/2L ONLINE/ – Derisa ka të tillë që ankohen se projekti i Kampusit të shkollave të mesme të Gjilan, ka nxjerr në pah mosfunksionalitet dhe sipas tyre, për rrjedhojë ka shkaktuar pakënaqësi, për të tjerë vlerësohet si projekt i mirë e i qëlluar, që po funksionon.
Naim Shaqiri mësimdhënës në shkollën e mesme teknike “Mehmet Isai”, ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se ky është hapi i parë drejt normalizimit të gjendjes dhe duhet dhënë rast të tregohet ky projekt. “Është një diçka që është kërkuar dhe nuk duhet pritur të shihet rezultati menjëherë, por sigurt se pas disa muajve gjithsesi se ka mu vërejt”, ka thënë Shaqiri.
Sipas tij, qysh sot vërehet fakti i “pastrimit” të këtij ambienti nga ata që nuk janë as nxënës e as mësimdhënës, e që mund të jenë problematik potencial. Rrethojat, që për dikë mund të shihen të vrazhda, në fakt ato po tregohen të efektshme e po e kryejnë funksionin. “Me një fjalë po e ndajnë shapin prej sheqerit” ka thënë mësimdhënësi Shaqiri. Për, pjesën tjetër të angazhimeve varet nga vet stafi mësimor se sa afrohemi me nxënës, për integrim të tyre e jo për ndarje/veçim.
Lidhur me kërkesën e kolegëve mësimdhënës që ata të kenë hyrje të veçantë, Shaqiri mendon se nuk bënë të ndahemi prej nxënësit. ‘Metodat e mësimdhënies nuk e tolerojnë atë. Qytetaria demokratike nuk është me u nda, por është me u bashkua, me u ofrua me u përzije, duke qenë bashkë edhe i japim shembull të mirë edhe i edukojmë, edhe të gjitha gjërat tjera pozitive”, ka thënë Shaqiri.
Sa i përket ankesës së disave për çmime të shtrenjta që ofrohen në kantina, Shaqiri tha se nuk vlerëson se bënë të krahasohen pasi nëse shohim çmimet, kafeteri me kafeteri (kantinë) ato janë konkurruese edhe brenda kampusit, por se edhe nuk është obligative që duhet nxënësit patjetër të shkojnë aty. Ai thotë se vet prindërit e nxënësve të tij i porositë që, fëmijët e tyre, mund të marrin ujë e ushqim edhe nga shtëpia, nëse u duken çmimet e shtrenjta, por jo me refuzua idenë e Kampusit, përderisa nuk i kanë dhënë rast për të parë rezultatin.
Sido që të jetë, Shaqiri pret që ky projekt të avancohet edhe më tutje, me fazat tjera, të ndërtohen objekte sportive, salla leximi e mbase edhe ndonjë sallë për rekreacion, dhe vërtetë të jetë pastaj një Kampus model edhe për shkollat tjera. /2L ONLINE/