DYLON

Sergjani nuk mundet me luajt në dy ekipe përnjëherë

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Fakti që anëtari i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga komuniteti serb Sergjan Mitroviq, është pjesë e strukturave paralele pasi ai ditë më parë është zgjedhur edhe ”Kryetar i Gjilanit”, strukturë paralele me seli në fshatin Kufcë të Gjilanit, e ka revoltuar edhe Sahit Abazin, Shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin komunal të Gjilanit, i cili është shprehur se Sergjan Mitroviq nuk mundet me luajt në dy ekipe përnjëherë.

“Së pari, fakti që Sergjani është këshilltar komunal në Gjilan dhe në të njëjtën kohë është “Kryetar i Gjilanit” është provokim i rendë, jo nga Sergjani, por nga Serbia karshi Kosovës. Është provokim mbi shtetësinë e Kosovës siç ka provokime të tilla edhe në zonat tjera të Kosovës. Për ne është e çuditshme se si Komuna e Gjilanit i është kundërpërgjigj këtij provokimi me shumë ngathtësi”, ka thënë Abazi për Portalin 2LONLINE.

EkoHigjiena

Ai tha se, Kryetari i Komunës dhe Kryesuesja e Kuvendit do të duhej që deri më tash ta kishin marrë vendimin për ta shkarkuar Sergjan Mitroviqin nga Kuvendi për t’i treguar që koha e provokimeve të tilla ka përfunduar moti.

“Partia Demokratike e Kosovës mbështetë pa rezervë integrimin e komuniteteve, ne jemi për bashkëjetesë me serbët, por asnjëherë nën serbët dhe asnjëherë nuk lejojmë që provokatorët të jenë pjesë e institucioneve tona. Pas gjithë atyre negociatave në Bruksel dhe sakrificave të shqiptarëve për paqen në Ballkan, nuk mund të lejojmë të ofendohemi më shumë”, ka thënë tutje Abazi i PDK-së.

Ai ka ftuar kryetarin e komunës dhe kryesuesen që deri në seancën e 29 dhjetorit ta shkarkojnë Sergjan Mitroviqin dhe t’u tregohet që nuk lejojmë cenimin e institucioneve tona

“Po ashtu duhet të ftohet komuniteti serb në Gjilan dhe t’i delegojë përfaqësuesit e saj në asamble, ata që i duan institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë në fund Sahit Abazi, Shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin komunal të Gjilanit. /2L ONLINE/