Shërbimet Publike dhe Mbrojtja e Shpëtimi i prezantojnë prioritetet

Shërbimet Publike dhe Mbrojtja e Shpëtimi i prezantojnë prioritetet

Komiteti për Shërbime Publike ka miratuar të premten planet e punës së drejtorive të linjës për vitin 2017, të cilët i kanë prezantuar drejtorët Naser Korça (Shërbime Publike) dhe Ensar Kadriu (Mbrojtje dhe Shpëtim). Ata i kanë nënvizuar projektet dhe shërbimet e planifikuara për sivjet, ku qëllim kryesor është përmirësimi i infrastrukturës, përkatësisht mbrojtja e pasurisë publike dhe private nga zjarret dhe fatkeqësitë tjera elementare.

Përmirësimi i mëtutjeshëm i infrastrukturës publike, është synim yni kryesor, ka thënë Naser Korça, drejtor i Shërbimeve Publike (DSHP), duke nënvizuar se gjatë këtij viti pritet të realizohen mbi 50 projekte të ndryshme, ku përfshihen gati të gjitha vendbanimet e komunës së Gjilanit, por përparësi do të kenë rrugët dhe rrugicat në lagjet periferike të qytetit, të cilat nuk janë trajtuar ende.

Ai është përgjigjur edhe në pyetjet konkrete të Isa Agushit (LDK), Krenare Latifit (VV), Mizafere Ismajlit (LDK) e Burhan Selmanit (PDK), duke thënë se do të ndërtohen rrugë, kanalizime, trotuare, sheshe, hapësira publike, parqe si dhe do të bëhen investime të tjera, që janë identifikuar si prioritetet nga qytetarët.

Sa i përket kanalizimit kryesor në Zhegër, Korça ka thënë se bëhet projekti dhe shumë shpejt pritet shpallja e tenderit, ndërkaq për rrugën “Enver Miftari” ka thënë se sivjet nuk është prioritet për shkak të ndërtimeve që po bëhen në “Fidanishte”, sepse lëvizjet me makineri të rënda atje, mund ta dëmtojnë shumë shpejt asfaltin.

Përndryshe, kryesuesi i kësaj trupe komunale, Isa Agushi ka thënë se plani është i mirë dhe e ka inkurajuar drejtorin që të punojë me përkushtim në realizimin e tij, duke shtuar se sivjet priten investime të mëdha në Gjilan.

Ndërkaq, drejtori Ensar Kadriu ka thënë se Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) do të vazhdojë të kujdeset për sigurinë e jetës së qytetarëve, mbrojtjen e pasurisë publike dhe private nga fatkeqësitë elementare, duke bërë vlerësimin e rreziqeve, përkatësisht reagimit në parandalimin dhe evitimin e pasojave dhe dëmeve që mund të shkaktohen nga këto dukuri.

Përveç këtyre detyrave, prioritet për ne sivjet do të jetë hartimi i planit për mbrojtje nga zjarri, ka thënë Kadriu, ndërkohë që ka dhënë përgjigje në pyetjet e Ilir Tahirit (PDK) dhe të tjerëve.

Ndër të tjera, do të organizohen edhe trajnime për këshillat e fshatrave dhe lagjeve, me qëllim të ngritjes së njohurive për reagim dhe menaxhim të situatave emergjente, ka thënë Kadriu.

KSHP u ka dhënë përkrahje drejtorive të linjës në realizimin e detyrave të planifikuara, që kanë për qëllim lehtësimin e jetesës së qytetarëve, sikurse edhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre nga fatkeqësitë elementare


Isa AGUSHI


Ensar KADRIU

KOMENTE