Shabani: Një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të shërbimeve dhe lehtësimit të jetës së qytetarëve tanë
“Sot, së bashku me zyrtarin e IT-së të Komunës së Gjilanit Leutrim Mujin, realizuam një vizitë në Spitalin Regjional të Gjilanit, ku u pritëm nga shefi i repartit të Neonatologjisë Dr. Blerim Bajrami, shefin e infermierisë Kushtrim Syla dhe motra kryesore, motra Elvira”, ka bërë me dije, Elbasan Shabani, drejtor i Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme në Komunën e Gjilanit.
Shabnai bëri me dije se gjatë kësaj vizite, u njoftuan nga afër me pilot-projektin e ri që sjell lehtësira të mëdha për regjistrimin e lindjeve dhe modernizimin e shërbimeve për qytetarët.
“Qytetarët nuk kanë më nevojë të lëvizin nga një institucion në tjetrin për të përfunduar procedurat që lidhen me regjistrimin e lindjes së fëmijës. Të dhënat për të porsalindurin dhe prindërit regjistrohen në mënyrë digjitale përmes tabletit, direkt në institucionin shëndetësor, dhe më pas barten automatikisht në sistemet përkatëse shtetërore”, ka thënë drjetori Shabnai.
Sipas tij, këto të dhëna integrohen në sistemin shëndetësor, regjistrin civil, skemat e benefiteve për fëmijë dhe lehona, si dhe në institucionet tjera relevante, duke eliminuar nevojën për dokumente fizike, aplikime të ndara dhe pritje të panevojshme. /2LONLINE/
