Shkolla me buxhet, por pa të drejtë ta menaxhojë!
Nga: Prof.Murat Mustafa – /trajner i Kurrikulës dhe njohës i politikave arsimore/
Sistemi aktual financiar po i mban peng shkollat, drejtorët dhe vetë procesin mësimor. Një nga problemet më serioze në sistemin arsimor të Kosovës është mungesa e autonomisë financiare të shkollave. Edhe pse çdo institucion arsimor ka buxhet të caktuar nga komuna, ai nuk mund ta menaxhojë vetë, as për nevoja më të thjeshta si mirëmbajtja, riparimet apo blerjet urgjente.
Çdo kërkesë kalon përmes prokurimit komunal, një proces që në letër ekziston për transparencë, por në praktikë është i ngadalshëm, i paefektshëm dhe shpesh absurd. Për më tepër, produktet që sigurohen në këtë mënyrë dalin 3 deri në 4 herë më të shtrenjta sesa çmimet reale të tregut. Kështu, buxhetet e shkollave harxhohen shpejt dhe pa ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të mësimit.
Në shkollën tonë, për shembull, kemi problem me kaldajën e ngrohjes. Nevoja është e thjeshtë: duhetndërruar një pjesë që kushton rreth 450 euro. Por, për shkak të sistemit aktual, shkolla nuk mund ta blejë vetë këtë pjesë. Duhet të bëhen kërkesa, të priten miratime, të kalojë përmes zyrave komunale e më pas në prokurim.
Gjatë kësaj kohe, nxënësit janë ulur në klasa pa ngrohje, dhe procesi mësimor po zhvillohet në kushte të papërshtatshme. Për të dalë nga kjo situatë, drejtoria e shkollës shpesh detyrohet të “gjejë mënyra” që të justifikojë blerjen, duke përshkruar nevojën si “riparim të radiatorëve” apo “ndërhyrje tjera”, vetëm që sistemi të lejojë shpenzimin. Një realitet absurd, por fatkeqësisht i zakonshëm në shumë shkolla të Kosovës.
Çmimet e fryra, buxheti që avullon
Një shembull shumë i thjeshtë e tregon qartë problemin: Një shishe Domestos në një qendër tregtare kushton 1.30 euro, ndërsa përmes prokurimit, i njëjti produkt nga furnitori mund të vijë me çmim 3 apo edhe 4 euro. Në këto kushte, si mund të flasim për efikasitet? Në vend që buxheti të përdoret me kujdes dhe me përgjegjësi, një pjesë e madhe e tij “shkrihet” në çmime të fryra dhe në procedura të panevojshme.
Nëse shkolla do ta menaxhonte vetë buxhetin, do të blinte më lirë, do të kursente më shumë dhe për çdo vit do të mund të investonte në diçka të dobishme: në teknologji (smart board), klimatizim, aparat për pije e ushqime, madje edhe në krijimin e një kuzhine të vogël për nxënës e staf. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për ta kthyer çdo euro të buxhetit në vlerë reale për shkollën.
Nëse një shkollë me buxhet 25.000 euro do ta menaxhonte vetë, me kujdes dhe llogaridhënie, mund të kursente lehtësisht 5.000 euro në vit. Mjete që mund të përdoreshin për teknologji, pajisje moderne, kushte më të mira mësimi dhe trajnime për stafin arsimor.
Por sistemi aktual i prokurimit nuk e lejon këtë. Ai jo vetëm që e ngulfat iniciativën, por e bën drejtorin e shkollës pothuajse pa kompetenca. Shpesh, drejtori nuk është menaxher i institucionit, por thjesht një nënshkrues dokumentesh që pret miratime nga zyra komunale.
Në vend që të jetë udhëheqës që planifikon zhvillimin e shkollës, ai detyrohet të sillet si postjer administrativ, që përcjell kërkesa dhe ndjek letra. Fati i madh i tyre është, që kanë punëtorët teknik, se përndryshe i kishin thyer këmbët duke dërguar letra në DKA dhe Komunë.
Zgjidhja: Autonomi me përgjegjësi
Nëse duam shkolla që funksionojnë si qendra zhvillimi e dijes, e jo si institucione të bllokuara nga burokracia, atëherë duhet të kalohet drejt një modeli të ri të menaxhimit financiar. Shkollat duhet të kenë autonomi financiare të plotë, me përgjegjësi dhe transparencë të matshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet që çdo euro të shpenzohet aty ku vërtet ka nevojë.
Autonomia nuk është rrezik është përgjegjësi dhe besim. Nëse besojmë te shkollat, do të shohim më shumë kreativitet, më shumë efikasitet dhe rezultate më të prekshme. Por, derisa buxheti i shkollave të mbetet në duart e të tjerëve, arsimi do të vazhdojë të jetë nën menaxhim, jo nën zhvillim. /2LONLINE/
