Sfilata që impresionoi!

Sfilata që impresionoi!

Nxënës të shkollës së artit pamor “Adem Kastrati”, të klasës XII/3, drejtimi dizajn veshjeje, me mjaftë sukses ia kanë dal ta prezantojnë punën e tyre, gjatë një sfilate tashmë tradicionale që organizohet nga kjo shkollë e Gjilanit.

Veshjet e punuara me larushi materialesh, ngjyrash e modelesh kanë zgjuar vëmendjen e një numri të konsideruar mysafirësh, të cilët janë ndarë të kënaqur me atë çfarë kanë parë.

Roland Masurica, drejtor i shkollës së artit pamor, ka thënë se ky aktivitet u organizua në muajin mars, muajin e pranverës dhe stinën e luleve.

“Shkolla jonë si shkollë profesionale nxënësve maturant, drejtimi – dizajn i modës u ka mundësuar që t’i paraqesin shkathtësitë e tyre të marra gjatë periudhës shkollore. Për sezonin pranverë-verë, në mbështetje të mësimdhënësve, këta nxënës sot na sjellin një koleksion veshjeje të ideuara dhe realizuara nga vetë ata. Pra, veshja është një kulturë që na bën të dukemi më të bukur. Një dizajner i njohur thotë ‘Veshja duhet të reflektojë se kush jemi ne'”, ka thënë Masurica.

Ndërsa Nijazi Haziri, kujdestar i klasës së këtyre nxënësve, ka falënderuar përfaqësuesit e ndërmarrjeve që kanë ofruar mbështetjen e tyre pa rezervë për këta nxënës si dhe të pranishmit për ardhjen e tyre në këtë sfilatë.

Drejtoria e shkollës ka ndarë mirënjohje për disa ndërmarrje mbështetëse të shkollës si dhe për profesorin Rasim Vllasaliu, i cili pas disa vitesh pune në arsim, ka përjetuar pensionimin e tij.

Në fund, për të pranishmit, është shtruar një koktej rasti.

KOMENTE