Shaqiri krenar me të kaluarën, “Shtëpia nuk kishte nxemje qëndrore, ruanim paratë për Kosovë”

Shaqiri krenar me të kaluarën, “Shtëpia nuk kishte nxemje qëndrore, ruanim paratë për Kosovë”

Si shumë shqiptarë të shpërndarë nëpër botë, edhe familja Shaqiri nga Zhegra e Gjilanit kishte një fat të tillë. Ata jetojnë prej vitesh në Zvicër dhe fati deshi që djali i dytë i familjes, Xherdan Shaqiri të mirrej me sport, futboll.

Nga viti në vit, karriera e Shaqirit po vazhdonte me suksese individuale dhe ekipore, dikur me Bayern Munich dhe Kombëtaren e Zvicrës, tani në ekipin e trofeshëm anglez, Liverpool.

Por, Xherdan Shaqiri bashkë me familjen në të kaluaren jetonin në kushte shumë të vështira, e këtë e pranoi edhe vetë futbollisti i njohur.

“Shtëpia jonë nuk kishte nxehje qendrore. Vetëm një oxhak të madh. Ishte një shtëpi shumë e vjetër në një fermë në Basel, ishte ashtu si ishte. As që më shkonte mendja për shtëpinë dhe kushtet e saj, ngrohesha vetë duke vrapuar si një budalla. Vëllai im i madh ishte ai që ankohej më së shumti për të ftohtin, pasi që dhoma e tij ishte sipër, larg nga oxhaku. Ai detyrohej të mbulohej ndoshta me pesë batanije gjatë kohës së dimrit”, ka thënë Shaqiri në një deklaratë të sinqertë.

Ai, ka shtuar: “Zvicra është një vend i shtrenjtë për të gjithë, por ishte shumë më i vështirë për prindërit e mi sepse ata dërgonin para tek familjarët tanë që ishin në Kosovë”.

Sot, Xherdan Shaqiri është futbollisti me dy trofe të Ligës së Kampionëve, një me Bayernin dhe një me Liverpoolin. Ai gëzon respekt për talentin dhe aftësitë e tij në futboll, ndërsa sukseset e tij sigurisht se kanë edhe kosto, duke rritur vlerën e tij në treg në miliona euro.

KOMENTE