Pa Shaqirin nuk ec më asgjë. Jo vetëm në fushat e futbollit por edhe gjetiu. Ka disa javë që në çdo të dytën hapësirë për reklama në Zvicër do ta shohësh Shaqirin në madhësi natyrore, në reklama prej kartoni, Shaqiri po ashtu jep autografe nga Bazeli në Cyrih, jep intervista nga televizioni Joiz e deri te gazeta NZZ. Ky është Xherdan Shaqiri, ose Xheri, siç e quajnë vëllezërit e tij. I lindur në Kosovë dhe i rritur në një rrethinë rurale të Zvicrës, në Augst, Shaqiri magjik ka mbi 1 milionë fansa në facebook.
Vetëm legjenda e tenisit, Roger Federer ka më shumë fansa se ai. Ka të ardhura prej 3 milionë frangash në vjet, ka një kontratë me njërin ndër klubet më të mëdha në botë, FC Bajernin, me të cilin ka arritur gjithë çka mund të arrihet në futboll.
Dhe megjithatë, ai ka mbetur “me këmbë në tokë”. Kjo cilësi thotë se i vjen pasi që është i vetëdishëm se prej çfarë kushtesh ka ardhur këtu ku është. “Kemi jetuar në kushte të varfra dhe e di se si është kur ke dhe kur nuk ke”, thotë Shaqiri në një intervistë të gjatë me javoren “Friday” të Zvicrës.
Edhe në këtë intervistë ai tregon anën e tij njerëzore, të njeriut të thjeshtë. Thotë të ketë qarë për herë të fundit kur i ka vdekur gjyshi, para rreth gjysmë viti.
Shaqiri pranon se për famën e tij të madhe, sidomos për numrin e madh të fansave në facebook i detyrohet faktorit shqiptar. “Votat më vijnë nga disa shtete”, duke menduar Zvicrën, Kosovën dhe Shqipërinë, dhe kjo e bën diferencën. Lidhur me famën në Kosovë, ai thotë se sidomos “nga momenti kur jam bërë shqiptari i parë që ka fituar ligën e kampionëve, atje jam bërë njëfarë `heroi i vogël`.
Xheri deklaron se nuk ka ende ndonjë të dashur dhe pret që ajo një ditë “të bjerë nga qielli”. Ndërsa lidhur me religjionin thotë se është besimtar por jo ekstrem. “Kam dëshirë ta pi nganjëherë ndonjë gotë verë të kuqe. Birrat nuk më pëlqejnë, edhe pse luaj për Bajernin”.
Xhuxhi magjik, sado modest që tregohet, ambiciet dhe besimin në vete nuk i ka “bash” modeste. Si qëllim të tij në futboll me kombëtaren zvicerane ka fitoren në Kampionatin Botëror të futbollit ndërsa në planin personal ta fitojë “Topin e artë”, si futbollist i vitit në botë.
Sa i përket Botërorit aktual, Shaqiri shpreson dhe beson se Zvicra krahas Belgjikës do të jetë befasia e Brazilit 2014.
albinfo.ch
http://www.albinfo.ch/sq/sporti/shaqiri-synoj-titullin-e-kampionit-t-bot-s-dhe-topin-e-art