SHBA i dhuron Kosovës pajisje për kontrollin e kufirit në vlerë prej 1 milion dollarëve

SHBA i dhuron Kosovës pajisje për kontrollin e kufirit në vlerë prej 1 milion dollarëve

“Ministria e Financave është shumë falënderuese ndaj Ambasadës së SHBA-ve për gjithë ndihmën që ka ofruar për Doganën e Kosovës, duke përfshirë edhe këtë donacion që është me vlerë të madhe për ne, sidomos në këtë kohë kur Dogana po ngarkohet çdo ditë e më shumë me detyra, në veçanti në zbatimin e ligjit për të ofruar një siguri më të madhe për qytetarët e vendit”, tha sot ministri i Financave Bedri Hamza në ceremoninë e dhënies së donacionit për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Programi për Kontrollin e Eksportit dhe Sigurisë së Ndërlidhur Kufitare të SHBA-ve (EXBS) dhe Departamenti i Energjisë (DOE) kanë dhuruar pajisje në vlerë prej 1 milion e 100 mijë dollarë për Ministrinë e Punëve të Brendshme – Policinë Kufitare dhe Qendrën Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit, Ministrinë e Financave – Doganat, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë – Departamentin për Kontrollin e Tregtisë me Mallra Strategjike dhe Agjencinë e Kosovës për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore.

Me këtë rast, ministri Hamza tha se “Përfitimet nga ky donacion janë shumë dimensionale, e para Dogana e Kosovës do të jetë e pajisur me informata më të besueshme nga baza e re e të dhënave që po përditësohet në Qendrën Nacionale për Menaxhimin e Kufijve, e që ndikon në rritjen e efikasitetit dhe kualitetit të punës së Doganës. E dyta përfiton Ministria e Financave si dhe bizneset, sepse Ministria e Financave do të ketë të hyra më të mëdha në buxhet nga luftimi i kontrabandës, ndërsa bizneset do të kenë një ambient më të mirë për të bërë biznes.

“Por, nga ky donacion përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët e Kosovës të cilët do të ndihen më të sigurt nga përdorimi i llojeve të ndryshme të mallrave të cilat gjenden në tregun tonë, duke përfshirë edhe luftimin e hyrjes së drogave të ndryshme, armëve etj”, shtoi Ministri Hamza.

Ndërsa, Ambasadori i ShBA-ve, Greg Delawie, theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të bashkëpunuar me Institucionet e Kosovës për forcimin e kufijve, sepse sipas tij kufijtë e fortë i lehtësojnë udhëtarëve të ligjshëm të kalojnë kufirin por edhe parandalojnë krimin dhe korrupsionin.

“Jemi shumë krenarë për punën tonë në aftësimin e zyrtarëve me metodat më të reja, por edhe për bashkëpunimin që këto agjenci të kenë pajisje që iu nevojiten për të kryer operacione efikase dhe të efektshme”, shtoi ambasadori Delawie.

Ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj, tha se “MPB është e përkushtuar që të punojë së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vlerësoi se ky donacion është shumë i mirëseardhur për Kosovën, me qenë se kufijtë e fuqishëm promovojnë sigurinë e brendshme dhe rajonale”.

Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, duke shprehur mirënjohje për ndihmën e SHBA-ve për institucionin që ai drejton tha se ky bashkëpunim shpresoj se do të vazhdojë edhe në të ardhmen me qëllim të ngritjes së cilësisë dhe performancës së institucioneve tona në kontrollim më të mirë të kufirit.

KOMENTE