Komuna e Kamenicës së bashku me Shërbimin Gjeologjik të Kosovës kanë mbajtur një takim ku është diskutuar për mundësitë e gjetjes së burimeve të ujit.
Në këtë takim kanë marrë pjesë kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati, Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Inspektorat Ramadan Basha me zyrtarë të kësaj drejtorie, përfaqësuesi i Hidromoravës Sherif Thaçi, kryeshefi i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës Fidaim Sahiti, si dhe përfaqësues nga ky institucion.
Kryetari Qëndron Kastrati duke falënderuar përfaqësuesit e Shërbimit Gjeologjik për gatishmërinë e tyre, tha se Kamenica ka probleme të mëdha me ujë.
“Është kënaqësi që keni shprehur gatishmëri të ofroni ndihmë për komunën tonë në gjetjen e burimeve të ujit. Është e vërtetë që rajoni ynë është pjesa më e varfër me pasuri ujore në Kosovë. Tani jemi në bisedime me organizata tw ndryshme për hapjen e disa puseve. Është faza që duhet të marrim diçka me urgjencë, pasi që qytetarët e kanë të vështirë të jetojnë në shtëpitë e tyre”, ka thënë ai.
Kryeshefi i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës Fidaim Sahiti, në takim tha se janë të gatshëm të ofrojnë ndihmë në hulumtimin e burimeve ujore në Kamenicë.
“Ne jemi të gatshëm që t’iu ofrojmë ndihmë nga ana profesionale pa asnjë hezitim. Në aspektin teknik do të konsultohemi me kolegët tanë për një zgjidhje më afatgjate. Ne kemi bërë disa hulumtime për disa vende ku mund të gjejmë zgjidhje, por së pari duhet analizuar kualiteti i ujit, që të shihet cilësia dhe sasia, e më pas të bëhen shpime”, tha ai.
Edhe Drejtori Ramadan Basha falënderoi kryeshefin dhe përfaqësuesit e Shërbimit Gjeologjik për informatat e tyre në lidhje me burimet e reja të ujit.
“Ne si Komunë duhet të fillojmë të punojmë me ekspertë. Informatat e juaja janë shumë të rëndësishme për ne, që t’i përdorim dhe të shohim për zgjidhjen më afatgjate për qytetarët”, është shprehur Basha.