(2LONLINE) – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu i shoqëruar nga drejtori i Arsimit, Nazmi Musa dhe përfaqësuesit e IOM-it kanë përuruar sot kabinetin e informatikës në shkollën e gjimnazit në fshatin Shillovë, i banuar nga komuniteti serb.
Me këtë rast nënkryetari Kadriu, ka thënë se Komuna e Gjilanit është e hapur të investoj në gjithë hapësirën e saj pa dallim të nacionalitetit.
“Komuna e Gjilanit është bashkëfinancuese e këtij projekti që kap vlerën rreth 25 mijë euro, poashtu edhe tri projekte të mëparshme janë investuar këtu duke nisur nga çerdhja për fëmijë por edhe investimi i fushës sportive. Ne jemi duke punuar bashkë me IOM-in që projektet tjera t’i drejtojmë nëpër shkollat tjera të cilat kanë nevojë si në Livoç të Epërm, Cërrnicë por edhe Kmetoc dhe fshatrat tjera. Jemi duke punuar që të gjithë të prekin dorën e mbështetjes nga qeverisja lokale”, ka thënë ndër të tjerash Kadriu.
Ndërsa drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazmi Musa, ka thënë se ky projekt është për të mirën e nxënësve dhe vazhdimit të procesit edukativo – arsimor për të mirën e nxënësve.
“Ky projekt këtu i bashkëfinancimit me IOM-in por edhe me shkollën dhe gatishmërinë e tyre për të ndryshuar kualitetin në mësim është për t’u përshëndetur dhe falënderuar. Ne kemi kërkuar që bashkërisht t’i investojmë kabinetet e informatikës por edhe investime të tjera për të mirën e nxënësve dhe ndryshimin e gjendjes në favorin e tyre. Është projekt që ka një kosto por që ka ndryshuar gjendjen këtu në këtë shkollë. Ky është tashmë një kabinet me të gjitha parametrat e një kabineti modern”, ka thënë drejtori Musa.
Nga ana tjetër drejtori i shkollës së Gjimnazit “Vuk Karagjiq”, Zoran Stojanoviç, ka thënë se ky donacion i implementuar nga IOM dhe Komuna e Gjilanit është projekt që do të ndryshoj kualitetin e mësimit.
“Është projekt që ndryshon kualitetin e arsimit dhe mundëson zbatimin e planit dhe programit të shkollës”, tha ai ndër të tjerash duke i falënderuar edhe për investimet tjera si çerdhen dhe fushën sportive.
E përfaqësuesi i IOM-it – menaxheri i këtij projekti, Andreë Phelan, ka uruar manxhmentin e shkollës dhe Komunën duke u dëshiruar nxënësve suksese gjatë të ardhmes.
Ndryshe ky kabinet është furnizuar me 25 kompjuter, dy monitor, tabelën multimediale, karriget dhe tavolinat e nevojshme, mikrofon, dhe zmadhues të zërit. /2lonline/