(2L ONLINE) – Shërbimi i Zjarrfikësve i Komunës së Gjilanit ka pranuar sot zyrtarisht 47 pompa për intervenim në zjarre nga tre bashkatdhetarët tanë të cilët jetojnë në Zvicër, Flamur Mehuka, Nazim Bajrami dhe Reshat Avdullahi.
Me këtë rast, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim Halit Rexhepi ka falënderuar tre bashkatdhetarët nga Gjilanit për iniciativën e tyre, duke vlerësuar se këto mjete kanë qenë shumë të nevojshme për funksionimin e zjarrfikësve gjatë intervenimit.
“Ky donacion i cili sot ka ardhur sot nga bashkatdhetarët tanë që punojnë në Zvicër është më se i nevojshëm për Shërbimin e Zjarrëfikësve, të cilit i kanë munguar këto pajisje dhe ne vërtet jemi shumë falënderues. Kotë pajisje janë shumë moderne dhe shumë të nevojshme për intervenim në rastet e zjarreve dhe në rastet ku ka tym”, tha drejtori Rexhepi.
Rexhepi tha se ky është një shembull shumë i mirë i ndihmesës së bashkatdhetarëve tanë, ndërsa ka apeluar edhe tek të tjerët që kanë mundësi ta ndihmojnë këtë resor, ta bëjnë këtë, meqë ky shërbim punon në mbrojtjen e jetës, pasurisë sonë dhe mirëqenies së qytetarëve tanë.
Nga ana e tij, bashkatdhetari ynë Flamur Mehuka, tha është shumë i lumtur që i ka sjell këto pajisje Shërbimit të Zjarrëfikësve në Gjilan, duke paralajmëruar se pas disa javëve do t’i sjellin edhe 40 pompa të tjera
“Unë jam pjesëmarrës i zjarrfikësve vullnetarë në Zvicër. Kam kërkuar nga komandanti ynë në Zvicër që t’i jap këto pajisje për zjarrfikësit në Gjilan, duke e ditur se e kanë shumë të nevojshme. Edhe në të ardhmen do t’ju ndihmojmë zjarrfikësit e Gjilanit për t’ju siguruar mjete të nevojshme të punës”, ka thënë Mehuka. /2L ONLINE/