DYLON

Shënohet Dita Ndërkombëtare e të moshuarve

Avatar photo Redaksia

Me moton: “Merr qëndrim kundër përbuzjes ndaj të moshuarve”, sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Prishtinë u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar, ku edhe u bë prezantimi i dokumentit të OBSH-së “Strategjia dhe Plani i Veprimit për Moshim të Shëndetshëm në Evropë, 2012 – 2020” dhe i i broshurës “Fakte: Keqkuptimet rreth moshimit dhe shëndetit”, i publikuar nga IKSHPK.

Duke vlerësuar se prezantimi i fushave strategjike dhe objektivat e OBSH-së të vendosura në këtë Strategji dhe plan veprimi janë udhërrëfyes i mirë dhe i domosdoshëm për Ministrinë e Shëndetësisë në adresimin dhe hartimin e politikave adekuate dhe të nevojshme në lidhje me moshimin e shëndetshëm në Kosovë, Ministri Imet Rrahmani tha se krijimi i mundësive që sa më shumë njerëz ta kenë jetën aktive dhe të shëndetshme në moshën e shtyrë kërkon investime në një gamë të gjerë të politikave për moshim të shëndetshëm nga parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve jo të transmetueshme përgjatë gjithë jetës deri te forcimi i sistemeve shëndetësore në mënyrë që të rritet qasja e personave të moshuar në shërbimet sociale de shëndetësore të përballueshme dhe të cilësisë së lartë.

EkoHigjiena

“Në këtë aspekt, ekziston nevoja për veprim ndër-sektorial dhe gjithë shoqëror”, tha Ministri Rrahmani. Ndër të tjera, theksoi ai, MSh është në përpjekje të vazhduar të realizimit të proceseve reformuese dhe në vazhdën ë këtyre proceseve, viti 2017 do të jetë viti i fillimit të implementimit të sigurimeve shëndetësore. Me çka do të përmirësohet edhe përgjigja ndaj kërkesave të shtuara të qytetarëve për shërbime shëndetësore më cilësore, përmirësimi i financimit shëndetësor, etj.

Drejtori ekzekutiv i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se shënimi i kësaj dite është një moment i rëndësishëm për të ngritur nevojën dhe sensibilizuar për kontributet e rëndësishëm që të moshuarit japin për botën tonë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e moshimit dhe sfidat e vazhdueshme më të cilët përballen njerëzit e moshuar, duke njohur edhe faktin se trendi i moshimit është në rritje në shumicën e vendeve të botës dhe gjithashtu edhe në Kosovë.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSh-së në Kosovë tha se Strategjia do të arrihet përmes përqendrimit në pesë objektiva strategjik:. Zotimin për veprim; Përshtatjen e sistemit shëndetësor me nevojat e popullatës së moshuar; Zhvillimin e mjediseve miqësore për të moshuarit; Fuqizimin e kujdesit afatgjatë dhe Përmirësimin e monitorimit, hulumtimit dhe evaluimi.

“Përkujdesja për moshim të shëndetshëm kërkon lidership dhe përkushtim. Për t’u siguruar që ekziston platforma politike dhe operative për veprim multi-sektorial, nevojitet bashkëpunim ndërmjet aktorëve qeveritarë dhe jo-qeveritarë, përfshirë ofruesit e shërbimeve, projektuesit dhe akademikët”, tha ai duke shtuar se veprimet kyçe përfshijnë: Krijimin e kornizave kombëtare kah moshimi i shëndetshëm; Fuqizimi i kapaciteteve kombëtare për krijimin e politikave të mbështetura në dëshmi dhe luftimin e përbuzjes së të moshuarve.

Rabije Slivova, udhëheqëse e OJQ-së Vita-Jeta tha se roli kryesor i shoqatës që numëron rreth 1100 anëtare të moshuara është të fuqizojë, emancipojë dhe sensibilizojë për përfshirjen e grave të moshuara në kujdesin sociale e shëndetësor, realizimin e të drejtave të tyre për pensione, trashëgimi dhe të drejta të tjera.

Kurse, Shaban Kajtazi, Kryetar i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, duke vlerësuar angazhimin e Ministrit Rrahmani dhe MSH-së për reforma dhe përkujdes më të mirë shëndetësor për këtë kategori, tha se mosha e tretë ballafaqohet më shumë sfida, ndërkohë që kërkoi shumë më tepër vëmendje nga shoqëria kosovare për kujdes prindëror, duke theksuar kontributin e pamohuar që mosha e tretë ka dhënë në përiudhën midis Luftës së II Botërore dhe luftës së UÇK-së në zhdukjen e analfabetizmit dhe ngritjen e shoqërisë kosovare.

Publikimi Fakte: Keqkuptimet rreth moshimit dhe shëndetit ndërkaq, u prezantua nga dr. Naim Jerliu nga Qendra mbi Moshimin e IKSHP-së dhe është realizuar me përkrahjen e OBSH-së dhe financuar nga Qeveria e Luksemburgut.

Në mënyrë simbolike si shënjë e përkrahjes për ta, të moshuarit që morën pjesë në shënimin e kësaj dite u vaksinuan kundër gripit sezonal në IKSHP. Me vaksinat e siguruara nga MSH, përmes planit të vaksinimit të hartuar nga Instituti.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.