Shteti i Serbisë ka filluar pagesën e pensioneve të para të mbetura nga viti 1999 pensionistëve kosovarë, të cilët këtë të drejtë e kanë fituar para vitit 1999, kur pagesa e pensioneve u ishte ndërprerë.
Fillimi i pagesës së pensioneve të para, sipas sekretarit shtetëror në Ministrinë e Punës së Serbisë, Dragi Vidojeviq, ka hasur në mirëkuptim të Gjykatës së Strasburgut, në të cilin është zhvilluar procesi gjyqësor kundër Serbisë për çështje të pensioneve të pensionistëve shqiptarë, të cilat u janë ndërprerë në vitin 1999, shkruan zeri.
Ai tha se Fondi PIO deri më tani ka sjellë 68 vendime pozitive për vazhdimin e pagesës së pensioneve të mbetura të Kosovës, nga gjithsej 11.463 kërkesa. “Nga këto kërkesa, 8.518 nuk e kanë dokumentacionin e kompletuar, ndërsa 1.442 kërkesa janë me dokumentacion në rregull dhe vetëm pritet vendimi për to”.
Refuzohen 1250 kërkesa
“Njëkohësisht, janë më shumë se 1.250 kërkesa që janë refuzuar, sepse nuk kanë bazë ligjore që t’u paguhen pensionet nga Serbia”, u ka thënë Vidojeviq mediave serbe, transmeton Titulli.
Sipas tij, kjo nga shkaku se paraqitësit e kërkesave si dëshmi kanë paraqitur edhe dokumentet që janë shfrytëzues të pensioneve në Kosovë, që është në kundërshtim me ligjin, sepse, siç tha Vidojeviq, askush nuk mund t’i realizojë dy pensione. “Të gjithë atyre që nuk i kanë kompletuar dokumentet, Fondi PIO u ka dërguar ftesë që ato t’i plotësojnë”, tha ai.
Sipas sekretarit shtetëror në Ministrinë e Punës së Serbisë, Këshilli i Ministrave dhe Gjyqi në Strasburg me shumë kënaqësi e kanë pritur njoftimin për punën pandërprerë të Fondit Pensional, gjë që ka sjellë rritjen e numrit të vendimeve për pagesë të pensioneve.
“Më e rëndësishme është se kuptuar mesazhi i pushtetit për refuzimin e pagesës atyre paraqitësve të kërkesave, që janë vërtetuar me revizion gjyqësor. Kjo do të thotë, zgjidhje universale dhe princip i të drejtës, që pensioni nuk mund të realizohet mbi dy baza. Kjo u është dërguar të gjithë atyre, të cilëve kërkesat u janë refuzuar, në mënyrë që ata vetë të binden, se kjo nuk ka qenë zgjidhje e Serbisë, por ligjet kështu e thonë”, ka sqaruar Vidojeviq. I pyetur nga gazetarët, se a ka marrëveshje për ndonjë periudhë të caktuar kohore, brenda të cilës do të paguhen pensionet, Vidojeviq u përgjigj, se ligjet serbe parashohin që pensionet të paguhen për një vit prapa, gjegjësisht nga momenti i paraqitjes së kërkesës gjykatës.