Shkolla e Mesme e Artit Pamor “Adem Kastrati” në Gjilan, në koordinim me Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe në kuadër të programit festiv, i cili u organizua për ndere të 7 dhe 8 Marsit, realizoi disa aktivitete me përmbajtje artistike në kampusin e shkollave të mesme.
Nxënës nga drejtime të ndryshme realizuan një pikturë murale e cila i kushtohej figurave te ndritura shqiptare dhe atdhetare, ndërsa nxënësit nga drejtimi i dizajnit të modës realizuan një ekspozitë me kostume. Po sot, u përurua edhe pllaka orientuese në kampusin e shkollave të mesme.
Nazim Gagica, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit ka falënderuar nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës së artit për punën e bërë.
“Shkolla e artit po na bëni krenar me punën që po bëni andaj edhe një herë ju falënderoj për këtë shënim të këtillë, për njërën nga festat më të rëndësishme të kalendarit shkollor siç është 7 Marsi-Dita e mësuesit”, ka thënë Gagica duke uruar edhe gratë e pranishme edhe për 8 Marsin-Ditën e gruas, pikërisht, siç ka thënë ai, në javën e barazisë gjinore.
Ndërsa drejtori i shkollës së artit pamor, Roland Masurica falënderoi të pranishmit dhe uroi nxënësit e mësimdhënësit për aktivitetet e realizuara për nder të 7 Marsit – Ditës së mësuesit.
I pranishëm në këtë shënim, Sami Hoxha, drejtor i gjimnazit “Zenel Hajdini”, gjithashtu ka falënderuar nxënësit e shkollës së artit të cilët, sipas tij, me krijimet e tyre artistike, si murali i realizuar së fundi, po zbukurojnë ambientet e gjimnazit dhe të kampusit në përgjithësi.
Në fund, drejtori i shkollës së artit, Roland Masurica dhe ai i DKA-së, Nazim Gagica, shpërndan mirënjohje për nxënësit të cilët realizuan projektet e fundit.