(2L ONLINE) -Shteti funksional bëhet i tillë vetëm nëse ka një administratë dhe institucione funksionale e të pa korruptuara; pra kjo i bie që shteti duhet të ketë burokratë (zyrtarë) ose punonjës të mirëfilltë. Në rastet tjera sistemi çalon, institucionet humbin autonominë. Në këto dispozita (burokrati) nuk mund të dal nga rrethi viskoz tradicionalist.
Shkruan: Mr. Zejnullah JAKUPI
Burokrati tipik nuk njeh preferenca individuale që nxisin veprime subjektive kundër vijës institucionale. “Burokratët” mediokër zëvendësojnë autoritetin me bajraktarizëm. Në këtë rast, rritet pushteti diktatorial, rritet dhuna fizike, shtohet mashtrimi dhe krimi ekonomik. Madje, nëse sipërfaqësisht, në diskursin publik, aludohet për “administratë profesionale”: institucionet janë skajshmërisht të pavarur nga subjekti individual nga partitë politike dhe grupet e interesit. Ato si pushtet më vete, nuk mund ta ruajnë pavarësinë e tyre. Rast tipik paraqesin këtu, mediet. Ato duhet t´i bëjnë kritikën pushtetit, proceseve të deformuara shoqërore. Por realiteti din të jetë shpesh, ndryshe: Media, ashtu si pushtetet tjera, mbeten të zëna ngërç, shpesh ushtrojnë kompetenca të ngatërruara dhe bëhen instrument i pushtetit, i tekeve personale dhe grupeve të interesit.
Ideja e pavarësisë në profesion
Kjo duhet të vlej për të gjitha nënsistemet; në administratë, në politikë, në ekonomi, në medie e në profesionet tjera, të cilat do të duhej të qëndrojnë të pavarura në korrelacion ndaj njëra-tjetrës, të jenë të pavarura ndaj sistemit të ambientit, të ruajnë hierarkinë e brendshme të organizimit, vendimmarrjen, vlerat dhe normat që përbëjnë pragmatizmin e veprimit institucional. Humbja e autonomisë institucionale rezulton nga ndarja jo adekuate e roleve dhe si rezultat i nivelit të ultë burokratik. Megjithëse funksionimi i sistemit si i pavarur, nënkupton jo kushtimisht mbylljen hermetikisht ndaj njëri-tjetrit (në rastin ideal autonomia është gjysmë e hapur). Vija e tërthortë e lidhjes mbetet megjithatë “Interpenetrimi” i cili i bashkon ato ndërsa, sistemi gjithnjë mirëmbahet nga vet-prodhimi i elementeve të tij (N.Luhmann).
Pikëvështrimi i lartpërmendur përbën një mënyrë të përshkrimit kompleks të një nën-sistemi në relacion me nën-sistemet tjera. Këtu nuk duhet harruar as sistemin personal të individit, i cili është i inkorporuar brenda sistemit si hallkë e pandashme e tij. Preferencat subjektive numërohen gjithashtu si parakushte të ushtrimit të profesionit dhe motivet e aktorëve veprues dosido nuk do të mund të përjashtohen nga kompleksiteti i ndërveprimit, për faktin se motivimi individual nuk qëndron në vakuumin social, por ndikohet ose orientohet në pritshmëritë e sistemit dhe të ambientit të tij të jashtëm. Gjithsesi perspektiva makro-sociale e (Maks Weber-it) e përjashton ndikimin subjektiv të burokratëve.
Sipas këtij botëkuptimi, subjekti veprues(burokrati) shihet si një “krijesë” neutrale, pa motive personale dhe pa interesa subjektive i cili i shërben veprimit politik, ekonomik ose komunikimit publik, e me këtë ai do të duhej të distancohet nga sistemi i tij psikik, duke përjashtuar emocionet, motivet dhe interesat individuale. Gjithashtu koncepti i burokratit neutral pa përfshirë strukturat e personalitetit duket gati i pamundshëm, edhe pse kjo kërkesë mbetet vetëm një paradigmë normative. Në të njëjtën kohë etika burokratike në shoqëritë tradicionale, nuk garanton veprime profesionale, madje, ato vlerësohen vetëm si një “mit i institucionalizuar”.
Nga ky kontekst sistemi politik, ekonomik, ose mediatik mbetet gjithnjë një sferë konflikti. Ky proces nuk mund ti përjashtojë ndikimet ose t´i izolojë ato nga konteksti shoqëror. Mbase, në teori, normat janë strukturat brenda të cilëve kryhet funksioni, ato nuk garantojnë një punë profesionale objektive pa marrë parasysh ndikimet e rrethanave determinuese.
Në këtë aspekt edhe pavarësia normative nuk mund të jetë një pavarësi objektive idealiste, ose një pavarësi e garantuar, (kjo mbetet gjithsesi pavarësi normative). As ndikimet e një sistemi ndaj tjetrit nuk mund të jenë mirë të baraspeshuara. P.sh: mund të supozojmë se sistemi i politikës ka më shumë ndikim ndaj atij të ekonomisë, apo ai i kulturës ndaj atij të medieve ose anasjelltas (Pierr Bourdieu)?
Në këtë rast duhet parë në mënyrë reciproke raportet mes politikës, ekonomisë dhe medieve, në njërën anë, por edhe ndikimin e sistemit të ekonomisë, politikës, kulturës ndaj medieve në anën tjetër. Teoria e fushave të Bourdieu-t në këtë rast mund të përdoret me kufizime pasi që përjashton ndikimin e ndërsjellë teorik.
Vlen të përmendet gjithashtu se qasja politike e relacioneve media – politikë është një varshmëri e dyanshme, në dallim nga teoria deterministe radikale e Karl Marksit(Baza dhe superstruktura). Në dallim prej kësaj të fundit, “teza e Dependencës” dhe ajo e “instrumentalizmit” konsiston në atë se në mes të masmedias dhe politikës ka një lidhje të superioritetit të politikës ndaj medies. Kurse për tezën e instrumentalizimit vlen e kundërta; politika qëndron në varësi të masmedias. Me ketë qasje reduktohet kërkesa e Marksit dhe ajo e Bourdieut. Dyja këto pikëpamje mbivlerësojnë pavarësinë e një sistemi ndaj sistemeve tjera shoqërore.
Përfund: Edhe në përditshmërinë politike, mbase është vështirë ti atribuojmë tiparet normative as të pohojmë se i tërë sistemi mund të jetë në shërbim të një funksioni të vetëm dhe simetrik. Megjithatë, do ishte shumë naive të jepet formula e përgjithshme dhe përfundimtare duke aluduar tek misioni përfundimtar sikur ideologjia profesioniste të admironte vetëm një ide ose, ndikimi të jetë gjithmonë jo reciprok, të përkrah një elitë fitimtare, një klasë të caktuar shoqërore ose një klan ekonomik e të mbroj vazhdimisht qëndrueshmërinë e nënsistemit pa llogaritur ndikimin e ndërsjellë./2L ONLINE/