DYLON

Shenjtori i blertë

Shenjtori i blertë
Avatar photo Redaksia

SHENJTORI I BLERTË
(Urtisë së Tij: Prend Buzhala)

Meti REXHEPI

EkoHigjiena

Po të shoh Mik edhe përtej qenies sate
tashmë me bari rralluar mbi rradake
Ti gjen i patjetërsuar Ilirian
ngre reliev ndjenjash majave të thikë-përpjetme
ku ngjitesh t`i prapësosh djallëzitë tej altarit
i prirë nga mëtimi që t`i fërgosh ëndrrat
e t`ua shtrosh si shujta urie të uriturve për dije
si një shpirt dhunti fotosinteze
Shenjtor i Blertë
degët e zhveshura çdo stine ia veshe
gjithandej me vello nusërimi
dhimbshëm mëtoje t`ia herrësh gjembat ecjes së Bukurisë
dhe më joshe te Zotat indiferentë
t`ua lexosh profecitë
çfarë s`thanë
si nuk zbrisnin në Filozofinë Tënde të Dhimbjes
Zotin e përngjasoje edhe në trajtën e një gjarpri
mëshira Jote më e fortë se helmi i Zotit të atyre
po ta zhvishje e shihje se si ishte kurdisur
do ta torturonin lutësit e devotshëm
Ai Zot i tyre i sharë fëlliqur
pjekur në zjarrin e dogmave

*
Mik Miku
si e bartke një det urtie
shikimet shterpa nuk t`i shohin përmasat
dallgët përmbysëse anijesh
i frenoje përmes lutjesh të Orakujve në një Akademi Urtësie
e Zeusit ia cenoje të famshmen gjithë-shtrirje
secilit ndjekës tekanjoz që në hyrje
ia shtroje udhën e truallit me një masë rrëshire
çizmet jo doemos do t`i bindeshin kokës
të mos mbeteshin ngjitur baltës relikte tokës

*
Prend (m)iku
m`i kënda ngjitjet lartësive të relievit Tënd
por ku ta gjejë elikzirin e zilisë
gjerë e gjatë rrafshit shtrihet bimësi e ligësisë
dhe atje ku kundërmonte magjikja
metamorfozës prejardhjen i lypa

*
Grishesha t`i gjakoja fijet e arta të mendjes
t`i shpëtoja shqisat nga atmosfera e kastrimit
sikur lukuni e tërbuar trotuaresh vardiset vërdallë zilia
e piketoja atë reliev andej gardhiqeve të thashethemnajës
aty ku vetëm bletët vjelin polen
dhe i shmangur nga i sëmuri për mend
ai mëtonte t`i rriteshin brirët
si një demi turresh në arenë

*
Miku im Poet: përsiatjet të çuan në çdo shteg-shkrimi
por nuk të vrasin të gjitha kafshët me brirë instinkti

*
Të vret dhe një lëvdatë
e politesës së thatë
një rob i zier në shijen e robërisë
një rrafsh pa taban në kokë
një miell i bardhë i tretur në gotë çaji
i bluar prej hibridesh të një djalli

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.