lind ideja që të nderohet edhe Gjilani duke u shpall Xherdan Shaqiri qytetar nderi, andaj këtu e ka zanafillën kjo iniciativë.
Aliu ka bërë me dije se si shef i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së ia ka përcjellur këtë iniciativë shefave të grupeve si dhe kolegëve këshilltarët dhe nga 35 këshilltarë sa ka Kuvendi Komunal i Gjilanit këtë iniciativë nuk e kanë nënshkruar vetëm 8 këshilltarë, një serb i cili nuk ka qenë prezencë në seancë kur ky i ka njoftuar kolegët e tij,
si dhe shtatë këshilltarë të PDK-së të cilët, siç thotë Aliu, kanë thënë se i duhet qëndrim partiak për këtë çështje.
Përndryshe, më pas Aliu ka përmendur edhe arsyet pse e meriton dhe është nderë edhe për Gjilanit ta ketë qytetar nderi futbollistin Xherdan Shaqirin.
Shaqiri ka lindur me 10.10,1991, në Zhegër të Gjilanit. Si 16 vjeçar ka filluar të luaj në Basel të Zvicrës. Aktualisht luan në skuadrën Bajern të Munihut dhe në përfaqësuesen zvicerane.
Është mesfushor i krahut të djathtë, ndërsa luan nganjëherë edhe në krahun e majtë dhe si mesfushor sulmues. Është fitues i shumë trofeve me Baselin dhe Bajernin.
Po ashtu Xherdan Shaqiri është futur në mesin e yjeve që shkëlqyen në kampionatin Botëror Brazili 2014. Në bazë të disa anketave ai ishte pjesë e ekipit më të mirë së bashku me Messin e Neymar-in e disa yje të tjerë. Ai në këtë kampionat ka shënuar edhe gola, disa edhe supergola.
Sukseset e Xherdanit duhet të shërbejnë si model dhe si standard për të gjithë sportistët shqiptar kudo që janë nëpër botë, sidomos për ata të sportit të popullarizuar –futbollit.
Me shpalosjen e flamurit të Kosovës në finalen e Ligës së kampionëve para miliona njerëz Xherdani i tregoi botës se përveç që di të luaj futboll ai di të ushtrojë edhe profesionin e avokatit dhe të ambasadorit më të mirë të Kosovës.
Ju kujtohet që gjatë gjithë kohës së festës së Bajernit pas shpalljes kampion i Evropës, Xherdani në supet e tija mbante flamurin e Kosovës e të Zvicrës Kjo ka pas jehonë të madhe jo vetëm për nga sportive.
Përndryshe, pritet tani që për këtë iniciativë të merret një vendim dhe në një të ardhme të afërt edhe të bëhet shpallja e Xherdan Shaqirit qytetar nderi i Gjilanit. /2L ONLINE/