Shkolla vlerëson kontributin e çmuar të arsimtarit të edukatës fizike Fehmi Sherifi i cili është pensionuar
SHFMU “Agim Ramadani” në Zhegër të Gjilani e ka vlerësuar lartë kontributin e çmuar dhe punën e palodhshme të arsimtarit të edukatës fizike Fehmi Sherifi në zhvillimin e sportit shkollor, përkushtimit të tij shumëvjeçar në edukimin e gjeneratave të reja dhe sukseseve të shumta të arritura së bashku me nxënësit.
KONTRIBUTI JETËSOR NË SPORTIN SHKOLLOR
Kontributi i tij në sportin shkollor përfaqëson një rrugëtim shumëvjeçar të përkushtimit, punës së palodhshme dhe dashurisë së madhe për sportin dhe nxënësit.
Gjatë karrierës së tij profesionale si mësimdhënës i edukatës fizike, i është përkushtuar sportit shkollor me tërë energjinë, dijen dhe përvojën e tij, duke synuar zbulimin dhe zhvillimin e talenteve të reja, edukimin përmes sportit dhe arritjen e rezultateve sa më të larta.
Fryti i kësaj pune të përbashkët me nxënësit dëshmohet përmes 50 kupave të fituara, 300 medaljeve dhe 500 mirënjohjeve, të cilat përfaqësojnë suksesin, sakrificën dhe krenarinë tonë të përbashkët.
Pas secilës kupë, medalje dhe mirënjohjeje qëndrojnë orë të shumta stërvitjeje, disiplinë, këmbëngulje, bashkëpunim dhe besim në potencialin e nxënësve tanë.
Suksesi më i madh nuk ka qenë vetëm fitorja në gara, por edhe formimi i gjeneratave të reja, kultivimi i frymës sportive, respektit, solidaritetit dhe vullnetit për të arritur gjithmonë më shumë.
Këto rezultate do të mbeten dëshmi e çmuar e punës së arsimtarit Fehmi në arsim dhe i kontributit të tij në zhvillimin e sportit shkollor.
Të gjitha këto arritje janë pjesë e rëndësishme e historisë profesionale dhe një kujtim i paharrueshëm i viteve të përkushtuara arsimit dhe sportit.
Respekt dhe mirënjohje për gjithë punën e arsimtarit Fehmi!
Drejtoria e shkollës dhe stafi i uron shëndet dhe çdo të mirë ne pension!
Me respekt,
Drejtoria dhe stafi i shkollës
