Shaqiri: Letër Jahjagës
Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga ditë më parë dekoroi yjet shqiptar që luajnë në klubet e ndryshme evropiane. Ajo ka dekoruar me titull: “Ambasador Nderi i Kosovës”, futbollistët si: Xherdan Shaqiri, i cili luan për Bayernin e Munihut dhe kombëtaren e Zvicrës, Granit Xhakën për Monchengladbach-in dhe kombëtaren e Zvicrës, Adnan Januzajn e Manchester Utd, Valon Behrami (FC Napoli dhe Zvicra). Xherdan Shaqiri, falënderon presidenten që i ka dekoruar “Ambasador Nderi i Kosovës”, duke dërguar një letër.
“Shkëlqesia juaj zonja Presidente, të nderuara zonja dhe zotërinj, Kosova si vend relativisht i vogël dhe shtet i ri, është me fat që nga gjiri i sajë po nxjerrë talentë të rrallë në shumë sporte me të cilët krenohet jo vetëm vendi dhe kombi ynë por edhe sportdashësit anë e këndë globit tonë.
Ata, tashmë po mahnitin botën me sukseset dhe talentin e tyre, duke u shndërruar kështu në idhuj jo vetëm në vendet ku e zhvillojnë karrierën e tyre sportive por edhe përtej tyre. Të tillë kemi sot jashtëzakonisht shumë nëpër botë si në sportet individuale po ashtu edhe në ato ekipore, të cilët me punën, përkushtimin dhe talentin e tyre po e nderojnë dhe afirmojnë si askush tjetër vendin tonë në arenën ndërkombëtare.
Jam i lumtur që edhe unë jam një pjesë e vogël e asaj armate të madhe të sportistëve tanë meritorë nëpër botë dhe kjo mirënjohje ju dedikohet të gjithë atyre vajzave dhe djemve shqiptarë anembanë botës të cilët, me vullnet dhe përkushtim përmes sportit arrijnë që t’i afirmojnë potencialin dhe vlerat tona më të çmuara!
Prandaj, me rastin e pranimit të kësaj dekorate nga institucioni me i lartw i Republikës së Kosovës, shfrytëzoj rastin që në emër të të dekoruarve dhe në emër të të gjithë sportistëve shqiptarë kudo që ndodhën ata ta falënderojmë nga zemra Presidenten e Kosovës znj.Atifete Jahjaga dhe përmes saj edhe mbarë popullin dhe institucionet e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme për neve dhe kolegët e mi gjithandej…!
Urojmë që Institucionet relevante në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë të bëjnë më shumë për sportin dhe sportistët në mënyrë që talentët e lindur sportivë ta gjejnë edhe rrugën e suksesit…!
“Faleminderit, faleminderit, faleminderit. Thank You! Danke! Grand Mercie! Grazie!”, me respekt Xherdan Shaqiri.
