DYLON

“Sfinga e Gjallë” rikthehet si radiodramë – një udhëtim i fuqishëm në universin filozofik të Rexhep Qosjes

“Sfinga e Gjallë” rikthehet si radiodramë – një udhëtim i fuqishëm në universin filozofik të Rexhep Qosjes
Avatar photo Redaksia

Pas një mungese të gjatë të prodhimeve radiofonike dramatike në Kosovë, nesër në ora 19:00 do të jepet premierë radiodrama “Sfinga e Gjallë” e Rexhep Qosjes, në valët e Radio Energji 103.3 FM.

Në lidhje me këtë projekt Portali 2LONLINE, ka realizuar një intervistë me drejtuesin e këtij projekti, regjisorin Shkelzen Berisha.

EkoHigjiena

***

2LONLINE: I riktheheni Gjilanit me një projekt të ri që ka të bëjë me një radio dramë. Për çfarë bëhet fjalë më konkretisht?

SHKELZEN BERISHA: Po, bëhet fjalë për realizimin e radio-dramës “Sfinga e Gjallë” të Rexhep Qosjes, në kuadër të nismës “Zëri i Trashëgimisë – Radio Drama nga Dramaturgjia Kosovare”, një iniciativë që e kam menduar ta filloj diku në vitin 2010. Synimi i projektit është rikthimi i radio-dramës si një formë artistike që për shumë vite ka munguar në Kosovë, duke sjellë veprat e rëndësishme të dramaturgjisë sonë në një format bashkëkohor audio. Përmes një ekipi profesionist të aktorëve dhe realizuesve teknikë, kemi krijuar një produkt artistik që promovon trashëgiminë tonë . Njëkohësisht, ky projekt ka një rëndësi të veçantë sepse shënon realizimin e parë të një radio-drame në Gjilan, duke bashkuar një numër të madh krijuesish dhe profesionistësh të këtij qyteti në një projekt të përbashkët kulturor, me synimin që kjo nismë të vazhdojë edhe në të ardhmen me vepra të tjera të dramaturgjisë kosovare.

2LONLINE: Çfarë ju shtyu të zgjidhni pikërisht “Sfingën e Gjallë” të Rexhep Qosjes për ta sjellë në formatin e radio dramës?

SHKELZEN BERISHA: Ka disa arsye pse zgjodha pikërisht “Sfingën e Gjallë”. Së pari, kemi të bëjmë me një vepër me vlera të veçanta artistike, filozofike dhe dramaturgjike, e cila edhe sot vazhdon të komunikojë fuqishëm me publikun përmes temave universale që trajton. Së dyti, gjatë konceptimit të projektit kam pasur parasysh edhe 90-vjetorin e lindjes së akademikut Rexhep Qosja, si një mënyrë për të nderuar jetën dhe veprën e tij përmes një forme të re interpretimi artistik. Fatkeqësisht, gjatë periudhës së realizimit të projektit, akademiku Qosja ndërroi jetë, duke i dhënë kësaj radio-drame edhe një dimension tjetër simbolik e emocional. Prandaj, për ne, “Sfinga e Gjallë” nuk është vetëm një vepër e rëndësishme e dramaturgjisë shqiptare, por edhe një homazh për një nga figurat më të mëdha të kulturës dhe mendimit shqiptar.

2LONLINE: Duke qenë se kemi të bëjmë me një vepër komplekse filozofike dhe psikologjike, cili ka qenë sfida më e madhe në përshtatjen e saj për mediumin radiofonik?

SHKELZEN BERISHA: Sfida më e madhe ka qenë ruajtja e thellësisë filozofike dhe psikologjike të veprës në një medium që mbështetet ekskluzivisht te zëri dhe tingulli. Në teatër, aktori ka në dispozicion lëvizjen, mimikën dhe elementet vizuale, ndërsa në radio gjithçka duhet të përcillet përmes interpretimit vokal, ritmit të dialogut, muzikës dhe atmosferës zanore. Për këtë arsye, është dashur një punë shumë e kujdesshme në adaptimin dramaturgjik dhe në ndërtimin e peizazhit akustik të veprës, në mënyrë që dëgjuesi jo vetëm ta ndjekë rrëfimin, por edhe ta ndiejë tensionin emocional dhe botën e brendshme të personazheve. Mendoj se pikërisht këtu ka qenë edhe sfida, por njëkohësisht bukuria më e madhe e këtij projekti.

2LONLINE: Sa ka qenë e rëndësishme puna me zërin, muzikën dhe efektet zanore për të krijuar atmosferën që kërkon kjo vepër?

SHKELZEN BERISHA: Ka qenë vendimtare. Në një radio-dramë, zëri, muzika dhe efektet zanore nuk janë thjesht elemente shoqëruese, por janë vetë mjeti përmes të cilit ndërtohet universi dramatik. Në këtë aspekt, muzika origjinale e Gëzim Pirës ka pasur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ai ka krijuar një identitet muzikor të veçantë për veprën, duke u mbështetur në motive dhe ndjeshmëri që burojnë nga tradita e muzika epike shqiptare, por të trajtuara në një formë bashkëkohore e dramatike. Për më tepër, Gëzimi ka qenë i pranishëm pothuajse në çdo provë, duke kontribuar jo vetëm si kompozitor, por edhe si bashkëkrijues në procesin artistik, me vërejtje dhe ide që kanë ndihmuar në formësimin e atmosferës së përgjithshme të radio-dramës. Po aq i çmuar ka qenë edhe kontributi i Besim Baftiut, profesionalizmi i të cilit ka qenë kyç në realizimin teknik të projektit. Përveç incizimit, inxhinierimit të zërit dhe miksimit final, ai ka dhënë vazhdimisht sugjerime dhe udhëzime teknike që kanë ndihmuar në materializimin sa më të saktë të konceptit tim artistik. Përvoja e tij ka bërë që çdo zë, çdo efekt dhe çdo detaj akustik të gjejë vendin e duhur, duke krijuar një atmosferë jashtëzakonisht reale për dëgjuesin. Një falënderim të veçantë meriton edhe Radio Energji, e cila na ka mbështetur gjatë gjithë procesit, veçanërisht në aspektet teknike të post-produksionit. Mendoj se pikërisht bashkimi i këtyre energjive krijuese dhe profesionale i ka dhënë “Sfingës së Gjallë” dimensionin artistik që dëshironim të arrinim.

2LONLINE: Në këtë projekt janë angazhuar aktorë nga Gjilani. Kush janë ata dhe çfarë mendoni se i kanë sjellë ata kësaj radio drame?

SHKELZEN BERISHA: Në këtë projekt janë angazhuar aktorët Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi, Florent Salihu, Naser Zymberi, Ali Demi, Djellza Dema, Aurita Agushi, Valon Nuhiu, Blendi Arifi dhe Artan Selimi. Ajo që dua të theksoj është se Gjilani ka një potencial të jashtëzakonshëm artistik. Vetëm nga ky qytet kemi mbi 60 aktorë të gjeneratave dhe moshave të ndryshme, gjë që për një komunitet si yni është një pasuri e madhe kulturore. Pikërisht për këtë arsye kam dashur që ky projekt të mbështetet kryesisht te krijuesit vendorë. Edhe pse për ta ishte hera e parë që punonin në formatin e radio-dramës, bashkëpunimi ka qenë jashtëzakonisht produktiv dhe profesional. Ata e kanë kuptuar shumë shpejt natyrën e mediumit dhe kanë arritur të përshtaten në mënyrë të shkëlqyer me kërkesat e interpretimit vetëm përmes zërit. Besoj se secili prej tyre i ka sjellë veprës individualitetin, përvojën dhe energjinë e vet krijuese, duke e bërë “Sfingën e Gjallë” një realizim të pasur artistikisht, shumë autentik dhe jashtëzakonisht të larmishëm me një konstelacion rolesh, ku secili personazh ka veçantinë e vet. 

2LONLINE: “Sfinga e Gjallë” trajton tema si identiteti, vetmia, kujtesa dhe e vërteta. Pse mendoni se kjo vepër mbetet aktuale edhe për dëgjuesin e sotëm?

SHKELZEN BERISHA: Mendoj se “Sfinga e Gjallë” mbetet aktuale sepse trajton tema që nuk i përkasin vetëm kohës kur është shkruar, por vetë natyrës njerëzore. Çështje si identiteti, vetmia, kujtesa, kërkimi i së vërtetës dhe raporti i individit me shoqërinë janë po aq të pranishme sot sa kanë qenë dikur. Njeriu vazhdon të përballet me dilema morale, me nevojën për t’u kuptuar dhe me përpjekjen për të gjetur vendin e vet në një botë gjithnjë e më komplekse. Një aspekt tjetër që e bën veprën shumë aktuale është mënyra se si ajo na nxit të reflektojmë mbi interpretimin e së kaluarës dhe të traditës. Shpesh, tradita dhe kujtesa kolektive keqinterpretohen ose përdoren sipas interesave dhe qëllimeve të individëve apo grupeve të caktuara, duke deformuar kuptimin e tyre të vërtetë. Pikërisht për këtë arsye, “Sfinga e Gjallë” vazhdon të komunikojë fuqishëm me dëgjuesin e sotëm, sepse na fton të vëmë në dyshim gjërat që i marrim si të mirëqena dhe të kërkojmë vazhdimisht të vërtetën përtej interpretimeve të gatshme.

2LONLINE: Sa e rëndësishme është, sipas jush, rikthimi i radio dramës si formë artistike dhe a mendoni se ajo mund të gjejë një audiencë të re në këtë kohë të platformave moderne?

SHKELZEN BERISHA: Mendoj se rikthimi i radio-dramës është shumë i rëndësishëm, jo vetëm si një përpjekje për të ruajtur një traditë artistike, por edhe si një mundësi për t’i dhënë asaj një jetë të re në rrethana krejtësisht të ndryshme nga ato të dikurshmet. Paradoksalisht, pikërisht epoka e platformave moderne e favorizon rikthimin e saj. Sot njerëzit dëgjojnë podkaste, libra audio dhe përmbajtje të ndryshme zanore gjatë udhëtimit, punës apo aktiviteteve të përditshme, prandaj radio-drama ka potencial real të gjejë një audiencë të re dhe shumë më të gjerë. Synimi është që kjo radio-dramë të shpërndahet edhe në platforma të ndryshme digjitale, t’u ofrohet radiove shqipfolëse brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe të arrijë te komunitetet tona në diasporë. Gjithashtu, planifikoj krijimin e një kanali të veçantë në YouTube, ku jo vetëm “Sfinga e Gjallë”, por edhe radio-dramat e ardhshme të nismës “Zëri i Trashëgimisë – Radio Drama nga Dramaturgjia Kosovare” do të jenë të qasshme për publikun. Qëllimi im është që kjo të mos mbetet një përvojë e vetme, por të shndërrohet në një platformë të qëndrueshme për promovimin e dramaturgjisë kosovare dhe shqiptare në vitet që vijnë.

2LONLINE: Kur dhe ku do të jepet kjo radio dramë?

SHKELZEN BERISHA: Premiera e radio-dramës “Sfinga e Gjallë” do të jepet nesër, më 18 qershor 2026, duke filluar nga ora 19:00, në valët e Radio Energji – Gjilan, në frekuencën 103.3 FM. Përveç transmetimit radiofonik, publiku do të ketë mundësi ta ndjekë drejtpërdrejt edhe përmes platformave online, konkretisht në faqen zyrtare të Radio Energji në Facebook, si dhe në profilin tim personal. Më pas, radio-drama do të vazhdojë rrugëtimin e saj përmes shpërndarjes në platforma të tjera digjitale dhe mediave shqipfolëse, me synimin që të arrijë te sa më shumë dëgjues në Kosovë, rajon dhe diasporë.

2LONLINE: Çfarë pritjesh keni nga prezantimi i “Sfingës së Gjallë” dhe nga vazhdimësia e projektit “Zëri i Trashëgimisë – Radio Drama nga Dramaturgjia Kosovare”?

SHKELZEN BERISHA: Pres që “Sfinga e Gjallë” të përqafohet nga publiku dhe të dëshmojë se radio-drama vazhdon të ketë vend dhe vlerë edhe në kohën e sotme. Përtej vetë premierës, dëshira ime është që kjo vepër të nxisë interesim për dramaturgjinë kosovare dhe për formatet audio si një mënyrë e re e komunikimit me publikun. Sa i përket vazhdimësisë, “Zëri i Trashëgimisë – Radio Drama nga Dramaturgjia Kosovare” e kam menduar që nga fillimi si një nismë afatgjate dhe jo si një projekt të vetëm. Synimi im është që në vitet e ardhshme të realizojmë edhe vepra të tjera të autorëve kosovarë, duke krijuar gradualisht një fond të radio-dramave shqipe. Këto prodhime do të shpërndahen përmes radiove shqipfolëse, platformave digjitale dhe komuniteteve tona në diasporë, ndërsa planifikoj edhe krijimin e një kanali të dedikuar në YouTube, ku publiku do të mund t’i dëgjojë të gjitha realizimet. Nëse arrihet që përmes kësaj nisme të rikthehet radio-drama në hartën kulturore të Kosovës dhe t’u jepet jetë veprave të dramaturgjisë sonë, atëherë do ta konsideroj këtë ndërmarrje si të suksesshme.   /2LONLINE/