Sërish qarkullojnë mesazhet mashtruese në emër të policisë
Policia e Kosovës sërish ka kërkuar kujdes nga qytetarët për mesazhet mashtruese që gjoja janë nga policia.
Raste të tilla së fundi janë regjistruar në Ferizaj, e ku Drejtoria Rajonale e Policisë ka njoftuar qytetarët se janë evidentuar raste të mesazheve (SMS) mashtruese, të cilat dërgohen në emër të Policisë së Kosovës, duke pretenduar në mënyrë të rreme se qytetarët kanë gjoba trafiku dhe duke i ftuar të klikojnë në lidhje (linke) për të kryer pagesa.
Sipas Policisë, këto mesazhe nuk janë zyrtare dhe janë pjesë e tentativave për mashtrim andaj ka lutur qytetarët që të mos klikojnë në linke të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të mos kryejnë pagesa përmes lidhjeve të dërguara me SMS.
“Nëse pranoni një mesazh të tillë, fshijeni menjëherë, raportojeni rastin në Policinë e Kosovës, stacionin më te afërt dhe kontaktoni bankën tuaj nëse keni ndarë të dhëna personale ose bankare”, thuhet në njoftimin e Policisë, e cila apelon për kujdes të shtuar ndaj mashtrimeve online dhe bashkëpunim me policinë për parandalimin e tyre.
Qytetarët mund të raportojnë raste të tilla përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose duke telefonuar në numrin 192. /2LONLINE/
