Shpallen fituesit e ushtrimit fushor “Shqiponja Patrulluse-17”

Shpallen fituesit e ushtrimit fushor “Shqiponja Patrulluse-17”

Sot në ambientet e kazermës “Adem Jashari” të Komandës së Forcave Tokësore (KFT) të FSK-së, u mbajt ceremonia e shpalljes së fituesve të garës të FSK-së, në ushtrimin “Shqiponja Patrulluse-17” të mbajtur me urdhër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, “me qellim të sfidimit dhe kalitjes fizike për realizmin e misionit që ka FSK-ja”.

Fituesit e garës të ushtrimit “Shqiponjat Patrulluese-17” janë: Komanda e Forcave Tokësore me ushtrues skuadre, nëntoger Arsim Dreshaj, e cila zuri vendin e parë. Në vendin e dytë u rendit, Batalioni i Dytë i BRSH-së, me udhëheqës skuadre, nëntoger Gentrit Idrizi, kurse vendin e tretë e zuri Batalioni i Tretë, me udhëheqës skuadre, nëntoger Drilon Hasani.

Në ceremoninë e certifikimit merrnin pjesë: ministri i MFSK-së, zotëri Rrustem Berisha, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcës Tokësore, gjeneral brigade Gëzim Hazrrolli, përfaqësues të NALT-it, (Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s, për FSK-në), Mark Theobald, kolonel Xhevahir Geci, ushtrues i detyrës së komandantit të Brigadës për Reagim të Shpejtë, ushtruesi i detyrës së komandantit të Brigadës për Mbështetje Operacionale, kolonel Avdi Rraci, këshilltari ushtarak i komandantit të FSK–së, nënkolonel Gregor Lindsay, shefi i Shtabit të KFT-së, kolonel Naim Haziri, shefi i Kabinetit të ministrit, z. Jashar Ramadani, komandantët e njësive të FSK-së, si dhe oficerë të tjerë të FSK-së.

Me këtë rast, ministri i MFSK-së, z. Rrustem Berisha, pasi përgëzoi ushtarët dhe stafin udhëheqës të FSK-së, për realizimin e ushtrimit; Shqiponja patrulluese 17, pos tjerash tha: “Është me rëndësi që brenda FSK-së, duhet të vazhdojmë të kemi një frymë garuese, me qellim të ngritjes të sukseseve tona, drejtë realizimit të misionit që kemi”. Ministri Berisha në fund i përgëzoi të gjithë pjesëtarët e FSK-së. “Prandaj, ju përgëzoj për sukseset që keni arritur. Urojë që në të ardhmen në organizime të tilla garuese të marrin pjesë edhe shtete e rajonit. Jam informuar për sukseset e më hershme në garat e ngjashme që keni pasur në vitin 2015 në Angli. Është më shumë rëndësi që kurë marrim pjesë në angazhimet jashtë vendit, që t’i marrim modelet e suksesshme, që njohuritë e fituara jashtë vendit t’i bartim te personeli dhe stafi ynë’’.

Po ashtu ministra Berisha ka vlerësuar lartë punën e instruktorëve nga Anglia dhe Kanadaja si në aspektet e planifikimit dhe organizimit të kësaj gare.

Ndërsa zëvendëskomandanti i KFT-së, gjenerali Gëzim Hazrolli në fjalën e tij, tha: ”Ndihem krenar me rezultatet e arritura gjatë kësaj gare. Organizimi i garës është bërë sipas modelit Britanik të “Cambrian Patrol”, me qellim që të zhvillohet dhe të ndërtohet një traditë, ku do të marrin pjesë edhe partnerë tanë.

Gjithashtu, gjeneral Gëzim Harolli, për këto arritje falënderoi instruktorët britanikë dhe ata të Kanadasë. “Falënderoj instruktorët nga Britania dhe Kanadaja si për planifikimin dhe organizimin e garës. Po ashtu dua të falënderoj të gjithë oficerët dhe pjesëtarët që kanë kontribuar në realizimin me sukses të kësaj gare. Po ndihem krenar me nivelin e moralit dhe angazhimit tuaj, në realizimin e detyrave. Urime dhe suksese tjera“, e përmbylli fjalën e tij gjeneral Hazrolli.

Kurse kapiteni Vegim Krelani, komandant i garës, tha: “Garuesit janë sfiduar të përballojnë të papriturat dhe të ndihmojnë shokun e skuadrës, me aftësinë për të përballur vetën si në situata fizike ashtu dhe psikike. Ju jeni sfiduar të merrni vendime në situata kurë keni qenë të lodhur dhe të uritur. Dhe ju me sukses i keni kaluar të gjitha sfidat”.

Stërvitjet përgatitore për ushtrimin garues “Shqiponja fluturuese 17” janë zhvilluar në çdo njësi madhore të FSK-së, për gjashtë muaj. Ndërsa për garën finale janë kualifikuar tetë skuadra me nga 72 pjesëtarë, të cilët kanë vazhduar aktivitetet ditën dhe natën, deri sa kanë përfunduar skenarin e ushtrimit, kur edhe u shpallën fituesit e garës.

Zëvendëskomandanti KFT-së, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, ekipit trajnues nga Britania e Madhe dhe Kanadaja u dha Mirënjohje, për mbështetjen profesionale të FSK-së, në garën “Shqiponja Patrulluese 17”.
Ushtrimi “Shqiponja Patrulluese 17” për herë të parë u planifikua dhe u realizua nga pjesëtarët e FSK-së, dhe është modeli më i avancuar i ushtrimeve të këtij lloji.

Kjo garë këtë vit organizohet për herë të parë nga oficerët dhe nënoficerët e FSK-së, sipas modelit të ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe parashihet të jetë garë tradicionale vjetore, ku do të ftohen edhe ushtarak të ushtrive të shteteve tjera të rajonit.

KOMENTE