Shkruan: Zejnullah Jakupi
(2L ONLINE) – Mbase u ftohëm pakëz nga emocionet dhe plagët traumat psikike që morëm më 14 tetor, duhet vazhduar aty ku e lamë! Ti shohim gjërat shtruar dhe me gjakftohtësi. Çfarë është simboli, ikona, piktogrami, emblema, Miti? Po ti kuptonin njerëzit shtruar konceptet mbi simbolet, nuk do të bëheshin aq naiv, ta luftonin ose ta vrisnin njëri-tjetrin për çështje simbolesh, të cilat mbase janë karta identiteti!
Kështu ndodhi edhe në stadium në Beograd. Serbët, edhe nëse i shohim në njëjës ose në shumës, në këtë fillim-shekull nuk kanë përjetuar transformimin… Në kokat e tyre, akoma, brez pas brezi, kultivohet ultra-nacionalizmi. Në kohën kur ata si gjithë kombet tjera, krijuan simbolet ata ishin pjesë e fisit dhe të Zadrug-ës.
Asaj i besonin dhe me kaq përfundonte roli i tyre në shoqëri. Mënyra e jetës ishte e paracaktuar. Si pjesëtarë të një shoqërie tradicionale ata nuk përjetonin kriza identiteti nuk kishin ide kombëtare dhe e fituan me zor nga elita e tyre. Duke qenë popull më i fuqishëm dhe më i përkëdhelur nga fuqitë e mëdha, serbët krijuan mitin mesjetar, “nebeski naraod”-in.
Në kohët moderne dhe post-moderne nacionalizmi i shekullit 19 dhe 20 deri diku ka humbur funksionin. Ai nuk pranohet sepse është një koncept i ngurtë. Ndërsa identiteti si i tillë, është kompleks dhe problematik.
Identiteti mbetet megjithatë një iluzion ose më mirë të themi subjektivitet, konstrukt imagjinar, është pra mënyra se si duam të dukemi, çfarë vlerash dhe norma parapëlqejmë, si dhe nga kush do te udhëhiqemi, si do të na shohin dhe pranojnë të tjerët? Në kohën post -moderne gjithashtu është thelbësore si na shohin të tjerët dhe si e definojmë ne vetveten?
Natyrisht në krijimin e simboleve kombëtare askush nuk e ka pyetur askënd. Ato janë krijuar për tu kufizuar për ta “trishtuar” njëri-tjetrin, pa përfillur pikëpamjet e të tjerëve. A mund të thuhet se miti serb për Kosovën dhe shqiptarët nuk po transformohet ose nuk po ndryshon fare as në kohën post-konfliktit?
Së pari, pse duhet të kemi frikë nga kulturat e njeri-tjetrit? A përbënë krim, ta duash e ta respektosh kulturën, traditën tënde, simbolet kombëtare? Kjo nuk duhet ta frikësoj askënd, pra as simbolet shqiptare, billbordet, as shqiponja KUQ e ZI, nuk janë simbole të ndaluara me ndonjë ligj ndërkombëtar, atëherë mbase këto janë simbole identiteti, ato duhet ti respektojmë! Nëse harta që u lëshua mbi stadium të Beogradit, pajtoheni se ishte një simbol, një ikonë ekstreme, atëherë pse, së paku, nuk njihet dhe nuk tolerohet flamuri zyrtar, shqiponja kuq e zi? Pse fansat serb, nuk mund ta shikojnë flamurin kuq e zi, pse u sjell neveri? Ky simbol kombëtar është i pranuar zyrtarisht!
Dhe,shqiptari si gjithnjë i pari shtrin dorën e pajtimit. Edhe kesaj here u nis për në Beograd, jo për të rrahur as për të skandalizuar, fansat ose simbolet e shtetit dhe popullit serb. Ata shkuan atje thjesht për të vizituar Beogradin, për tu njohur me popullin dhe futbollin serb, për të shikuar ndeshjen e dy kombëtareve. Disa bile mund të kishin shkuar për herë të parë në Beograd. Morën ca flamuj kuq e zi me vete dhe kaq, nuk do ishte bërë nami!!!
Por ata nuk u lejuan të futen në stadiun. U bastisën si të ishin terrorist. Tash shtrohet pyetja, kur dhe a do të ishte një gjë e tillë e mundshme? A janë të gatshëm serbët për pajtim, tu njohin shqiptarëve simbolet dhe të mos frikohen nga identiteti i tyre. Ndeshja e futbollit ishte rasti i parë, dhe e humbën, ose e humbëm! Sporti si ndërmjetësim nuk funksionoj. Nuk e pranuan, këtë shtrirje dore të pajtimit. Nuk duhet humbur shpresat! Shqiptarët disa herë, në mënyra zyrtare, e private i ftuan politikanët, këngëtarët, artisët serbë dhe i pritën si miq, si në Tiranë si në Prishtinë.
Edhe sikur ndeshja të luhej në Shqipëri, a Prishtinë, populli shqiptar, qytetarët e saj e as fansat, kurrë nuk do ti bënin këto skandale. Ndoshta duhet sa më shpejt të mundësohet një ndeshje e tillë dhe të lejohen dy palët të hyjnë brenda, të zhvillohet një ndeshje si në një vend mik, ashtu siç zhvillohet në Berlin, mes ekipit gjerman dhe atij francez. Shqiptarët janë popull mik dhe, ma merr mendja se presin nga serbët, të ndryshojnë, edhe për faktin se integrimi evropian nuk mund të ketë kuptim dhe, as që mund të bëhet, pa pajtimin e anëtarëve të saj, pa përfunduar ky proces.
Populli serb dhe populli shqiptarë janë popuj fqinjë. Dikur ishin në hasmëri tani duhet të jenë në miqësi! Në Shqipëri, e më shumë në Kosovë ka serbë, gjithashtu në Serbi ka akoma shqiptarë si në Bujanovc, Preshevë dhe Medvegjë që bashkëjetojnë me serbët. Gjithashtu, ka shumë shqiptarë që jetojnë në Serbi, gjithandej edhe në kryeqytetin serb, edhe pse shkelen të drejtat e tyre dhe shqiptarët janë akoma të diskriminuar.
Kjo mund të jetë edhe për faktin se vet shteti dhe populli serb nuk ka një mirëqenie të kënaqshme ekonomike. Mbase nuk ndihet as vet mirë, nuk ka se si ti pranoj të tjerët, në këtë gjendje mjerimi. Serbia dhe populli serb, jo vetëm politikanët dhe elita zyrtare duhet të filloj që tash, pajtimin, kërkim faljen ndaj shqiptarëve, për të bëmat dhe terrorin e ushtruar ndaj shqiptarëve në Kosovë para dhe gjatë luftës.
Populli serb, qytetarët e saj, secili në veten e vet, të fillojë ti tí heq mitet e veta dhe paragjykimet ndaj fqinjëve. Sa më herët të ndodh kjo aq më mirë! Populli serb duhet njëherë e përgjithmonë ti përqafoj fqinjët e tyre!
Shqiptarët nga ana e tyre janë gati, pavarësisht gjithë atyre masakrave dhe gjenocidit të ushtruar nga shteti dhe strukturat e saja tash e një shekull më parë.
Se shqiptarët si komb janë komb mik, këtë e kanë dëshmuar gjatë gjithë historisë. Serbët dhe shqiptarët, do të jetojnë dhe bashkëjetojnë me dhe pran njëri-tjetrit. Do të jenë dy popuj miqtë të mirë! Do jenë shembull për të gjithë rajonin! /2L ONLINE/