Shëndeti “i shkruar” në fytyrë, ja shenjat që tregojnë nga se vuajmë
Ekspertët britanikë të shëndetit kanë listuar një sërë treguesish në fytyrën tonë, të cilët flasin për probleme apo mungesa, të cilat mund të mos e dimë që i kemi.
Thonë se fytyra është pasqyra e shpirtit. Por si e tillë, ajo mund të zbulojë shumë edhe për shëndetin tonë. Ekspertët britanikë të shëndetit kanë listuar një sërë treguesish në fytyrën tonë, të cilët flasin për probleme apo mungesa, të cilat mund të mos e dimë që i kemi.
Njollat e verdha rreth syve, hundës ose gojës
Ato mund të jenë tregues i nivelit të lartë të kolesterolit në gjak. Megjithatë, ka raste kur një problem i tillë lidhet edhe me probleme që kanë të bëjnë me mënyrën sesi trupi metabolizon yndyrnat në gjak, një problem që mund të jetë i trashëgueshëm.
Lëkurë e zbehtë
Anemia ose mungesa e hekurit në gjak mund të jetë shkak për një pamje të tillë, e cila mund të shoqërohet edhe me rrathët e zinj të syve. Simptoma të tjera të anemisë mund të jenë edhe lodhje apo letargji, kjo për shkak se mungesa e hekurit bën që muskujt të mos furnizohen me oksigjen të mjaftueshëm.
Plasaritje në pjesën anësore të gojës
I njohur si stomatiti angular, ky problem prek personat që kanë deficencë të vitaminës B, në mënyrë të veçantë asaj B2 dhe B3. Haset kryesisht te vegjetarianët, pasi këto lloj vitaminash gjenden kryesisht në ushqime si vezët, mishi dhe peshku.
Venat e dukshme të gjakut
Mund të jenë tregues i teprimit në sasi me verën e kuqe. Personat që e teprojnë me verën e kuqe për rreth dy vjet përballen me enë të dukshme gjaku në lëkurë, të cilat janë zakonisht në trajtën e vijave të holla të çrregullta në ngjyrë të kuqe. Kjo vjen si pasojë e humbjes së tonusit të enëve të gjakut.
Rrudha të thella dhe varje e lëkurës
Pirja e cigares plak fytyrën, pasi dëmton direkt kolagjenin dhe elastinën, të cilat i japin lëkurës shkëlqim dhe tonifikim. Me kalimin e moshës, muskujt, yndyrnat dhe kockat tkurren, duke shkaktuar varjen e lëkurës. Konsumi i cigares e përshpejton akoma më shumë këtë proces.
Rrathët e zinj në qafë
Shfaqja e rrathëve të zinj në zonën e qafës mund të jetë një tregues i rrezikut të zhvillimit të diabetit të tipit 2. Këto lloj njollash sinjalizojnë se trupi po bëhet rezistent ndaj insulinës, një shenjë se mund të jemi duke u përballur me diabetin, që shpesh vjen si pasojë e mbipeshës apo e dietave me nivele të larta të sheqerit. Njolla të tjera që lidhen me këtë sëmundje mund të shfaqen në zonën e sqetullave.
