Një studim i ri i Universitetit Elizabetian të Edinburgut, në Skoci, provoi se konsumi i një shege në gjendje frutore apo si lëng, është në gjendje të rrisë dëshirën seksuale në orët në vazhdim. Në fakt, përmbajtja e frutit ndikon në rritjen e nivelit të testosteronit në gjak, çka komandon epshin seksual tek të dy gjinitë. Studimi u krye midis 58 vullnetarëve, nga mosha 21 deri 64 vjeç, të cilët iu nënshtruan dietës me shegë.
Nivelet e testosteronit të secilit mateshin përpara gjumit dhe pirjes së një gote lëng shege dhe në mëngjes pas zgjimit. Me trupin në pushim dhe pa stimuj të jashtëm, nuk mund të kishte asnjë shpjegim tjetër për rritjen e nivelit të hormonit pas zgjimit. Testosteroni, i njohur ndryshe si hormoni mashkullor, komandon shumë tipare seksuale, si qimet në fytyrë, trashjen e zërit dhe vetë dëshirën seksuale.
Ndonëse me pakicë, ai gjendet edhe tek femrat, ku prodhohet nga ovariet dhe gjëndra mbiveshkore, duke forcuar strukturën kockore e muskulore e duke ndikuar në dëshirën e saj seksuale. Studime të mëparshme kanë treguar se shega është e përshtatshme edhe për të parandaluar infarktin dhe sëmundje të tjera në zemër, pasi është i pasur me antioksidues të shumtë.