Komandanti i Forcës së Kosovës, gjeneralmajor Salvatore Farina është takuar me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneral Ljubisha Dikoviq.
Ky takim, i cili është i dyti me radhë ndërmjet dy gjeneralëve, është pjesë e agjendës së bisedimeve të nivelit të lartë që zhvillohen në përputhje me Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake (MTU), që ndryshe njihet si Traktati i Kumanovës.
Gjeneralmajor Salvatore Farina dhe gjenerali Dikoviq biseduan për situatën në Ballkan, me theks të veçantë për veriun e Kosovës dhe për rëndësinë e bashkëpunimit në mënyrë që të përmirësohet situata e sigurisë në rajon.
“Farina nënvizoi përmirësimin e situatës së sigurisë si rezultat i marrëveshjes së 15 prillit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe konfirmoi përpjekjen e vazhdueshme të misionit të NATO-s për të kontribuar në ambient të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, duke krijuar kështu kushtet e nevojshme për të ndihmuar dhe mbështetur përparimin. Në këtë kontekst, komandanti i KFOR-i theksoi rëndësinë e mbajtjes dhe të zhvillimit të bashkërendimit të vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë, si patrullimi përgjatë vijës administrative kufitare dhe zonës së sigurisë.”,thuhet në një komunikatë të KFOR-it.
Pas takimit, komandanti i KFOR-i dhe gjenerali Ljubisha Dikoviq vizituan Manastirin e Deçanit, objekti i fundit që ruhet nga trupat e KFOR-it.
Ndryshe, komandanti i KFOR-it takohet rregullisht me shefat e mbrojtjes të vendeve të ndryshme që janë në kufij me Zonën e Përgjegjësisë së KFOR-it, kryesisht me Shqipërinë, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë.