/2L ONLINE/ – Zhvillimet e fundit në Partinë e Drejtësisë, përçarjet në këtë subjekt, nuk kanë lënë pa e prekur as Degën e këtij subjekti në Gjilan. Derisa sot njëra palë, me bekimin e kryetarit të PD-së Ferid Agani, ka thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm, që pritet ta shkarkojë kryetaren e aktuale të Degës dhe të zgjedhë strukturat e reja, pala tjetër ka vlerësuar se kjo Degë është stabile dhe e unifikuar dhe nuk do të njohin asnjë vendim të askujt që del nga strukturat e shkarkuara në Kuvendin e 28 shtatorit 2016 deri ne vendimin përfundimtar te KQZ-së.
“Ne si degë edhe publikisht i bëjmë thirrje z. Aganit dhe njerëzve të tij, tashmë të shkarkuar edhe me Kuvendin e PD-së, që të vetëpërmbahen në veprime e mos të instrumentalizojnë me masën në Anamoravë gjoja për organizim të kuvendit të Degës së PD-së në këtë qytet, një veprim kundërligjor në çdo normë të shoqërisë sonë”, thuhet në një reagim, të strukturave të tanishme që e vlerësojnë vetën legjitime, e që për kryetar aktual të saj kanë Selvete Shurdhanin. Reagimi i tillë vjen pas bërjes publike të krahut tjetër se sot në Gjilan, PD-ja do të mbajë Kuvend të Jashtëzakonshëm.
Lidhur me Kuvendin e Jashtëzakonshëm të ftuar për sot, Gëzim Shala, kryetar i Këshillit Inicues, ka bërë të ditur për Portalin 2L ONLINE, se, pas pezullimit të Degës, sot do të mbahen një Kuvend i tillë i Degës, e ku pritet të shkarkohet kryetarja e deritanishme Selvete Shurdhani dhe të zgjidhet kryetari i ri, bashkë edhe me strukturat e reja.
Shala ka bërë të ditur se Kuvendi është thirrur, pasi siç dihet Dega e Gjilanit ka qenë e pezulluar dhe se në këtë kuvend janë ftuar rreth 100 delegatë, nga të cilët pritet të shkarkohen strukturat aktuale bashkë me kryetaren Shurdhani, dhe të zgjidhet kreu i ri i PD-së së Gjilanit bashkë me strukturën tjetër të Degës.
Shala ka thënë se Kuvendi i Jashtëzakonshëm është rrjedhojë e pezullimit të strukturave aktuale të Degës së Gjilanit, për shkak të shkeljeve statutare, siç ka ndodhë edhe me disa Degë të tjera në Kosovë, dhe ky Kuvend, pas shkarkimit të kryetares dhe strukturave aktuale, do të zgjedh një kryetar të ri dhe strukturat të reja, që pritet të jenë kuadro të dëshmuara dhe njerëz të dëshmuar për t’ia kthyer PD-së vendin e merituar në skenën politike të Gjilanit.
Shala thotë se nuk janë përjashtues ndaj askujt, andaj pret që edhe kryetarja e deritanishme Selvete Shurdhani, por edhe të tjerët, të vazhdojnë, edhe pas këtij kuvendi, të japin kontributin e tyre në PD, sepse ky subjekt do të fuqizohet dhe do ta rikthejë mbështetjen që pati edhe nga ata, që për ndonjë arsye ishin larguar, por edhe do ta zgjerojë këtë mbështetje, sepse PD-ja në këtë anë, përkatësisht në Anamoravë, ka përkrahje të madhe.
Përndryshe, Kuvendi i jashtëzakonshëm i thirrur për sot nga mbështetësit e Ferid Aganit, pritet të mbahet në ora 17 e 30, ndërsa Portali 2LONLINE, mëson se aty pritet të zgjidhet kryetari i ri i Degës, që sipas burimeve brenda PD-së, do të jetë magjistër Skënder Berisha.
Duke parë këtë “luftë” mes krahëve në PD, për legjitimitet, pritet të shihen zhvillimet e reja në këtë drejtim, pasi të shihet se çfarë do të prodhojë Ky Kuvend i sotshëm, që për dikë është legjitim, e për dike jolegjitim. /2L ONLINE/