Shemsije Shkodra, “Kujtime dje dhe sot”, tregime, e botoi Shtëpia botuese “Sogjetime”, në Gjilan. Me një pikturë në ballinë të Rasim Vllasaliut, “Gratë te kroni”, si zbukurim dhe simbolikë për krejt brendinë e librit. Përgatitjen teknike e bëri Rrezart Fejzullahu, u shtyp në Lena Grafik, Maj 2024, Prishtinë.
Një libër i vogël për kah vëllimi, në A5, prej 176 faqe tekst, me mbi 45 rrëfime në prozë. Është kapaciteti i një krijuese të re për nga krijimtaria letrare. Po është prova e parë publikisht. Dhe është një mundësi ta sheh vetveten autorja, sa do të jetë në gjendje që të avancojë në të ardhmen.
Nis me “Kur më thoshte nëna” dhe përfundon me “E hidhur dhe e dashur”.
Pak si me hezitim, ta botojë këtë vepër apo jo?! Megjithatë, kjo përmbledhje, na duket, ka dalë e suksesshme.
Nga ‘Parafjala për lexuesit’, autorja deklarohet që në fillim: “Të bëj një libër të vogël, nga përshtypjet dhe ndjeshmëria ime, kaherë e mendoja”. Me gjithë guximin, sërish shfaq dy-mendësinë. Këto rrëfime shpeshherë shënojnë edhe kronikën gjatë jetës së autores.
Nostalgjia për kohën e fëmijërisë e të rinisë, bukur të vështirë në pikëpamje sociale. Shemsija megjithatë e adhuron dhe i ka kujtimet e freskëta për atë fazë të jetës së dashur.
Natyrisht, rrita dhe ecuria në vendlindje, ka lënë gjithmonë mbresa te të gjithë krijuesit letrarë. Mirëpo, në këto krijime letrare, flitet për një jetë në të kaluarën e përgjithshme shqiptare, duke pas mbuluar një tis i ulët i dijes dhe emancipimit të femrës shqiptare.
Martesat e parakohshme, pa dëshirën e tyre, është njëri prej atyre elementeve potenciale që trajtohet në këto rrëfime. Por edhe jeta në bashkësi familjare në numër të madh, vështirë e përballueshme. Mungesa e lirisë së mjaftueshme të femrës. Herë-herë e rrezikuar edhe me jetë. Pamundësia (një kohë) e shkollimit dhe e ngritjes së femrës paralel me mashkullin.
Por, nëpër këto proza gjejmë edhe intrigat e femrave në mes veti, nga xhelozia dhe smira si egoizëm i tepruar.
Sigurisht, nga mungesa e një ngritje arsimore e kulturore, do të thotë, nivel i ulët. Hasim edhe gjykimet, sipas autores edhe veset individuale, qoftë te meshkujt, qoftë të femrat mendjemadhësia dhe tejkalimi i egoizmit normal. Tejkalimi edhe i veshjeve të sotme dhe nënvizimet e veçanta e tipizuese. Skenat paraqiten nga një pavetëdije të mjaftueshme, duke dashur të tregohen, ata në mërgim, si më të avancuar e me një jetë luksoze.
Dhe, ana tjetër, përqeshjet nga vendorët me një ekstravagancë të mërgimtarëve dhe ironizomi me ta, duke pas krijuar një kulturë artificiale.
Shkollimi dhe integrimi i fëmijëve të mërgimtarëve, nëpër Evropë dhe botë, i vështirë dhe me rreziqe. Dështimet me fëmijët për vendlindje e etërve, ngase ata posa të integrohen në ato vende, mbeten atje ku kanë lindur dhe ku janë rritur.
Është fuqi e fjalës që nxit dhe pasqyron skenat e papërshtatshme. Skenat që irritojnë. Ato skena që duhet të mos paraqiten, do të thotë, të mënjanohen e të jenë më të kujdesshëm shqiptarët kudo që ndodhen.
Pra, shqiptarët janë një komb, qofshin në mërgatë, qofshin këta në vendlindje.
Shemsija ka qenë në gjendje t’i dallojë dhe t’i përcjellë në detajet më vogla të qytetarisë kudo që i ka takuar. Perceptimet e vendndodhjeve dhe të zhvillimit të ngjarjeve (ishin) dhe janë evidente dhe janë shqetësime të saj.
Ajo bën edhe një krahasim të dasmave, atyre dikur, kur i mban mend vetë si fëmijë, dhe këtyre që sot zhvillohen në një gjendje krejt tjetër.
Nga pak na del me një didaktizëm e qortime si të shumta e me imperativ. Por nxitja e lexuesit do të jetë në mënyrë permanente, pa lënë anash asgjë së lexuari.
Dhe dëshira e madhe e autores, që të latohet nga objekti çdo gjë e tepërt dhe të kristalizohet si qytetërim, do të thotë, një purizëm pa lënë anash traditën dhe adhurimin për të bukurën natyrale, ndoshta do të ishte një detyrim i pamundshëm.
Janë proza të shkurtra e të lehta për lexim, pa ndonjë stil të gurëzuar e të mbyllur.
Të gjitha shtresat qytetare mund ta lexojnë pa lodhje, dhe për një kohë të shkurtër. Autorja është e ndikuar mjaft nga klasikët shqiptarë. Por, krejtësisht realisht, e pothuajse pa ndonjë imagjinatë të tepruar, sikur kemi prozatorët e sotëm, me tendenca të një krijimtarie me nuanca të një moderniteti kohor.
Gjuha e përdorur në këto proza është mjaft e lehtë, pa terma të huaj, pa ngarkesa tekstuale prej një rrëfimi në tjetrin.
Me pak kujdes e ngadalësi, nga ana e shkrimtares, ky vëllim do të kishte mundur të dalë edhe si roman.
Të gjithë ju që dëshironi ta keni librin në shtëpitë tuaja, mund ta kontaktoni direkt Shemsijen në rrjetet sociale, apo edhe na shkruani në mesazh privat.
Shëndet dhe suksese për kusherinën.
Gjithë të mirat
Familja Shkodra