Eksperti i Inteligjencës Fadil Kajtazi vlerëson si paradoksale akuzën se zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka bashkëpunuar me shërbimin sekret francez.
“Sa i përket akuzave për bashkëpunim me shërbimet sekrete të cilit do vend, është e pa moralshme të flasim për individ nëse nuk dëshmohet me dëshmi. Dhe se janë të përziera në punët tona shërbimet e huaja kjo nuk do koment. Mirëpo në rastin konkret akuza për bashkëpunim me shërbimin francez (DGSE), të zëvendës kryeministrit z. Hashim Thaçit, pak a shume më duket paradoksale. Franca ka qenë pjese e koalicionit kundër Serbisë dhe aviacioni francez ka marrë pjesë aktive në bombardimet në Serbi”, thotë Kajtazi, transmeton Bota Sot.
Sipas tij, në këto raste është praktike që ushtritë që marrin pjesë në sulme të tilla në terren të dërgojnë oficer të ndërlidhjes pranë shtabeve të gueriles apo ushtrive që i mbështesin e që praktikisht janë oficer të shërbimeve sekrete.
“Në këtë rast nuk ka bërë përjashtim as Franca, Britania dhe SHBA që në terren kanë pasur oficer të shërbimeve te tyre (CIA, MI5), të cilët kanë koordinuar operacionet dhe kanë njoftuar qeveritë e tyre për aspekte të ndryshme kryesisht politike dhe ushtarake. Nëse bashkëpunimi me shërbimin francez ka qenë i këtij niveli, nuk shoh asgjë të keqe. Në radhë të dytë ne duhet ta konsiderojmë Francën vend mik të Kosovës sepse ajo e ka mbështetur dhe njohur pavarësinë e Kosovës. Mendoj se koha e krijimit te armiqve fiktiv të stilistit “Imperializmi dhe hegjemonizmi anglo-Amerikan” ka kaluar”, potencon Kajtazi.
Për këtë arsye eksperti i Inteligjencës, Fadil Kajtazi, thotë se shqiptarët duhet të shqetësohen nga aktiviteti i shërbimeve serbe dhe ruse të cilat janë aktive në hapësirat shqiptare.
“Personalisht jam i brengosur nga aktiviteti i shërbimeve serbe dhe ruse të cilat janë aktive në hapësirat shqiptare e që një nga detyrat kanë që shqiptaret ti fusin në konflikt me aleatet perëndimor. Ky duhet të jetë shqetësimi i çdo shqiptari para shqetësimit se kush po bashkëpunon me shërbimin francez”, përfundon ai.