Shoqëria civile kërkon përfaqësim në komitetet jo obligative
/2L ONLINE/ – Në sallën e Kuvendit Komunal të Gjilanit, të enjten është mbajtur dëgjimi publik për projekt-rregulloren për komitetet, për të marrë opinionet, vërejtjet dhe sugjerimet e qytetarëve dhe të grupeve të interesit, para miratimit të saj në asamblenë komunale.
Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore, ka thënë se rregulloret garantojnë funksionimin normal të Komiteteve të Kuvendit të Komunës, si trupa ndihmëse në procesin e vendimmarrjes.
Me ndryshimin e statutit të Komunës, në vitin 2014, numri i Komiteteve jo të përhershme, është rritur, duke shtuar Komitetin për Bashkëpunim Ndërkufitar, Komitetin për Barazi Gjinore dhe Komitetin Konsultativ të Ekspertëve për Planifikim Hapësinor, të cilët detyrat e tyre duhet t`i kenë të përshkruara në rregullore.
Komitetet nuk kanë fuqi vendimmarrëse, por janë trupa shumë të rëndësishëm në punën e Kuvendit Komunal, ka thënë Matoshi.
Vërejtje dhe sugjerime kanë paraqitur Avdyl Aliu, Shaban Terziu, Arianit Sllamniku, Gani Neziri, Veton Uka dhe të tjerë, të cilat, siç ka thënë, Matoshi, do të merren parasysh në hartimin e verzionit përfundimtar të projekt-rregullores për komitetet.
Avdyl Aliu ka thënë se Komitetit të Ekspertëve të Planifikimit Hapësinor duhet t`i përshkruhet si detyrë edhe monitorimi i zbatimit të planeve rregulluese, ndërsa Shaban Terziu ka kërkuar përfaqësim edhe të shoqërisë civile në komitetet jo obligative.
Arianit Sllamniku tha se propozimin për themelimin e Komitetit për bashkëpunim ndërkufitar, ai e ka bërë qysh në mandatin e kaluar, kur ka qenë këshilltar komunal nga radhët e PD-së.
Sa i përket Komitetit për barazi gjinore, Veton Uka, ka thënë se në Kosovë nuk është shqetësues respektimi i të drejtave gjinore. /2L ONLINE/
