Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) Riza Halimi përmes një deklarate të shkruar ka vënë në pahë “lojrat” diskriminuese shtetërore me tendencë përcarjen e spektrit politik shqiptarë të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.
Shpallja e zgjedhjeve për këshillat kombëtare të pakicave nacionale në Serbi sipas kryetarit të PVD-së përsëri po riaktualizojnë përçarjet e spektrit politik të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, të cilat po rriten eksponencialisht me ngritjen e shkallës së diskriminimit shtetërorë ndaj popullatës shqiptare në këtë rajon.
Halimi, shprehet se edhe kur kanë kaluar më shumë se 13 vite nga fillimi i zbatimit të programit të qeverisë serbe për zgjidhjen e krizës në Luginë të Preshevës, të përkrahur edhe nga faktori ndërkombëtar, edhe sot vazhdon diskriminimi shtetëror ndaj shqiptarëve të këtyre trojeve.
“Pos realizimit të pjesëmarrjes adekuate të Shqiptarëve në pushtetin lokal të Bujanocit dhe rritjes së pjesëmarrjes së Shqiptarëve në policinë lokale por ende jo në nivel proporcional, pjesëmarrja e Shqiptarëve në strukturat publike dhe shtetërore është vetëm simbolike!”, shprehet kryetari i PVD-së, njëherit deputet në Parlamentin e Serbisë.
Amnistia për ish ushtarët e UÇPMB-së sipas Riza Halimit, në pjesën më të madhe nuk u rrespektua, sepse në shumë raste me përdorim të dhunës masive shtetërore pa asnjë bazë ligjore u burgosën, u bastisën shtëpitë e tyre, u keqtrajtuan rëndë ata dhe familjarët e tyre për të krijuar në këtë mënyrë atmosferë të pasigurisë, që ndikoi në largimin masiv të tyre nga Lugina e Preshevës.
Gjithashtu nuk u plotësua as obligimi i qeverisë serbe për krijimin e kushteve për kthimin e të “shpërngulurve intern” si ishin kualifikuar zyrtarisht Shqiptarët e dëbuar nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja gjatë gjendjes së luftës dhe gjendjes së jashtëzakonshme në periudhën mars 1999 – maj 2001.
“Pikërisht mosgadishmëria e qeverisë serbe për të ofruar zgjidhje për problemet e regjistrimit të Shqiptarëve të dëbuar gjatë luftës si dhe azilkërkuesve, por edhe të Shqiptarëve juridikisht të padukshëm ishin arsyet kryesore të bojkotit të regjistrimit të popullatës në vitin 2001”, nënvizon zyrtari i lartë i PVD-së.
Krejt në fund kryetari i Partisë së parë shqiptare në Luginë shtron pyetjen se a duhet patjetër subjektet politike që aprovuan Platformën politike të vitit 2006 me të cilën u kërkua autonomi dhe reciprocitet me të drejtat e Serbëve në veri të Kosovës, të garojnë për tu zhytur në baltën e diskriminimit flagrant që po e imponon qeveria serbe.
“Mendoj se është momenti që me unitet praktik të gjitha subjektet politike t’i bashkangjiten kërkesave të Këshillit Nacional të Shqiptarëve dhe deputetëve drejtuar qeverisë serbe dhe ambasadorëve në Beograd, por edhe institucioneve evropiane në Bruksel dhe Strazburg, për ta eliminuar manipulimin dhe diskriminimin shtetërorë me zvogëlimin drastik të numrit të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe në Serbi”, përfundon kryetari Riza Halimi./Titulli.com/
http://titulli.com/index.php?m=post&s=4161