/2L ONLINE/ – Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) përmes një kumtese vlerëson se gjendja aktuale në Teatrin e Gjilanit është e rëndë dhe me prirje të përkeqësimit të saj të mëtutjeshëm në kontekstin menaxhues, artistik dhe profesional. Kjo gjendje është rezultat i injorimit dhe i trajtimit të padinjitetshëm të këtij institucioni artistik dhe kulturor nga Komuna e Gjilanit dhe nga autoritetet përkatëse përgjegjëse komunale, të cilat në vazhdimësi, gjatë vitit 2014 dhe gjatë tre muajve të parë të vitit 2015, e kanë anashkaluar dhe nuk e kanë mbështetur pothuaj fare financiarisht funksionimin dhe veprimin e këtij teatri.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së konstaton me keqardhje se, përkundër dëshirës, pasionit, vullnetit gatishmërisë dhe angazhimit të vazhdueshëm të artistëve në Teatrin e Gjilanit, ata, gjatë këtyre ditëve, për shkak të mungesës së mbështetjes financiare dhe të mungesës së gatishmërisë së autoriteteve komunale për vazhdimin e kontratave të aktorëve, në shenjë reagimi, proteste dhe pakënaqësie, me të drejtë janë detyruar t’i anulojnë reprizat e mëtutjeshme të njërës nga shfaqjet e këtij teatri.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së vlerëson se mungesa e mbështetjes financiare nuk është burimi i vetëm i shqetësimeve në Teatrin e Gjilanit. Për shkak të neglizhencës dhe injorimit nga Komuna e Gjilanit, krejt në kundërshtim me Ligjin për Teatrot, ky teatër, që prej disa vitesh, vazhdon të veprojë pa Udhëheqës Artistik dhe pa një strukturë të konsoliduar të Ansamblit Rezident të Aktorëve, ndërkohë që, përkundër premtimeve të vazhdueshme nga autoritetet komunale për ndryshimin e gjendjes, aktorët dhe stafi teknik i këtij teatri, që nga dhjetori i vitit 2014, edhe më tutje vazhdojnë të jenë pa kontrata.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së përkujton se, në përputhje me Nenin 19 (Pika 3) të Ligjit për Teatrot, Komuna e Gjilanit është e obliguar që t’i sigurojë dhe t’i destinojë mjetet financiare për veprimtarinë e artistike, krijuese, administrative dhe menaxhuese të Teatrit të Gjilanit. Mungesa e mbështetjes financiare për këtë teatër është injorim dhe shkelje e rëndë e ligjit dhe, si e tillë, nënkupton pasoja dhe konsekuenca juridike për të gjithë ata që nuk e respektojnë dhe nuk e zbatojnë atë.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së e vlerëson rolin dhe rëndësinë e Teatrit të Gjilanit në zhvillimin dhe konsolidimin e jetës artistike e kulturore në Qytetin e Gjilanit, kontributin e veçantë të këtij teatri për promovimin e dramaturgjisë kombëtare dhe zhvillimin e kulturës teatrore përmes organizmit të Festivalit “Talia e Flakës”, lidhjen, afinitetin, mikpritjen dhe traditën e gjatë skenike të publikut gjilanas, si dhe rolin dhe vendin e Teatrit të Gjilanit në konfiguracionin e përgjithshëm të skenës teatrore vendore. Vlerat e këtilla janë pasuri jo vetëm për komunitetin artistik gjilanas dhe për qytetarët e Gjilanit, por edhe për kulturën kombëtare dhe, si të tilla, nuk guxojnë të injorohen, të shpërfillen dhe të degradohen.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së fton Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, që, në funksion të parandalimit të përkeqësimit e të degradimit të mëtutjeshëm të gjendjes në Teatrin e Gjilanit, në përputhje me kompetencat e tij, gjithnjë duke u bazuar në Ligjin për Teatrot, t’i trajtojë urgjentisht kërkesat dhe nevojat financiare të Teatrit të Gjilanit, ta ndajë buxhetin për repertorin artistik të këtij teatri për vitin 2015, të përshpejtojë procedurat e shpalljes së Konkursit për Drejtorin e Përgjithshëm të Teatrit, të Konkursit për Udhëheqësin Artstik, të Konkursit për pranimin e aktorëve dhe konsolidimin e Ansamblit Rezident të Aktorëve, si dhe të Konkursit për pranimin e stafit teknik. Mungesa e veprimit urgjent për realizimin e këtyre kërkesave të ligjshme do ta degradojë dhe do ta thellojë edhe më shumë krizën dhe gjendjen e mjerueshme në Teatrin e Gjilanit.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së do ta mbështesë çdo formë demokratike të veprimit, të reagimit dhe të protestës së artistëve, krijuesve dhe punëtorëve të tjerë të Teatrit të Gjilanit në përpjekjet e tyre për respektimin dhe zbatimin e ligjit, për rikthimin e dinjitetit dhe për respektimin e të drejtës së tyre për të punuar dhe për të krijuar, thuhet në fund të kumtesës. /2L ONLINE/