Bordi i Shoqatës së Fëmijëve me Implant Koklear të Kosovës SHFIKK, në këtë takim ka diskutuar për dizajnimin apo projektimin e një plani i cili do ti ndihmonte shoqatën gjatë gjithë rrugëtimit të mëtutjeshëm në ngritjen e dinjitetit të kësaj kategorie të shoqërisë kosovare, si një kategori e panjohur dhe e pambrojtur në aspektin ligjor nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Avdyl Jerliu, kryetar i Bordit të SHFIKK-së, ka thënë se komuniteti i gjithë atyre njerëzve me implant koklear e në veçanti i fëmijëve, është një komunitet që e kalon shifrën shumë më tepër se 100 persona në nivel vendi. Ky komunitet apo kjo kategori e shoqërisë kosovare kërkon një trajtim të veçantë profesional nga dora e shtetit në të cilin kanë lindur dhe nuk janë fajtor pse kanë lindur të tillë, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Jerliu thotë se fëmijët me implant koklear kërkojnë një trajtim shumë të veçantë, ky trajtim kërkon kohë, profesionalizëm dhe është shumë i kushtueshëm në aspektin financiar. Anëtarët e bordit të shoqatës në këtë takim u dakorduan që t’i intensifikojnë veprimet e tyre në ditët në vazhdim me qëllim që të vendosin ura komunikimi apo bashkëpunimi me institucionet e shtetit për ofrimin e mbështetjes apo zgjatjen e dorës nga institucionet e Republikës së Kosovës për këtë kategori të pa mbrojtur me qëllim për ti tejkaluar këto halle që nuk janë të pakta.
““Implanti koklear” për ata që nuk kanë njohuri, është një pajisje që vendoset përmes operacionit te fëmijët dhe personat me dëmtim të lartë të dëgjimit. Kjo pajisje elektronike mundëson kthimin e dëgjimit të gjithë atyre që nuk kanë dëgjuar fare që nga lindja apo edhe atyre që e kanë humbur dëgjimin në forma të ndryshme. Ky operacion ka kosto të lartë dhe të papërballueshme për familjet kosovare”, thotë Jerliu transmeton 2LONLINE.com.
Sipas tij, këta fëmijë kanë nevojë për edukim cilësor që iu jep një autonomi thelbësore dhe i përgatitë për një jetë të pavarur prej të rrituri.
“Për këtë Shoqata e fëmijëve me implant koklear kërkon ndihmë dhe mbështetje profesionale dhe financiare nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, kërkon edhe mbështetjen e masave të gjëra të shoqërisë kosovare si nga ndërmarrjet private ashtu edhe nga individët me gjendje të mirë financiare. Ndërkaq shoqata ka nevojë për dhënie të hapësirës ose përkrahje mediale si nga të gjitha televizionet nacionale, lokale dhe portalet që të promovohen kërkesat dhe nevojat e fëmijëve me implant koklear””, ka thënë Avdyl Jerliu, kryetar i Bordit të SHFIKK-së.