Shfarosja e shqiptarëve, qëllimi i vetëm i Serbisë

Shfarosja e shqiptarëve, qëllimi i vetëm i Serbisë

Urrejtje të madhe për asgjësimin e shqiptarëve, në përkrahje të Serbisë kishte edhe Rusia. Ministri i Jashtëm rus, Sazanov, në bisedë me ambasadorin gjerman në Petersburg, thoshte: “Shqipëria s’ka zgjidhje tjetër, vetëm si autonomi nën sovranitetin turk”.

Shkruan: Sami ARIFI

Ndërkaq shefi i ambasadës gjermane nga ana tjetër, thoshte: “Ne dyshojmë se Turqia e përkrah të njëjtën zgjidhje”. Sazanov: “Jam i sigurt që Turqia e përkrahë zgjedhjen e një guvernatori shqiptar nën sovranitetin e saj.

Njëkohësisht shprehte urrejtje shumë të mëdha ndaj shqiptarëve, duke u deklaruar hapur: “Të gjithë shqiptarët janë vrasës, mbytës, terroristë, prandaj mbytësi Esad Pasha, ndoshta është i përshtatshëm për guvernator të Shqipërisë”. Ndërkohë përjashtonte çdo mundësi formimin e shtetit shqiptar të fortë dhe të zhvilluar.

Ndryshe nga qytetet tjera, pra, është fjala për luftërat ballkanike gjatë vitit 1912-1913, ferizajasit për 24 orë, pandërprerë kanë rezistuar me luftë të armatosur. Gjatë kësaj rezistence një grua shqiptare, së cilës i ishte vrarë bashkëshorti, me një pushkë të vjetër, ka shtrirë për tokë pesë serbë, duke shpaguar vehten që e vrau me plumbin e fundit.

Kjo rezistencë, ferizajasve trima, u kushtoi 12.000 viktima. Deri tani, në qytet nuk kishte pothuajse asnjë banorë mbi moshën 15 vjeçare.

Sa i përket Gjilanit edhe pse nuk bëri rezistencë të armatosur, e tërë popullata u shfaros me plumb, ose duke u djegur për së gjalli.

Në Prishtinë okupatori serb ka qenë edhe më i egër. Numri i shqiptarëve të vrarë ishte mbi 5000 veta. Në Prizren bandat serbe shkatërruan çdo gjë që patën përpara. Ata kanë thyer dyert e shtëpive dhe kanë masakruar këdo që gjenin brenda, pa pyetur për moshë: Burrë, pleq, e grua, vajza e fëmijë. Numri i të vrarëve vetëm në ditën e parë ishte mbi 4000 shqiptarë të masakruar.

Pavarësisht këtyre masakrave, kryekomandanti famëkeq, Jankoviq me forcën e armëve ka detyruar të gjithë krerët dhe udhëheqësit shqiptarë që ta nënshkruanin një deklaratë mirënjohjeje drejtuar mbretit serb, Petër për gjoja “çlirimin e tyre nga ushtria serbe”!

Sipas statistikave të kohës, 60 shqiptarë janë vrarë në Terstenik, 32 në Smirë, 90 në Lubishtë. Ndërsa në fshatin Komogllavë, ku numëroheshin gjithësejt pesëdhjetë shtëpi, u vranë që të gjithë burrat pa asnjë përjashtim.

Në Preshevë gjithashtu fare pak kanë arritur të mbijetojnë nga këto masakra të tmerrshme antishqiptare. Duhet theksuar se në këtë zonë, janë mbledhur të gjithë burrat, janë vënë me forcë në rresht dhe janë detyruar të përshëndesin ushtarakisht. Pastaj janë lidhur këmbë e duarë dhe janë pushkatuar.

Në fund të shkurtit 1913, forcat e armatosura serbe hynë në fshatin Shashare. Grumbulluan të gjithë burrat dhe djemtë, dhe, para tyre, nisën të përdhunojnë të gjitha vajzat dhe gratë e fshatit.

Po në këtë mënyrë çnjerëzore, ushtria serbe veproi edhe në fshatin Letnicë.

Duhet të vëmë në dukje se popullata e Shasharës dhe e Letnicës ishte krejtësisht sllave dhe katolike. Egërsia e forcave shoviniste serbe, në raste të veçanta nuk ka kursyer as racën e vet, vetëm se i përkisnin konfesionit tjetër.

Pikërisht në ditën e pushtimit të Durrësit nga ushtria serbe, profesori kroat, Milan von Sufflay, botoi në gazetë një shkrim të gjatë, ku tregonte se “argumentet serbe” ishin vetëm propagandë politike. Artikullin e tij e botonte gazeta Austro-Hungareze “Neue Freie Presse”. Në kronikat e saj, Durham, shkruante: Sllavët vazhdonin të bërtisnin “vdekje Shqipërisë”.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE