Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se më mirë është që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme sesa të shkelen ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës gjatë miratimit të ligjit të buxhetit dhe shitjes së 75 për qind të aksioneve të PTK-së.
“Nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme këto zgjedhje i shkaktojnë Qeveria dhe partitë e koalicionit. Për ne më mirë është, nëse vjen puna, të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme sesa të bëhet shkelje e Kushtetutës dhe e ligjeve në fuqi. LDK-ja nuk mund të bëhet pjesë e shkeljes së Kushtetutës dhe ligjeve në emër të asaj që mos të rrezikohet vendi që të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Beqiri në një intervistë për “Epokën e re”.
Ai ka bërë me dije se LDK-ja nuk do të qëndrojë në seancë në rast se ligji i buxhetit do të shkojë në Kuvend me amendamentin për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së. “Në rast se vjen ligji i buxhetit me amendamentin për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, grupi parlamentar i LDK-së nuk do të qëndrojë në seancë. Po ashtu, nëse miratohet buxheti me atë amendament do t’i përdorimi të gjitha mjetet juridike, madje do ta dërgojmë këtë çështje edhe në Gjykatën Kushtetuese”, ka theksuar Beqiri.