Sesion shkencor për Zonën Operative të Karadakut në luftën e UÇK-së

Gjilan – (2LONLINE) – Në Gjilan është mbajtur sesion shkencor në temën “Zona Operative e Karadakut në luftën e UÇK-së”, i cili është organizuar nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, Drejtoria për Kulturë dhe Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan. Fillimisht në hapje të sesionit, Fitim Rifati, kryetar i degës së LHK-së, ka thënë se puna, dija, djersa dhe gjaku që i janë dhuruar lirisë dhe pavarësisë, sollën lirinë e Kosovës në mesin e vitit 1999 dhe pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, duke i hapur këtij vendi rrugën e integrimeve euro-atlantike. Ai tha se pakënaqësia e akumuluar në vite ndaj politikës diskriminuese kombëtare dhe humane që pushteti serb ushtroi ndaj shqiptarëve, i dha refleksion popullit shqiptar të Kosovës të organizojnë luftën çlirimtare. Misionit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkua edhe rajoni i Anamoravës.
Me këtë nismë do t`i shërbejmë në mënyrë konstruktive shkencës së historisë dhe të historiografisë, duke nxitur studiuesit e saj që më thellësisht të hulumtojnë dhe studiojnë këtë periudhë të historisë tonë më të re, ka thënë ai.

Tashti, përmes këtij sesioni, synohet të shpalosen disa momente interesante që e kanë karakterizuar Zonën Operative të Karadakut, rolin dhe kontributin e saj në luftën e UÇK-së, organizimin e brendshëm dhe veprimet luftarake. “Jemi të vetëdijshëm që përmes këtij sesioni nuk do të shterim gjitha karakteristikat që e kanë veçuar luftën e UÇK-s në Zonën Operative të Karadakut, por besojmë se me këtë nismë do t`i shërbejmë në mënyrë konstruktive shkencës së historisë dhe të historiografisë, duke nxitur studiuesit e saj që më thellësisht të hulumtojnë dhe studiojnë këtë periudhë të historisë tonë më të re”, ka thënë Rifati.

Në hapje të këtij sesioni kanë folur edhe Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit, Izmi Zeka, kryesues i Asamblesë Komunale dhe Ahmet Isufi, ish-komandant i ZOK-ut, të cilët kanë çmuar lart veprimtarinë e luftëtarëve të lirisë, falë gjakut të të cilëve sot në Kosovë frymohet e jetohet lirshëm.

Me këtë rast kryetari Mustafa ka falënderuar për iniciativën që të prezantohet në këtë sesion një hulumtim shkencor që nga zanafilla e organizimeve ushtarake, formësimin e aktiviteteve, sfidat, ballafaqimet, luftën e deri në çlirimin e kësaj zone përmes UÇK-së. Kjo punë i bënë nder së pari Komunës dhe neve si përfaqësues të qytetarëve, sepse përmes këtyre akteve ne kemi mundësinë që ti falënderojmë jashtëzakonisht akterët, pjesëmarrësit në këtë luftë. Është akti më i madh që e ka njohur historia e shekullit të kaluar te shqiptarët, në themelimin, organizimin funksionimin e UÇK-së dhe çlirimin tonë nga një okupator siç ishte shteti serb. Natyrisht që duhet kështu, në këtë natyrë profesionale dhe shkencore t’i spikasim vlerat tona përherë përmes gjurmëve, argumenteve sepse vetëm kështu ruajmë vlerat tona, me të cilat do të edukohen edhe brezat tjerë për këtë sakrificë kaq të lartë. Atyre përherë duhet t’u bartet mesazhi përmes këtyre momenteve shkencore dhe përmes botimeve, pllakave përkujtimore, shtatoreve e memorialëve, se ideja dhe mësimi që keni arrit është meritë së pari e dëshmorëve dhe e të rënëve të tjerë në luftën për liri.

Ndërsa, kryetari i këshillit organizativ, njëherit edhe kryesues i Kuvendit të Komunës, Izmi Zeka, ka thënë se kur është folur për shqiptarët, në kontekstin historik, ky shekull është quajtur shekulli i shqiptarëve. Por edhe antiteza e këtij konstatimi, përsëri do të jepte një përshkrim real, nëse do të kundërvinte shqiptarët nëpër shekuj. Nga pikëpamja historiografike, tani më shumë po argumentohet se gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ideja e krijimit të shtetit ishte perspektiva e vetme dhe e domosdoshme për Kosovën dhe zhvillimet e saj. Përfundimisht, shqiptarët, në çdo etapë historike, lartësuan veten dhe historinë për ta, duke qëndruar të pathyeshëm përballë fuqive, çfarëdo e prej ngado që ishin ato; të pandarë, përtej thyerjeve gjeografike; të bashkuar përtej ndarjeve administrative; idealistë përtej ndarjeve ideologjike, ka thënë ndër të tjerash, Zeka, duke shtuar se Lufta e UÇK është një vepër kulminante e shqiptarëve gjithandej kah jetojnë dhe se nisma nga themelimi i saj, zhvillimi e deri te transformimi, është organizimi më me vlerë ndër shqiptarët në shekullin që lamë pas.

Nga ana tjetër Komandanti i ZOK, Ahmet Isufi, ka thënë se ideali i bresit të tij dhe brezave të tjerë në luftën e UÇK-së ishte ai që Kosova të ketë lirinë, të unifikohemi si komb dhe të kemi një të ardhme të sigurt në një Evropë të bashkuar. E kaluara jonë e lavdishme përbëhet nga tri elemente tha ai, e para është ajo se historinë tani e shkruajmë ne vet dhe kisha lutur që të shkruhen ngjarjet ashtu siç kanë qenë as më pak dhe as më shumë, e dyta është ajo që gjeneratat që vijnë të jenë të informuar mbi atë që ka ndodhur që nga robëria e deri në çlirim, në mënyrë që të mos lejojmë të përsëriten ngjarjet dhe e treta është vizioni për të ardhmen, me vetëdijësim të shoqërisë, arsimim dhe duke qenë popull që ka vizion, program dhe projekt për të ardhmen e vet, ka thënë ndër të tjerash Isufi.

Në sesionin shkencor janë paraqitur tetë kumtesa, në të cilat historianët janë përpjekur të ndriçojnë luftën e UÇK-së në Zonën Operative të Karadakut. Sabile Keqmezi – Basha është paraqitur me temën “Lëvizja ilegale në Kosovë dhe UÇK-ja në Zonën Operative të Karadakut”. Naim Musliu, në punimin e tij ka shtjelluar organizimin e brendshëm të ZOK-ut e Jeton Idrizi ka paraqitur temën që ka pasur të bëjë me Vitinë në ZOK. Figura e Abdullah Tahirit është ndriçuar nga Fatmir Shabani, i cili ka paraqitur punimin e këtij luftëtari të lirisë, i cili tërë jetën ia kushtoi çlirimit të Kosovës. Lidhur me rëndësinë e informimit gjatë luftës çlirimtare, me një studim është paraqitur Enver Sadiku, i cili është ndal me theks të veçantë në lidhje me informimin në ZOK, kurse Shkodran Imeraj është paraqitur me studimin në lidhje me disa të dhëna për ZOK-un në luftën e UÇK-së. Luftëtarët nga Gjilani, përveç se në zonën e tyre luftuan edhe nëpër zona të tjera e lidhur me pjesëmarrjen e gjilanasve në Betejën e Kosharës me një punim është paraqitur Nezir Beqiri.

Për rëndësinë e historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me një studim është paraqitur Fitim Rifati e pas referimeve këto tema kanë ngjallë diskutime. Versionet më të gjata të këtyre studimeve do të përmblidhen në një volum të veçantë.

Naim Musliu, sekretar i Këshillit Organizativ, në fjalën përmbyllëse ka theksuar se në bazë të kumtesave të paraqitura nga studiuesit dolën përfundimet se Zona Operative e Karadakut pati një rol të rëndësishëm dhe kontribuoi në luftën e UÇK-së, duke i dhënë vizionit të saj dëshmorë të rënë për lirinë e Kosovës. Ai tha se ZOK-u mbajti komunikim si me Shtabin e Përgjithshëm, Zonat e tjera, faktorin dhe mediat vendore dhe ndërkombëtare dhe se nga vende të kësaj Zone ranë në beteja disa dëshmorë dhe se UÇK dhe NATO çliruan Kosovën nga vrasjet masive dhe gjenocidi i forcave policore dhe ushtarake serbe.

“Me luftën çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës u krijuan parakushtet që zgjidhja e vetme për Kosovën të jetë pavarësia dhe hapja e një kapitulli të ri drejt integrimeve në mekanizma euro-atlantik”, ka thënë Musliu, që ka shtuar se përmes këtij sesioni i është dhënë një pasqyrë orientuese për studiuesit e historisë që më thellësisht të hulumtojnë dhe studiojnë këtë periudhë mjaft të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. /2lonline/

KOMENTE