DYLON

Shpallja e interesit publik dhe caktimi i lokacionit për deponinë e mbeturinave inerte kërkojnë studime dhe bazë të fortë ligjore

Shpallja e interesit publik dhe caktimi i lokacionit për deponinë e mbeturinave inerte kërkojnë studime dhe bazë të fortë ligjore
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Bashkim Isufi

Vendimi për shpalljen e interesit të ligjshëm publik dhe përcaktimin e lokacionit për deponinë e mbeturinave inerte në fshatin Malishevë duhet të bazohet në studime të mirëfillta teknike dhe mjedisore, duke garantuar përputhshmëri të plotë me kriteret ligjore dhe procedurat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

EkoHigjiena

Çështja e deponive të mbeturinave në Republikën e Kosovës rregullohet në mënyrë të drejtpërdrejtë me ligj dhe akte nënligjore. Në nenin 23, paragrafi 2 të Ligjit Nr. 08/L-071 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-060 për Mbeturina, është percaktuar se nga  Ministria me akt nënligjor, do të përcakton kriteret për zgjedhjen e lokacionit te deponive, si dhe kushtet teknike të cilat ato duhet plotësuar në varshmëri të destinimit të tyre.

Udhëzimin Administrativ MMPHI Nr. 03/2024 për kriteret e zgjedhjes së lokacionit të deponive dhe kushtet teknike sipas destinimit të tyre, përcakton qartë kushtet dhe kriteret që duhet të plotësohen për përzgjedhjen dhe caktimin e lokacionit të deponive të mbeturinave.

Gjithashtu, neni 4 i Udhëzimit Administrativ MMPHI Nr. 03/2024 përcakton se deponia duhet të ndërtohet me kohëzgjatje përdorimi prej së paku dhjetë (10) vite, si kusht i domosdoshëm për marrjen e Pëlqimit Mjedisor dhe realizimin e projektit. Nga përmbajtja e vendimit nuk rezulton të jetë trajtuar apo vlerësuar ky kriter, duke mbetur e paqartë nëse projekti i propozuar i plotëson kushtet minimale të qëndrueshmërisë dhe funksionalitetit të kërkuara me legjislacionin në fuqi.

Po ashtu, sipas neneve 5 dhe 6 të Udhëzimit Administrativ MMPHI Nr. 03/2024, përzgjedhja e lokacionit për deponi duhet të mbështetet në raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), si dhe në hulumtime dhe analiza profesionale që përfshijnë vlerësimin e karakteristikave gjeologjike dhe hidro-gjeologjike të zonës. Këto hulumtime duhet të përmbajnë, ndër të tjera, hartën e lokacionit të propozuar, përshkrimin e zonave të banuara dhe objekteve afariste në afërsi, identifikimin e puseve dhe rrjetit të ujësjellësit, evidentimin e objekteve të mbrojtura, skemën e transportimit të mbeturinave, si dhe hulumtimet topografike dhe karakteristikat fizike të sipërfaqes së planifikuar për deponi.

Nga përmbajtja e vendimit nuk rezulton se këto hulumtime dhe analiza janë dokumentuar ose se i janë bashkëngjitur procesit të vendimmarrjes. Në mungesë të të dhënave që dëshmojnë kryerjen e këtyre hulumtimeve dhe analizave, mbetet e paqartë nëse lokacioni i propozuar është vlerësuar në përputhje me kërkesat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

Po ashtu, neni 8 paragrafi 1.9.1 i këtij udhëzimi përcakton se deponitë duhet të ndërtohen së paku 2000 metra larg nga burimet e ujit të pijshëm. Kjo kërkesë përbën një nga kriteret themelore për caktimin e lokacionit, me qëllim të mbrojtjes së burimeve ujore dhe parandalimit të çdo rreziku potencial për ndotjen e ujërave të destinuara për konsum njerëzor. Për rrjedhojë, identifikimi, verifikimi dhe mbrojtja e burimeve të ujit të pijshëm paraqesin elemente thelbësore të procesit të vlerësimit dhe përzgjedhjes së lokacionit për deponi.

Për më tepër, në pikën 3 të Propozim të Kryetarit të Komunës, drejtuar Kuvendit Komunal për miratimin e shpalljes së interesit të ligjshëm publik për parcelën nr. 2754-1, Zona Kadastrale Malishevë, thuhet se: “Për identifikimin e lokacionit janë angazhuar zyrtarët nga Sektori i Planifikimit në bashkëpunim me Zyrtarin për Mjedis nga Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit. Sipas këtij ekipi lokacioni i cili gjendet në parcelën e përshkruar më lartë është më I përshtatshëm për arsye të distances, infrastrukturës rrugore, pozitës gjeografike dhe çështjeve mjedisore”. 

Njëherit, Iniciativa e Kryetarit të Komunës për shpalljen e interesit publik dhe caktimin e lokacionit është e papranueshme, duke pasur parasyshe edhe faktin se e njejta nuk është e bazuar dhe e harmonizuar me dokumentacionin e planifikimit hapësinor në fuqi, përfshirë Planin Zhvillimor Komunal, pasi çdo vendimmarrje mbi përdorimin e territorit të komunës, duhet të jetë në përputhje të plotë me dokumentet e planifikimit hapësinor.

Sipas Ligjit Nr. 04/L-174 për Planifikim Hapësinor, caktimi i destinimit dhe lokacionit të projekteve publike është i kushtëzuar nga respektimi i planifikimit hapësinor, ndërsa çdo devijim nga këto plane mund të bëhet vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe përmes procedurave të përcaktuara ligjore. 

Një çështje tjetër që meriton vëmendje është përmbajtja e pikës 4 të vendimit, sipas së cilës, pas hartimit të projektit në bazë të Planit Lokal për Menaxhimin e Mbeturinave Inerte, do të definohet sipërfaqja e nevojshme për këtë destinacion dhe do të përgatitet Elaborati i Shpronësimit. Kjo dispozitë krijon përshtypjen se një pjesë e dokumentacionit teknik dhe planifikues, i nevojshëm për realizimin e projektit, do të hartohet vetëm pas shpalljes së interesit publik dhe caktimit të lokacionit. Megjithatë, neni 6 i Udhëzimit Administrativ MMPHI Nr. 03/2024 kërkon që hulumtimi për lokacionin e propozuar të përshkruhet në Raportin e VNM-së dhe të përmbajë, ndër të tjera, hartën e lokacionit të propozuar duke përfshirë sipërfaqen e përgjithshme për ndërtimin e deponisë.

Ndërsa sa i përket qështjes së shpronësimit, Ligji Nr. 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, ligji përcakton qartë se shpronësimi mund të ushtrohet vetëm ndaj të drejtave private mbi pronën e paluajtshme. Kjo nënkupton se procedura e shpronësimit nuk mund të zbatohet për prona publike, komunale apo shtetërore, por vetëm për prona që janë në pronësi private dhe që preken drejtpërdrejt nga realizimi i një qëllimi publik të përcaktuar me ligj.

Një nga kushtet themelore për lejimin e shpronësimit është që ai të ndërlidhet në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë me realizimin e një qëllimi publik. Në rastin e komunave, ligji parashikon se shpronësimi mund të bëhet për zbatimin e një plani urbanistik dhe/ose hapësinor të miratuar dhe shpallur në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Për rrjedhojë, shpallja e interesit publik dhe zhvillimi i procedurës së shpronësimit për caktimin e lokacionit të deponisë së mbeturinave inerte mund të mbështeten vetëm nëse ekziston një plan urbanistik ose hapësinor i miratuar ligjërisht, i cili e parasheh një destinim të tillë të hapësirës, si dhe nëse procedura zhvillohet nga organi kompetent shpronësues, përkatësisht Kryetari i Komunës ose autoriteti tjetër i autorizuar me ligj, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme.

Për më tepër, procedura e shpronësimit, sipas natyrës së saj juridike, ka për objekt vetëm pronën private dhe të drejtat private mbi pronën e paluajtshme, të përcaktuara dhe të mbrojtura me ligj. Duke qenë se në propozim-vendim parcela nr. 2754-1 evidentohet si pronë shoqërore në emër të P.Sh. Kombinati i Drurit, Reparti i Pyjeve, Ferizaj, lind nevoja për sqarimin e bazës juridike mbi të cilën parashihet zhvillimi i procedurës së shpronësimit për këtë parcelë, si dhe për verifikimin nëse mekanizmi i propozuar është në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në përfundim, konstatohet se procesi i shpalljes së interesit publik dhe caktimit të lokacionit për deponinë e mbeturinave inerte nuk mbështetet në mënyrë të plotë në dokumentacionin dhe kriteret e përcaktuara me legjislacionin në fuqi, veçanërisht në raport me Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM), hulumtimet teknike dhe planifikimin hapësinor. Si i tillë, procesi paraqet mangësi thelbësore procedurale dhe materiale dhe kërkon plotësim dhe rivlerësim para vazhdimit të mëtejmë të procedurave. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.