(2LONLINE) – Ende pa i bërë dy muaj, nga Klubi i Basketbollit “Drita” të Gjilanit, u larguan në drejtim të SHBA amerikanët Fabo Wilson dhe Travis Taylor, që shiheshin si dy përforcime të mëdha të klubit gjilanas dhe për më tepër edhe u vlerësuan si lojtarë të mirë, ndonëse u tha për ta se ishin të padisiplinuar.
Nuk kaloi një javë pas largimit të tyre e ndodhi edhe një largim tjetër. Joe Mincey, fundori i Dritës, që për dallim prej dy të parëve ishte lojtar shumë më i disiplinuar, por i cili ua kishte bërë me dije udhëheqjes së Dritës se me pagën që merr ai nuk po mund ta mbajë familjen në SHBA, aq më tepër që atij i kishte lindur një vajzë e të qenit larg saj po e mundonte shumë.
KB Drita kishte arritur marrëveshje edhe me Darrick Thomas, të cilit i ishin dërguar të holla për biletë, por si duket ka qenë pikërisht Joe Mincey, i cili kishte bërë që Thomas të ndërrojë mendje dhe tashti ka humbur pa gjurmë.
Fazli Fazliu, zyrtar në KB Drita, thotë se Thomas nuk do të mund të luaj në Evropë dhe se kjo nuk është sjellje e mirë e tij e as e lojtarit Joe Mincey, i cili ishte paguar me rregull, bile shpesh edhe më tepër se sa që e kishte paraparë marrëveshja.
Në KB Drita kishte arritur edhe një amerikan Brian Towner, të cilin publiku gjilanas nuk e pa fare, ngase ai pati vetëm dy paraqitje dhe ashtu siç erdhi edhe shkoi, në heshtje, duke e zhvilluar vetëm dy ndeshje jashtë Gjilanit edhe atë pa treguar gati asgjë, ngase u pa se bëhej fjalë për një lojtarë me aftësi modeste.
Dukej se Kason Cheeks, njëri nga lojtarët që kishte arritur ndër të parët, në KB Drita ishte më i kënaquri, bile ai ishte shndërruar edhe si i adhuruar i publikut, por papritmas edhe ai është larguar, duke e lënë ekipin gjilanas vetëm me një lojtar amerikan, i cili deri më tashti ka pasur vetëm një paraqitje, fundorin Anthony Farser, i cili nuk dihet se sa do të qëndroj. /2lonline/