Serbët e veriut : Nuk bëhemi pjesë e FAK-ut

Koordinatori i ekipit të menaxhimit për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, Ljubomir Mariq, ka mohuar zërat se ai e mbështet krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe pjesëmarrjen e serbëve në të.

“Unë kategorikisht e mohoj dhe hedh poshtë deklaratën si krejtësisht të pavërtetë të mbështetjes së përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë dhe Metohi për idenë e formimit të një të ashtuquajture ‘ Ushtria e Kosovës’, si dhe pjesëmarrjen e popullit serb në krijimin dhe funksionimin e saj”, thuhet në deklaratën e Mariqit, transmeton “Blic” të cilës ireferohet Titulli.

Kjo deklaratë e tij erdhi pas një letre që Iniciativa Qytetare Serbe-SDP e kishte dërguar në adresë të disa medieve, e ku thuhej se përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës mbështesin idenë për krijimin e zonave të forcave të sigurisë në të cilat do të pasqyrojnë përbërjen etnike të popullsisë.

Si nënshkrues në deklaratë ishin listuar përfaqësuesit e Ekipit të Menaxhimit për formimin e Asociacionit të Komunave serbe, shefi i Qarkut të Mitrovicës, kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Këshillat e Përkohshëm të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin-Potokut dhe Leposaviqit.

“Ne paralajmërojmë rreziqet e kësaj deklarate të rreme të sajuar, që ka për qëllim të sjellë kaos dhe të mashtrojë publikun”.

Ndërkaq ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, ka deklaruar se Forcat e Armatosura të Kosovës për Serbinë janë krejtësisht të papranueshme. Ai ka thënë se Serbia nuk e ka ndërmend që në kuadër të dialogut, ose në ndonjë mënyrë tjetër, të bisedojë për këtë çështje.

“Janë të gabueshme interpretimet se ne po kërkojmë ndonjë aneks. Ne nuk kërkojmë asnjë aneks (të Marrëveshjes së Brukselit). Ne nuk kërkojmë kurrfarë aneksi ose negociata për Armatën e Kosovës, s‘ka Armatë Kosove”, ka thënë Vulin. Ai ka bërë të ditur se Serbia nuk ka hequr dorë nga kërkesa për thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të KB-së për këtë çështje dhe ka shtuar se nuk varet nga Serbia se kur do të mbahet ajo.

“Rreth e përqark Kosovës është situatë krejtësisht e qetë. Serbia nuk do ta sulmojë territorin e vet. Shqipëria dhe Maqedonia me siguri nuk do ta sulmojnë Kosovën. Nga kush kanë për t’u mbrojtur ata? Ai territor është nën garancitë më të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare dhe formimi i çfarëdo ushtrie të Kosovës do të paralajmëronte mundësinë e konflikteve ndëretnike”, ka thënë Vulin.

Kurse drejtori i Forumit për marrëdhënie etnike, Dushan Janjiq, ka thënë se modalitetet e Ushtrisë së Kosovës duhet të diskutohen në kuadrin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

KOMENTE