(2LONLINE) – Në ambientin e shkollës fillore dhe të mesme të ultë “Abaz Ajeti” në Gjilan u kremtua Dita e shkollës, ku merrnin pjesë nxënësit e kësaj shkolle, mësimdhënësit, prindërit, ish arsimtarë të kësaj shkolle, mysafirë të ndryshëm.
Këtë manifestim me pjesëmarrje e nderuan përfaqësuesit e FSK dhe policisë së Kosovës. Fillimisht fjalën e rastit e mori Drejtori i shkollës Hetem Kosumi, i cili së pari i falënderoi të gjithë për pjesëmarrje duke i uruar nxënësit, prindërit, personelin arsimor të shkollës “Abaz Ajeti”.
Më pas është ndalur duke përmendur të arriturat e kësaj shkolle gjatë periudhës një vjeçare. Gjatë këtij viti shkollor janë bërë shumë punë të mëdha në këtë shkollë, është vizituar nga shumë personalitete, organizata e shoqata, të cilat kanë premtuar se do të ndihmojnë këtë shkollë. Është premtuar ndërtimi i sallës së kulturës fizike, pajisja e shkollës me kabinete etj.
Të pranishmit kanë mundur të shikojnë punën e nxënësve të kësaj shkolle, të cilët me punimet e tyre kanë mahnitur të pranishmit derisa për mysafirët u shtruar një koktej rasti.
Si zakonisht u shpërblyen mësimdhënësit dhe nxënësit e dalluar. Mësimdhënës të viti Këshilli i Shkollës shpalli prof. Ragip Ramadanit mësimdhënës të kulturës figurative, i cili u shpërblye me mirënjohje.
Kësaj radhe me kënaqësi të veçantë Drejtori i shkollës ndau mirënjohje dy nxënësve Natyra dhe Rreze Jerliun për suksesin e treguar në garat komunale në lëndën e Matematikës të cilat zunë vendet e para. Mandej u shpërblyen edhe nxënësit në laminë e sportit e veçanërisht karateistët me të cilët mburret shkolla, të cilët në kampionatin botërorë të mbajtur në Prishtinë fituan medaljet e arta.
Manifestimi u pasurua edhe me një program të pasur kulturo-artistik ku me recitale, këngë e valle kanë argëtuar të pranishmit, ku kanë shprehur dijen, talentin dhe vendosmërinë për të vazhduar përpara.
Në fund u zhvillua ndeshja finale e turnirit në volejboll për vajza që u organizua për nderë të ditës së shkollës./2lonline/