Inati i Federatës së Futbollit të Serbisë për miqësoren e parë të Kosovës nuk ka marrë fund. Madje, ata po gjejnë mënyra të ndryshme për të shprehur indinjatën e tyre. Kjo Kombëtare më 26 maj kishte aranzhuar ndeshjen miqësore me Haitin, kundërshtar ky i cili më 5 mars zbriti në Mitrovicë, për të hyrë në histori të futbollit kosovar. Mirëpo, dy javë pas kësaj ndeshje, serbët i janë hakmarrë Haitit. Ata kanë anuluar miqësoren me ta, e cila pritet të zhvillohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Agron Selimi, menaxher i Kompanisë ‘As Art Events’, e cila merret me organizimin e ndeshjeve, tregon për anulimin e kësaj miqësoreje. “Një menaxher më lajmëroi mbrëmë se Federata e Haitit i ka dërguar e-mail, duke ia bërë me dije se Federata e Serbisë ka anuluar miqësoren me ta, me arsyen e vetme pse ata kanë pranuar të luajnë me Kosovën”, deklaroi Selimi për Arenën.
Serbia menjëherë ka aranzhuar miqësoren tjetër, dhe për kundërshtar ka gjetur Xhamajkën, kurse pesë ditë më vonë takohet me Panamanë. Xhamajka ishte afër miqësores me Kosovën më 5 mars, madje thuhej se marrëveshja ishte arritur, kurse Panama i ka bërë ofertë Kosovës për t’u përballur në maj. “Panamaja na ka propozuar të luajmë me ta, por ne nuk e kemi shqyrtuar këtë”, thotë Selimi, sipas të cilit ka pak gjasa të aranzhohet ndeshje me ta.