Serbia ka veç një qëllim, ta kontrolloj Kosovën përmes Asociacionit me kompetenca ekzekutive

Serbia ka veç një qëllim, ta kontrolloj Kosovën përmes Asociacionit me kompetenca ekzekutive

Janë të rrezikshme deklaratat për ndryshim të kufijve, aq sa edhe ato për ndarje dhe shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kufijtë ndryshohen veç përmes një mekanizmi jashtë atij të dialogut, përmes luftës.

Shkruan: Ardian Azemi

Ndarja e Kosovës nuk mendoj se do të ndodh, sikurse shkëmbimi i territoreve. E kemi thënë se për Serbinë nuk është në interes ndarja, e as shkëmbimi i territoreve. Elita politike në Serbi, është vazhdimësi e politikës millosheviçiane, andaj edhe mendësia ka mbetur e pandryshuar. Për Serbinë nuk paraqet problem çështja e pakicës serbe në Kosovë, sepse e di fare mirë se pakicat në Kosovë gëzojnë të drejta si asnjë pakicë tjetër jo vetëm në vendet e rajonit, por shumë më gjerë.

Serbia duke kërkuar shumë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, mendon të marrë atë që realisht e mendon dhe që është shumë me rëndësi për ta, Asociacionin me kompetenca ekzekutive, që nënkupton se përmes këtij Asociacioni ta kontrolloj gjithë territorin e Kosovës dhe të jetë faktor i rëndësishëm për rregullim e brendshëm në Republikën e Kosovës.

Nuk ka asnjë dyshim se; politika e dalldisur në Kosovë, mungesa e vullnetit politik për tu bashkuar rreth kësaj teme, i shkojnë për shtati palës serbe në dialog.

Këmbëngulja nga dyja palët; njëra domosdo për ti udhëheqë bisedimet, dhe tjetra për ndryshua edhe formën edhe përmbajtjen por edhe udhëheqjen e dialogut, kanë krijua një terren komod për palën serbe për ti realizua nëse jo bash lehtë, të paktën me pak vështirësi objektivat e veta.

Po ashtu, kemi thënë se dialogu është i pa alternativë, por jo edhe i pamundur për ta ndryshuar formën dhe udhëheqjen. Ligjërisht i takon presidentit të udhëheqë dialogun, praktikisht duhet Kuvendi i Republikës të nxjerrë rezolutë e cila përcakton kornizat brenda të cilave lejohet të dialogohet.

Çdo tejkalim i rezolutës, duhet dhënë përgjegjësi para kuvendit, respektivisht të zgjedhurve të popullit. Katër gushti shënon fundin e afatit për hartimin e draft-statutit për Asociacionin e Komunave Serbe, dhe çdo dokument që buron nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, është i papranueshëm për serbët e Kosovës, rrjedhimisht Beogradin.

Kësisoj, ekziston mundësia që vikendi të jetë jo i lehtë për institucionet e Kosovës, respektivisht për ato të sigurisë. Beogradi nëpërmjet Listës Srpska, mund të ndërmerr hapa të cilët e provokojnë situatën dhe të përshkallëzohet edhe më shumë hendeku. Ekziston mundësia që veriu i vendit të mendoj të dal me ndonjë deklaratë e cila është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Fjala është për një autonomi për veriun, veprim ky që nëse ndodh, askush prej nesh, përveç atyre që janë në bisedime, mund të parashohim çka ndodh. Jam i sigurt që Kosova do të humbë nga ky proces dialogues.

S’ka rëndësi nëse dialogun e udhëheqë pozita e tanishme, apo opozita. Janë fuqitë e mëdha që kanë përcaktuar çdo detaj, madje edhe presjet se si do të dizajnohet marrëveshja finale.

Ne mund të shpërfaqim mendimet tona kundrejt dialogut, por prapë e them, veç ata që janë në tavolinën e Brukselit e dinë saktë se çka humbë Kosova e sa fiton Serbia.

Një gjë dihet, Serbia nuk jep asgjë, por edhe nëse jep, shumë më shumë do ti marrë Kosovës.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE