(lidhur me paqartësitë e “fryerjes” së listave përballë shumë qytetarëve)
Shkruan: Gani NEZIRI
/Lavdia u takon Dëshmorëve të lirisë dhe Nënave të tyre heroike/
(2L ONLINE) – Në luftën për liri, duhet angazhuar tërësia e popullit të shtypur. Por, jo gjithë këta me pushkë në dorë. Një Ushtarë i mirë, për të qenë në nivel detyre, i duhet që prapa vetes të i shërbejnë një varg bashkëpunëtorësh të mirë, pa të cilët, kurrë nuk do të mund të jetë i suksesshëm në luftën e tij.
Në gjithë globin tokësor, nga gjitha luftërat e popujve për liri,(që mbanë mend historia), nuk është regjistruar diku se i gjithë populli, pa përjashtim, të ketë ngjeshur armët në luftën për liri. Sikur që, askund në globin tokësor nuk ka ndodhur që të gjithë luftëtarët e lirisë të ishin vrarë nga armiku. Sikur që, askund në globin tokësor nuk ka ndodhur që pas lufte të kishim veçse dëshmorë lirie dhe asnjë veteran lufte. Dhe po ashtu, askund në globin tokësor, nuk ka Veteran lufte që nuk do të kishte prapa vetes një varg njerëzish që ndihmuan punën e tyre. Pra, as edhe Kosova nuk mund të veçohet ndryshe nga pjesa tjetër e botës.
Të qënit i robëruar nga i huaji, është turpërim i përditshëm. Të qënit edhe i shtypur në tokën tënde, është poshtërim i skajshëm, sa s’ka më. Turpërimin e përditshëm dhe poshtërimin e skajshëm, mund ta përballoj veçse njeriu i padijshëm-idiot dhe i poshtri i poshtërsive të pafund. Shtypësi i lirive të tjetrit, asnjëherë nuk lejon hapësirë të lirë e komode për ty që të fillosh përpjekjen për të dalë nga rrethi i të nënshtruarit nga ai vet. Pra, mos prit, përpiqu vet. Të tjerët kanë planet e tyre për veten e tyre.
Kuptohet, lufta për liri nuk është e lehtë, është e rëndë por, është e domosdoshme dhe e pashmangshme. Është obligim kombëtarë. Është detyrim yti prindëror për t’iu siguruar rritje të lirë para se gjithash fëmijëve tu. Pra, gjeneratave të reja që i prumë në jetë me vullnetin tonë dhe planifikimet tona. Jo nga vullneti i tyre e as nga planifikimi i tyre. Pra, kemi detyrim të domosdoshëm, madje, detyrim për përpjekje të skajshme për të siguruar rritjen e lirshme të tyre.
Në luftën për liri, duhet angazhuar tërësia e popullit të shtypur. Gjitha gjeneratat dhe gjitha profilet profesionale. Djem edhe vajza, pleq edhe plaka, nënat edhe nuset. Nxënës e student, profesor e doktor, hoxhallarë e haxhilerë, tregtar e ustallarë, diasporë e punëtorë shkencor… Por, jo gjithë këta me pushkë në dorë.
Në luftën për liri, nuk është e domosdoshme që të gjithë të marrin armët në krah! Secili duhet të jetë pjesë e luftës për liri në mënyrën e vet, konformë fuqive të tyre fizike apo zotësive profesionale. Askush të mos merr detyrën e tjetrit,. As s’mund e qon dhe, as s’din si ta bëjë. Punë dhe detyra ka për secilin. Ama, bash për secilin! Ashtu, sikur që, nga grumbulli i madh i gurëve, të mëdhenj e të vegjël (me madhësi të ndryshme dhe figurime nga më të ndryshmet), asnjë njësoj, me gjithë këta bashkë, bëhet Kalaja. Madje, bëhet Kala e madhe. Figurativisht do të thoja, si Kala e Krujës së Skënderbeut.
Është më se e çartë se Kulla e mirë dhe më e fortë bëhet me gurë të mëdhenj e të fortë, të gdhendur mirë e me “temena”. Mirëpo, nëse nuk gjenden gurë të mëdhenj, të fortë, e të gdhendur mirë e me “temena”, (nëse nuk ka gatishmëri sakrifikimi), kjo nuk do të thotë se nuk duhet nisur ndërtimi i Kalasë.
Është jetë e vështirë të durohet çdo ditë duke e shtrirë qafën, duke u përbuzur e nëpërkëmbur, duke u poshtëruare dhunuar, sa here që do t’i tekej serbit. Pra, nuk duhet pritur me çdo kusht “gurët e mëdhenj” (lexo: ushtarakët e ditur profesional) kalanë duhet filluar me ata gurë që i ke, qofshin edhe të vegjël ata,por, veç ajanë të gatshëm të sakrifikohen. Sigurisht se, nuk do të ndërtohet kalaja më së miri, por, do të kemi Kalanë tonë, do të jemi nën strehën e saj.
Me ndërtimin e Kalasë (lexo; ndërtimin e shtetit), normalisht, jo mjaft stabile me “gurë të vegjël”, nga paterbijellaku pastaj, me vonesë “u zgjuan nga gjumi“disa “gurët e mëdhenj” (lexo; disa nga ish ushtarakët e ditur profesional) dhe thonë “me të drejtë” se; një gur i madh peshon sa dhjetë gurë të vegjël. Dakordohem ,100% e saktë, ashtu është. “Një gur i madh peshon sa dhjetë gurë të vegjël”. Por, si mund të heqim tani dhjetë gurët e vegjël nga muri i ndërtuar, që të fusim një gur të madh në mur?! Kujtoj se nuk është e mundur dhe as duhet provuar. Çfarëdo përpjekje për të futur duart, do të rrezikoj kalanë. Kujtoj se edhe Inxhinieri më profesional dhe më me përvojë, nuk do të lejonte ndërhyrje të reja pas ndërtimit të mureve.
Në anën tjetër, nga padieni e pamjaftueshme e me nguti, paraqiten përpjekje anësore për të përvetësuar çdo gjë që kemi ndërtuar bashkërisht. Ndërkohë që, punët e mëdha kurrë nuk bëhen vetëm. Jo më kot e ka thënë populli “Trimi i mirë, me shumë shokë “.
Kujtoj se, nuk është shumë e komplikueshme për të kuptuar se: Një Ushtarë i mirë, për të qenë në nivel detyre, i duhet prapa vetes të i shërbejnë një varg bashkëpunëtorësh të mirë, pa të cilët, kurrë nuk do të mund të jetë i sukseshëm në luftën e tij.
Po, Ushtari do të jetë i pari gjithsesi,(njëshi). Më i vendosuri, më trimi, i pathyeshmi dhe i pakthyeshmi. Por, në kohën e darkës do e lëshoj fuqia e bukës dhe i duhet një (i Dytë) që i bën Bukën. Dhe, për të bërë bukën, i duhet një (i Tretë) që siguron Miellin-Mullisi. Ndërsa, që të bëhet mielli, duhet gruri, Duhet pra të mos ishte në mal as -Bujku (i Katërti), që të bëj grurin.
Është e ditur se, në kohëra lufte, kush posedon informacionin, ka përparësinë e fitores. Pra, në vazhdim, ndoshta do të ishin Korrierët e postave ushtarake, (me numër Pesë), si bartës të informatave mes eprorësh ( rangjesh të ndryshme) dhe bartjes së informatave nga popullata deri në shtabet e luftës.
Pastaj, është e çartë se, pas betejave, gjithsesi do të harxhohen dhe fishekët. Dhe n’mugesë të fishekëve (që jemi përballur goxha shpesh,) edhe ushtari më i mirë do të ngelet i kotë në pozicion, me gjithë trimërinë që ka dhe syrin pishë. Kot, krejt kot, s’mund t’ia bënë bam as edhe njëherë?! Apo, jo ? Pra, që të jetë ushtari guximtarë në nivel detyre, i duhet në mbështetje larg malit edhe (i Gjashti)-logjistika e blerjes dhe bartjes së fishekëve dhe armatimit shtesë.
Ndërsa, që të blihen fishekët dhe armatimi, duhet hulumtimi i kujdesshëm për gjetjen e tyre dhe pagesa e shtrenjtë me para. Pra, është diaspora dhe biznesi kombëtarë si (personi i Shtatë)në radhë. Pra, qartë duhet kuptuar se ky organizim jo vetëm që bëhet larg maleve por, duhet vepruar krejtësisht në shtete tjera.
Ushtari i mirë, nga një plagë e vetme mund të humbë edhe jetën. Pra, i duhet edhe -Mjeku (personi i Tetë), për mbështetje mjekësore. Për të qenë i suksesshëm ushtari i mirë, duhet të njoftohet edhe me gjendjen e vëzhgimeve të terrenit. I duhet të dijë për pozicionet e forcave të mëdha të armikut, nga të cilat duhet të bëj kujdes. I duhet të dijë për forcat e vogla të armikut-patrullat, të cilave, “lehtë” u vëhet pusia. Po kush më mirë se Bariu i deleve ose Roja e pyllit(personi i Nëntë), do ta përcillnin terrenin?
Ushtarët në mal kanë nevojë edhe për shpjegimin e drejtë të luftës së tyre për liri, sidomos, n’mes popullatës së përhumbur për të fituar simpatinë e tyre, respektivisht, mbështetjen e masave popullore. Këtë rol e kanë luajtur shumë kujdesshëm, mbështetja e Dhjetë -pleqtë dhe plakat në ditët e dasmave dhe në ditët ngushëlluese për vdekjet brenda fshatit e qytetit.
Pra, i gjithë ky varg strukturash të përmendura janë pjesë e punës dhe e luftës, janë hisenik të padiskutueshëm të lirisë që ne po e gëzojmë sot.
Por ama, të mos harrohet në asnjë mënyrë dhe asnjë rrethanë; maja e kunorës janë dëshmorët dhe shokët e tyre të istikameve, tani të mbetur gjallë.
Nëse, vetëm njëra nga hallkat që i përmenda sipas radhës nuk do të funksiononte si duhet (cilado që të jetë), apo, të do të shkëputej fare, lufta e ushtarit do të dështonte si mos më keq.
Prandaj, u përcjelli respektin tim të thellë gjithë lexueseve të këtij shkrimi që e gjejnë vetën e tyre apo të familjarëve të tyre në njërën nga cilëndo nga pikat e përmendura në vargun e ndihmëtarëve të luftës për liri.
Po gazetarët, ku janë në këtë radhë të përshkrimit për kontributin e tyre në luftën për liri?Nuk e di ?! Gazetarët janë fuqi e veçantë madhore, rolin dhe pozicionin real të tyre dinë ta përshkruajnë veçse ushtarakët profesional, mendimin e të cilëve qytetrueshëm duhet respektuar.
Por ama, të mos harrohet në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë; Maja e kunorës së krenarisë janë dëshmorët e lirisë dhe fill pastaj, disa nga shokët e tyre të istikameve, tani të mbetur gjallë.
1. Ushtari
2.-Ushqimi – Ai që bën Bukën, nuk duhet shkuar në mal!
3.-Mielli – Ai që përgatit Miellin-Mullisi, nuk duhet shkuar në mal!
4.- Gruri – Bujku, duhet mbjellë arën, nuk duhet shkuar në mal!
5.-Korrieri i postave (ushtar-popullatë-logjistikë), nuk duhet shkuar në mal!
6.- Nevoja për fishekë dhe armatim – Diaspora dhe Biznesi kombëtarë, nuk duhet shkuar në mal!
7.- Logjistika e blerjes dhe bartjes së fishekëve dhe armatimit shtesë, nuk duhet shkuar në mal!
8.-Plagosja e ushtarëve – Mjeku, për mbështetje mjekësore, nuk duhet shkuar në mal!,
9.-Vëzhgimi i terrenit – Bariu i deleve ose Roja e pyllit, nuk duhet shkuar në mal!
10.-Propaganda publike në dobi të luftës për liri – gazetaria, nuk duhet shkuar në mal!
Në vazhdim do të shihni një përpjekje timen për të paraqitur në mënyrë skematike radhitjen e nëntë mbështetësve civil që i japin ndihmesë ushtarit në dobi të luftës për liri:
Gjithsesi , këtë radhitje do ta bënte më mirë nga Unë ndonjë nga ushtarakët profesional që ka bërë studime të natyrës luftarake.
Për fund, do të shtoja ; Çdo Shqiptar pa përjashtim, nga gjitha skajet e botës ku jeton, shpresoj se do të gjej vetën e tij apo të familjarëve të vet në njërën nga kolonat e këtij Trekëndëshi simbolik dhe të ndjehet me hise të veten në lirinë që po e gëzojmë sot. Në të kundërtën, nëse ka të tillë që nuk e gjejnë vetën në asnjërën nga dhjetë kolonat e paraqitura në skemë, qoftë i turpëruar për jetë e mot dhe i mallkuar nga dheu i tij.
Lavdia u takon Dëshmorëve të lirisë, ndërsa respekti, disa prej shokëve të istikameve, tani të mbetur gjallë. /2L ONLINE/