Shkollat e Kamenicës pasurohen me mbi 700 tituj të rinj librash
Në kuadër të përkushtimit për krijimin e kushteve sa më të mira për nxënësit dhe avancimin e cilësisë në arsim, sot në tri shkolla të Komunës së Kamenicës janë pasuruar bibliotekat shkollore me mbi 700 tituj të rinj librash dhe inventar përcjellës.
Ky donacion është realizuar falë mbështetjes së Elsa Miller Foundation, e cila ka financuar krijimin e MiniBibliotekave në SHFMU “Metush Krasniqi” në Roganë, SHFMU “Rexhep Mala” në Topanicë dhe SHFMU “Xhavit Ahmeti” në Hodonoc.
Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, dhe Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Selami Klaiqi së bashku me stafin e tij të cilët u shprehën mirënjohës për këtë mbështetje, duke theksuar rëndësinë që ka pasur pasurimi i bibliotekave për nxitjen e leximit dhe zhvillimin arsimor të nxënësve.
Organizatë zbatuese e këtij projekti ishte ZA Aktiv e.V., me përfaqësuese Resa Kurbogaj-Ajeti, e cila ka kontribuar në realizimin dhe në sjelljen e këtij donacioni në shkollat e Kamenicës.
Në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë, tri shkollat përfituese ndanë mirënjohje për Drejtorin e Arsimit, Selami Klaiqi, dhe përfaqësuesen e ZA Aktiv e.V., Resa Kurbogaj-Ajeti, duke vlerësuar angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre në realizimin e këtij projekti.
Ky donacion përbën një kontribut të rëndësishëm për nxënësit dhe mësimdhënësit e këtyre shkollave, duke u ofruar atyre qasje në literaturë të re dhe hapësira më të pasura për lexim e mësim.
Komuna e Kamenicës falënderon Elsa Miller Foundation dhe ZA Aktiv e.V. për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në të mirë të arsimit dhe nxënësve tanë. /2LONLINE/
