Sfidat e sektorit privat në raport me energjinë elektrike mbeten të shumta. Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është një çështje e rëndësishme për komunitetin e biznesit, i cili vazhdimisht ka avokuar për shtyerjen e këtij procesi, marrë parasysh se rrethanat aktuale nuk janë të favorshme për një veprim të tillë.
Duke qenë të vetëdijshëm mbi peshën e rëndësisë së kësaj çështjeje, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një forum të diskutimit mbi liberalizimin e tregut të energjisë, me panelistë përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Sekretariati i Traktatit të Komunitetit të Energjisë, si dhe sektori privat.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, theksoi se kjo çështje nuk është më temë e re për komunitetin e biznesit, meqë ky është viti i tretë i përpjekjeve për të shtyer atë që njihet si liberalizim i tregut të energjisë. Sipas Zekas, në rrethana të tilla të ofertës së kufizuar, fuqia negociuese e konsumatorëve komercial është më e kufizuar, duke bërë që ata të paguajnë tarifa më të larta të energjisë elektrike se mesatarja e tarifave të rregulluara.
Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, tha se problemi me liberalizimin e tregut të energjisë është një ndër sfidat të cilat po i shkaktohen komunitetit të biznesit si rrjedhojë edhe e pasigurisë politike, por edhe e mungesës së qartësisë dhe vendosjes së strategjive të qarta mbi zhvillimet të cilat duhet të kenë vendimmarrje në sektorin e energjisë. Ajo tha se çështja e mungesës së bordit të ZRRE-së krijon edhe më shumë vështirësi në këtë aspekt, derisa foli edhe mbi mundësitë e Kuvendit të Kosovës për veprim në këtë rast.
“Ajo çka në aspektin funksional dhe ligjor Kuvendi i Republikës së Kosovës, në përbërjen e saj, e cila shpresojmë të jetë funksionale deri në fundin e marsit, mund të bëjë, është që të sjellë një vendim me interpretim të zyrës ligjore, në të cilin i kërkon Rregullatorit që ky vendim në zbatim të shtyhet deri në plotëni, ose deri në përmbushje të Bordit të Rregullatorit të Energjisë,” tha Kusari-Lila.
Drejtori i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Petrit Pepaj, u shpreh se procesi i tranzicionit të energjisë është shumë kompleks. Ai foli mbi shtyerjen e procesit të liberalizimit të tregut, ku theksoi se me kërkesë të odave ekonomike dhe komisionit parlamentar relevant ky proces është shtyer për tre vite me radhë. Pepaj tha se në vitin e kaluar Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka ngritur vërejtje ndaj Rregullatorit për mosveprim të këtij të fundit në hapje të tregut, derisa u shpreh se ZRRE duhet të respektojë ligjin, dhe se shqetësimet mund të tejkalohen për kohë të shkurtër nëse furnizuesit gjejnë klientë.
Visar Ramajli, bashkëpronar dhe partner menaxhues në kompaninë KIVO, u shpreh se komuniteti i biznesit po e kërkon një shtyerje të tillë për shkak se ky derregullim i tregut nënkupton rritje të çmimit, e cila pastaj përcjellet me rritje të kostove të prodhimit që për biznese nënkuptojnë vështirësi të reja. Ramajli tha se është e drejtë e çdo biznesi të jetë i shqetësuar dhe të kërkojë të gjenden mënyra të përshkallëzimit të rritjes së çmimit, ose të gjenden mënyra që rritja e çmimeve të mos jetë në shkallën prej 40% e më lartë.
Arben Kllokoqi, ekspert në Sekretariatin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, tha se rritja e çmimit duhet të jetë subjekt i shqyrtimit të Rregullatorit nga aspekti i konkurrencës. Ai theksoi se është shumë e rëndësishme të dihen faktorët që shkaktojnë rritje aq të larta dhe të monitorohen ofertat, meqë, nëse ekziston vetëm një furnizues dhe ka fuqi në treg, si i tillë mund të abuzojë tregun. /2LONLINE.com/